Fabul
E zgjerosur, bishtin përpjetë (!)
Në rrëpirën
prej nga s’duket fshati,
tufa poshtë e lart po kërkon fatin,
hapur ndër murrize e ndër ferra.
Është aty një dhi që ndër të tjera,
shkon e vjen
vetëm me bisht përpjetë,
prapanica e saj tallet me retë…
Kushedi pse shtiret kjo e ngratë,
ajros dregat apo fton ftujakë.
“E zgjebosur
dhe bishtin përpjetë!”
S’dihet kush e tha, fjala ka mbetur…
Dordolec
Në arën ku Gallofët* bëjnë festë,
po mban fjalim edhe një Dordolec:
-I shihni këto fusha, rreth e qark?
Janë në mbrojtjen time; pa merak!
Po kur Moti dhëmbët i nxjerr jashtë,
shkalafitet trimi kokëkashtë;
bëhet fije-fije, e merr era,
bashkë me fjalime dhe idera…
Sekreti
Rrëkeja e vogël derdhet në përrua.
Dhe ky,
me vëllezërit e tij,
herë pa zë
e herë duke kënduar
lumit i bëjnë shoqëri.
Dhe lumi rend e bredh vërtik
në detin e madh e të paanë.
Por edhe deti ka vëlla e mik
atë që quhet
oqean…
Çdo gjë ka vlerën dhe vendin e vet.
Kështu natyra është sajuar.
Kush nuk e di këtë sekret,
mbetet përherë
i trishtuar.