Mos më mundo më kot, nënë!
Mos më fol
për pranverë,
lule,
qiej të kaltër,
zogj,
mirësi!
Mos më gënje, të lutem,
as për Mujër, Halilër,
që kasaphanën ta ndërrojnë me kasaphanë,
Për engjëj çengelë,
ku varur rrinë kombet,
si lopë të rrjepura, me miza ndër zorrë!
Mos më gënje, zemër!
Të paktën ti …
Këndo miku im
Këndoje miku im i panjohur
këngën që e preve në mes,
këndoje
derisa të plasin shkrepat e
era të thyhet kristaleve të vdekjes,
këndoje
derisa malet të thërmohen
e lumenjtë të ngrihen uragan
dhe lisat të shemben
e bari të rritet vigan.
Këndoje
derisa qiellin të mbyllësh në grusht
e me grushtin tjetër globit t’ia ngjeshësh,
këndoje
derisa zhuri të kthehet në vaj
e burrat e dheut të qajnë.
këndoje
miku im i panjohur
këngën që nuk ta shkrova kurrë!
U JAP NJERËZVE SHANSIN E FUNDIT
Larg do të iki.
Larg kohës,
Larg tingullit,
Larg dritës,
Larg jetës.
Në inekzistencën
E çastit,
Qetësisë,
Errësirës,
Në abstraksionin e humbjes,
për të mos kuptuar asgjë.
Nga ligësia juaj naïve,
nga hipokrizia e lindur.
Më pas do të kthehem,
e
në qofshi
siç jeni,
rishtaz do të shkoj
për të mos u kthyer kurrë më.
–
ORËT KANË MBETUR
Orët kanë mbetur qysh ditën që unë vdiqa.
Hija e lavjerrësit,
prej shekujsh e palëvizshme,
shtrihet mbi kalendarin,
prej ku fletët gjithë janë grisur.
Ka mbetur
veç kartoni i bardhë i zhgënjimit.
I bardhë
si çarçafët e një krevati të rrëmujshëm,
të palëvizur që nga dita
e Dashurisë.
…
Orët kanë mbetur,
që kur s’je më ti.
“G…”
E dija, patjetër e dija
që një ditë mund të vinte si kjo!
Më kot u mundova t’i fshihem
dhe kur ikën të gjen vetë ajo.
- Kjo është kënga e fundit për ty
nuk e di në e do dhe këtë?
Por s’mundesha ta mbaja përbrenda
s’mundesha ta lija pa zë.
Tani G. bëj si di ti!
Unë të premtoj veç një gjë:
Sido që të zgjedhësh në fund
Un do t’ vij ose iki pa zë.



















