Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Sekreti

156
Sigal

Rrëkeja e vogël derdhet në përrua

dhe ky,

me vëllezërit e tij,

herë pa zë

e herë duke kënduar,

lumit i bëjnë shoqëri.

Lumi vallzon a rend vërtik

në ndonj’ liqen o det pa anë;

që në peizazh,

kanë vëlla e mik

atë që quhet oqean…

Çdo gjë ka vlerën dhe rendin e vet,

kështu natyra është sajuar.

Kush nuk e di këtë sekret,

mbetet përherë

i trishtuar;

dhe veç pështyn ose derdh lotë,

atje ku veten s’e gjen dot…

 

Lepuri tregon trimwri

Kur ra çiftja e parë në korrije

dhe u dëgjua që tutje Zagari,

ia dha vrapit Lepuri siç i ka hije

iku nga sytë këmbët i pari…

“Fshihuni, shpejt, po vijnë ata!”

Bërtiste e çirrej ai i ndërkryer.

Pas tij, ia mbathën gjithë kafshët radhë,

kush mundej të shpëtonte kryet.

Pas disa kohësh, këdo takonte,

ia thoshte ndryshe historinë:

“Që thoni ju, është qetë sonte,

atë ditë ta shihnit trimërinë.”

Dhe diku gjetkë më me fantazi:

“Unë kisha dalë për një shëtitje,

kur befas dëgjoj ca breshëri.

Iu thashë gjahtarëve:

“Mos bëni qitje!””

 

Krimbi

Krimbi po ikën në panik,

i ndjekur nga një sqep armik,

që hije bën mbi bar e plis,

edhe ndërkohë e qesëndis:

“Po ç’bën, o i mjerë,

o budalla?

Kudo të futesh, do të të ha;

s’të vlejnë nazet as një grosh.

I ke mendt’, botën do ndryshosh?!”