Suplementi Pena Shqiptare/ Theodhoraq Ciko: “Fshatar nderi”

521
Sigal

Theodhoraq Ciko

“Fshatar nderi”

Miku im, gjithmonë zile më bënte dhe asnjëherë nuk më merrte në telefon. Unë i jap të drejtë, se i varfri ka dy vjet pa punë. Tek klubi jonë i preferuar pinim kafe, aty ku kafja ishte shumë e lirë dhe, për çudi, banakierja që ishte dhe pronare e lokalit, e bënte aq të mirë, sa do ta kishin zili, shumë nga klubet dhe lokalet më të shtrenjta të qytetit. Te ai klub mblidheshim, ne, krijuesit dhe përgojonim njëri tjetrin. Ishte kthyer në sëmundje përgojimi dhe hedhja poshtë e vlerave të tjetrit. Ai që ishte më i miri patjetër që sulmohej më shumë nga të gjithë. Por kishte dhe nga ata që u ishte mbushur mendja se ishin korifenj të artit në zhanrin e tyre. Mikloheshin dhe deliroheshin, kur servilët që mbanin pas u bënin krahasime me krijues botërorë. Shoku im, që më ftoi në këtë takim, njëherë kur po dëgjonte lavdërime të tilla dhe krahasime me korifej të artit dhe të letërsisë në konfidencë më drejtohet mua; “Po unë që kam ngelur në vend numëro dhe ende nuk më është ngjitur nofka. Secili nga ju e ka një të tillë, dikush është një Esenin dikush Balzak, një tjetër Ismail, dikush Lorka, tjetri Pol Elyar e krahasime nga më të çuditshmet dhe ku…, në një qytet provincial ku asnjëri nuk kish shkuar me krijimtarinë e tij më larg se Qarku i rrethit të tij. Shoku im, ishte tejet ironik dhe gjithmonë kur mblidheshim nëpër aktivitete do të nxirrte nga një xhevahir nga goja. Edhe poezitë kur i recitonte në këto aktivitete i kishte me spec dhe shigjetonte kolegët megalomanë. Pikërisht dhe takimi i sotëm ishte pothuaj i kësaj linje. Kur e takova vura re se në fytyrën e tij një re buzëqeshjeje ironike i rrëshqiste nga sytë deri poshtë tek goja. – Qenke në humor që me natë, apo qesh me mua që erdha kaq shpejt? – Edhe për këtë të dytën mbase, gatishmëria jote tregon se dhe ti ke intuitë dhe mendon se diçka të rrallë do të dëgjosh nga shoku yt që të gjitha i konsumon me ty. Je i vetmi që më kupton dhe nuk je smirëzi si ata që i fjalosin përditë. Sot kam më të fortën. Është fjala për sëmundjen e fundit, ajo më e reja në provincën tonë.- Të kuptoj dhe të jap të drejtë pa thënë asnjë fjalë. Ajo që do më thuash është aq e vërtetë pasi e thua ti dhe jo dikush që është thashethemexhi dhe mosmirënjohës. Ti je shoku im i vetëm në këtë qytet dhe nuk kam njohur si puna jote deri më sot asnjeri, je i vërtetë dhe pa hile ,vlerat e tua do vijë dita dhe do dalin në shesh. Asgjë nuk mund të fshihet për një kohë të gjatë. E kush na qenka ajo sëmundje që the, jam kurioz që ta di sa më parë.   – Dje dëgjova se kërkon që të bëhet “Qytetar nderi”, fshatari më i ri në qytet M . M. Ti e di se sa krijimtari ka ai dhe të ç’cilësie, ai është tepër voluminoz, por shumë provincial dhe i pakuptueshëm! Si ka mundësi që propozojnë njerëz të tillë vallë?

– Arsye të vetme i dashur mik, unë nxjerr, se të gjithë qytetarët e qytetit tonë janë larg qytetit, tashmë të larguar në Amerikë dhe Kanada, në Itali dhe Greqi për të mos thënë që largimi në Tiranë që në atë kohë ka qenë shumë i madh. Po artin dhe kulturën kryeqytetit, qyteti ynë ia ka dhënë, dhe gjithë Shqipërisë mbarë. Unë dua, që të sëmuresh pak dhe ti, si kolegët tanë. Më shumë nga ty, asnjeri nuk ka vlera, për tu bërë “Qytetar nderi”. Duhet një fjalë andej nga prefektura, e ku di unë dhe mbaron me një titull.

– Unë kam pesëmbëdhjetë vjet që kam ardhur në qytet dhe e dua shumë qytetin, por nuk e ndjej të udhës që t’i kem shërbyer kaq shumë qytetit sa të quhem i tillë. Do të isha i mendimit, që të ekzistonte një emër tjetër, pasi qyteti ynë nuk ka më qytetarë.

– Pikërisht, se mungojnë qytetarët, pa janë sëmurur fshatarët që banojnë në qytet dhe me patjetër kërkojnë që të bëhen me hir dhe pahir të tillë, pa pasur ndonjë vlerë për atë titull, pale ka dhe nga ata që kërkojnë që për së gjalli emrin e një rruge.

– Unë do të isha i mendimit që të jepej një titull i tillë, që brenda ta kishte fjalën qytetari por jo si shprehje.

– Pa hë, se dhe kjo që do më thuash mund të jetë interesante.

– Të quhen “Fshatarë nderi” i qytetit.

– Do të ishte e lezetshme, se të tillë kemi plot dhe jo vetëm në qytetin tonë por gjithandej. Sot vlerat nuk kanë shumë rëndësi i dashur, rëndësi ka se sa je i aftë, ti menaxhosh ato pak që ke, sa je i aftë të hysh aty ku nuk të qasin, sa shokë dhe shoqe krijon mbi bazën e hipokrizisë dhe injorancës, sa tenderë mund të rrëmbesh atje dhe ku të mundesh. Sot gjithçka vepron në këtë mënyrë dhe çdo gjë që ekziston quhet biznes. Pra që të bëhesh “Fshatar nderi” nuk është dhe ndonjë vështirësi e madhe.

– Unë do të bëhesha “Fshatar nderi” me qytetari, por jo këtu ku jetoj por atje ku kam kaluar një pjesë të mirë të jetës sime, aty në fshat dhe komunë.

– E di, m’u kujtua ajo barsoleta, që më tregoi një fshatari im. Ai bëri shpërnguljen nga fshati. Me humor dhe xhentilesë, më tha se aty në fshat ishte “Nderi i komunës” dhe këtu në qytet duhej njëlloj si ju bë pasaportizimi po ashtu t’i konvertohej dhe “Nderi i komunës” me titullin “Nderi i qytetit”.

– Ke të drejtë, le të bëhen “Qytetarë nderi” fshatarët e qytetit tonë, asgjë nuk kanë për ti ndryshuar gurëve dhe gropave gjithandej. Qytetit tonë, që shquhej për kalldrëmin dhe rrugicat e tij, tani më, emri dhe nostalgjia e dikurshme e serenatave që gjithkush i kujton me mall, vetëm ato i kanë ngelur.