Suplementi Pena Shqiptare/ Timo Flloko: Eja , ti, mos më harro…

108
Sigal

EJA, TI, MOS MË HARRO…

Ndonjëherë nuk mundem të jetoj pa ty,
ndonjëherë unë vuaj se kam mall,
ndonjëherë në heshtje, në melankoli,
si imazh, ti më vjen, diku nga larg…
Ndonjëherë më duket se gjithçka mbaroi,
Zotit lart i lutem të më falë…
Përsëri të dua, dhe tani pa ty,
ndjehem bosh dhe në shpirt kam ankth…

Unë të ndiej, të shoh ty nëpër ëndrra për çdo natë!
Më mungon dhe nuk e di, a do t’duash, ti, të kthehesh prapë…!
Nuk do të ndieja më vetmi, po të jem me ty këtë natë,
do të pres, por kam frikë se ti je larg.

Ndonjëherë, i dashur, të harroj unë ty!
Pafundësisht vetmia s’mund të zgjas!
Një romancë papritur, tundim në shpirt
më rrëmben…dhe s’jam e jotja atë çast…!
Oh, sa më trishton:
dimër, verë, pranverë e vjeshtë s’ka më për ne të dy.
Eja, ti, mos më harro, unë pa ty nuk ekzistoj!

Unë të ndiej, të shoh ty nëpër ëndrra për çdo natë:
një pasion, një rastësi, nuk është ndoshta një gabim fatal.
Çfar ndien zemra në thellësi, s’krahasohet me një natë.
Ndonjëherë kur dashuron, më tepër fal…!
Një gabim në dashuri, nuk është fatal!…
Ah, sa herë, në heshtje, në melankoli,
si imazh, ti më vjen, diku nga larg.

 

Zotit iu luta kur mbeta pa ty…

Zotit iu luta kur mbeta pa ty,
ish natë në Nju Jork, me shi …

U enda s’di se sa periferisë,
Urës së Bruklinit, në zgrip të vetmisë!

(Si ta përcjell natën,
Pa ty në Manhatan?!)

Të humba ty, tani s’kam ç’pres,
në Rrugën 42-Avenju V-së!

Në hon të humbjes, këtë fund vjeshte,
vuajtja ma ka ngulur heshtën!

Një person e pëson…dashuria tretet,
s’është e përjetshme, thonë poetët!
(Në fakt, pa dhimbje ç’vlen të mbetet…!)

Mëngjesi gdhin i mugët…idhnak,
endem në Broduej si endacak:

E gdhiva natën,
pa ty, në Manhatan.

PO PI TË DASHURËN GOTË VERË

Po pi të dashurën gotë verë,
si buztë e tua pija dikur.
Dimri po vjen me flokë të tjerë
ashtu si ti imazhin humbë…
Atje mbi Dajt hëna po puthet; yllin dashnor po përkëdhel.
Mbase tani po i puth gushën si unë ty diku njëherë…
A i mban mend oh ato netë-
netë lotuar dashuri?
Ku unë të puthja si një det e hëna ndjente xhelozi!
Tani tek eci buzë Lanës me erën ngjitur kalipeç
trishtueshëm ujërat po më thonë:
“Ku shkon kështu dashnor i keq…?
A i mban mend ohh ato nete
-nete martuar dashuri
Ku unë puthja si një det e hëna shihte në vetmi.

Ujk

Dikur ishe ujk, qeni im;
nuk lehje, veç hungërije.
Hënë e plotë t’i kafshonte sytë
me rreze të ftohta si hije.

Por fati të ndryshoi, të ktheu në qen.
Sa më dhemb kur vështrimin ma fsheh!
Lirinë ke humbur, kushtrimin e të parëve,
s’je më ujk, por një qen që leh.

Sytë

Sytë shohin, shihen, fshehin, fshihen.
Sytë ikin, largohen, sytë mërgohen.

Sytë ndrijnë, qeshin, ndizen, ndezin.
Sytë dashurojnë, dashurohen, sytë
verbohen.

Sytë lotojnë, pikëllojnë, harrohen, harrojnë.
Sytë ftohen e s’flasin, sytë vrasin.

Shtati ngrin kallkan, vdes,
sytë hapur mbesin,
kur shpirti shtegtimin merr
përtej universit.

 

Si Kulla e Babelit

Sikur unë të vija tek ti
apo ti të vije tek unë,
përtej së pamundshmes të mundnim
midis nesh të ngrinim një urë…

Të mos ndodhte ndarja, siç ndodh
(ndarjen mos ta kishim për fat),
ta endnim lartësish atë urë,
ajrit, në imagjinatë…

Le të ishte ajo iluzore,
si Kulla e Babelit,
që u ngrit e u shemb sa herë.
Lartësive, a s’do ish ajo qiellore,
urë ëndrrash,
në erë?