Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Fjalë për letërsinë e mirë

46
Sigal

…Vera ishte stina e dëfrimeve tona pa cak. As mbrëmja nuk na mblidhte dot brenda. Kishim disa itinerare, por ai më i lakmuari nga ne, ndiqte këtë vijë: Korija para Pandës, Panda, Fabrika e Birrës, Pylli dhe çezma e Shetros, Arat e Mborjes. Edhe pse e kishim ngrënë mëngjesin – bukë e gjalpë e reçel, por ca më dendur bukë me sheqer e vaj ulliri, jo rrallëherë edhe me sheqer e ujë apo thjesht me ndonjë copë djathë, më ndjeni, s’e zgjata ashtu kot – ne prapë “gjuanim” ç’të mundnim gjatë rrugës: manaferra, boçe pishe, murrizka. Këto të fundit (mbase shumica e njeh këtë shkurre thjesht me emrin murriz) kokrra të vogla e të kuqe, pothuaj pa shije, ishin me shumicë.

Pasi zdërhalleshim për orë të tëra ndër ferra e, nganjëherë, edhe në disa pellgje-rezervuare ku mund të lije kokën, afër drekës zbrisnim sërish tatëpjetë. Zakonisht, në kthim bënim një kontroll të shpejtë përqark Vilës së Partisë, duke u kacavjerrë ndër degë e mure për ndonjë qershi a mollë, krejt si qenie të urritura e të pangopura…

Tani, më lejoni një çast të kthehem te disa nga ushqimet e preferuara të fëmijëve të sotëm, gjëra të mbështjella me qese plastike me fije alumini a thjesht letra të shndritshme, me figura që ta marrin mendjen, sende me të cilat fabrikat anembanë botës ushqejnë punën e përditshme dhe fitimet e majme. Këtu ishte ideja. Ka një letërsi që i përngjet për vdekje të ushqyerit me manaferra e murriz përmes përjetimesh të pakrahasueshme me asgjë, kur prapa ferrës përgjonte një hardhucë, por ndonjëherë mund të shkelje një nepërkë… apo kur një roje të binte pas gjithë egërsi, a thua kishe ngacmuar të bijën ose i kishe vjedhur paketën e cigareve; e ndërkohë, ti dhe shokët e t’u duhej të vraponit si të marrë, me sa të ngrinte “motorri” i vogël, por i shpejtë, kurse zemra sa nuk e shqyente kraharorin dhe shpesh murrizkat e manaferrat e mbledhura “mbilleshin” rrugës, o ç’fat i keq për gjithë atë mundim…

Po e përmbyll. Ka edhe një letërsi që i përngjet qeseve me patatina apo “buondolçeve”… Shpresoj shumë që të më kini kuptuar. Nëse jo, siç thotë një personazh i Dikensit, e kam fajin vetë…