Suplementi Pena Shqiptare/ Sulejman Mato: Orteku

280
Sigal

Kur u dëgjuan thirrjet; “Orteku! Orteku!”, unë gjendesha në hyrje të galerisë. Në të dhjetën e sekondës konstatova qetësisht një masë të madhe dëbore që po vinte drejt nesh me shpejtësi tronditëse. Kur u përmenda, gjendesha brenda ortekut të dëborës, i mbërthyer duar e këmbë. Errësirë… Më kishte humbur shikimi. Duhet të isha fundosur.Thellë. Sa thellë? Më duhej t’i jepja kurajë vetes. Të luftoja me vdekjen. Të çaja një tunel për të dalë në sipërfaqe.

Ndjeva me tmerr se gishtat pak nga pak po më ngrinin…  Kujtova time shoqe. Ajo më pret. Pra, është dikush që më pret…Është dikush që shqetësohet për mua…Është dikush që më jep forcë. Është dikush për të cilën ia vlen të jetoj…”  Në atë gjendje të errët dhe të pashpresë, ndjeva erën e parfumit të gruas sime: ”Duhet të jetoj! Po. Po. Duhet të jetoj! Nisa të gërmoj një tunel, i cili nuk do të mbaronte kurrë. E ndieja me intuitë që nga dëbora që vinte me e shkrifët. Për fat, gjendesha vertikalisht. Lëviza ngadalë, drejt sipërfaqes…Nuk e di sa kohë m’u desh të gërmoja nën dëborë. Pa ndërprerje. Duhet të kisha përshkuar një distancë rreth 16 këmbë. Gishtërinjtë nuk më bindeshin më. As gjymtyrët e duarve: Nuk duhet të jepem! Mendova. Është dikush që mendon për mua”. Sipërfaqja e tokës nuk duhet të ishte larg. E ndieja ngaqë dëbora sa vinte e bëhej më e shkrifët.

* * * Dola mbi dëborë. Para meje u shfaq një shkretëtirë e bardhë. Po jetoja sërish. Isha kthyer sërish në jetë. Jeta është e bukur. Hëna e bardhë lundronte mbi krye, një mrekulli e natyrës.

Era i ngjante një ulërime ujku. Ta priste fytyrën si me brisk. Ndjeva erë nafte. Buldozieri i Gjetës duhet të ishte fundosur diku, fare pranë meje. Gjeta… Thua të ketë shpëtuar? Thirra disa herë. Nuk m’u përgjigj. Gjendesha thellë në luginë. I mjerë, i braktisur dhe i pashpresë.

S’pata kohë për të thirrur dhe as për të kërkuar ndihmë. Një ortek befasues edhe pse i vogël, ishte nisur drejt meje me një shpejtësi ëndrre. Hapa një gropë dhe u zhyta nën dëborë. Orteku më përlau edhe atje ku isha fshehur. Por unë tashmë kisha njëfarë përvoje. E dija ç’duhet të bëjë njeriu kur gjendet brenda një orteku. E nisa punën me lëvizjen e duarve. Errësira nuk më tmerronte më. Nuk duhet të gjendesha aq thellë sa në ortekun e parë. Luftova me guxim me dëborën e ngjeshur. Dëbora sa vinte e bëhej më e shkrifët. U desh një orë gërmim dëbore për të nxjerrë kokën mbi sipërfaqe. Çfarë gëzimi? Çfarë lumturie! Këtë përvojë do t’ua transmetoja edhe shokëve të mi. Erë nuk frynte. Kishte pllakosur mbrëmja. Hëna e argjendtë lundronte në qiell. Përballë kisha një pyll me filiza pishash. Degët e mbuluara me dëborë dukeshin si bluza e sime shoqeje, me dantella. “Duhet të lëviz…Nuk duhet të fle. ” U dëgjuan krisma pushke. Shokët e punës kishin kohë që më kërkonin. Këmbët nuk më urdhëroheshin. As gishtërinjtë e duarve. M’u prenë këmbët dhe rashë në dëborë. U zgjova afër mëngjesit. Ndjeva me gëzim se gjatë orëve të gjumit më kishte shpëtuar zoti. Zhytja në dëborë më kishte shpëtuar nga ngrirja.

Hëna lart, si një pëllumb i bardhë, lundronte e vetmuar. Nisi të fryjë erë. M’u desh të futesha sërish në strehën time të dashur. Prita aty gjatë gjithë ditës. Provova disa herë të kërkoja ndihmë, por më kot. Kohën e kalova si munda, duke u marrë me thellimin e gropës e duke rregulluar mjedisin përreth

* * *Kur u përmenda e pashë veten në krevatin e një spitali. Pranë krevatit qëndronin shokët dhe ime shoqe. Më uruan të gjithë për jetën time të dytë, duke më dhënë edhe një lajm të keq: mjekët kishin vendosur të më prisnin këmbën e majtë. Kanë kaluar njëzet e shtatë vjet. Tani fëmijët na janë rritur dhe kanë shkuar në punët e tyre. Të dy në Amerikë. Unë dhe gruaja kemi mbetur vetëm. Të dashuruar si atëherë, kur punoja si gjeolog në zonat e Pikës. Shumë gjëra nuk kam mundur t’i rregulloj. Apartamentin e kam të vogël, 62 metra katrorë. Kam pasur shumë dëshira në jetë, si për shembull: të kisha një apartament pak më të madh; të kisha një studio… sikur të kisha një pension më të mirë, të kishim mbajtur njërin prej fëmijëve. Para ca viteve m’u dha titulli “Doktor i shkencave gjeologjike”. Tani unë e di se çfarë i duhet një njeriu në jetë: Të ketë një shtëpi të ngrohtë… t’i dojë njerëzit… dhe të jetojë gjatë.