Suplementi Pena Shqiptare/ Shqefni i Matit, atje ku flitet për origjinën e Kastriotëve

1331
Sigal

Historia e një fshati: Gojëdhëna, dëshmi dhe fakte…

Historia dhe legjendat e Kastriotëve, padyshim kanë lënë gjurmë në shumë zona të vendit. Disa të tilla, duan të tregojnë lidhjen shekullore, që ende nuk është vlerësuar siç duhet. Për të hedhur dritë sadopak rreth kësaj historie, origjinës së Kastriotëve, po i referohemi disa fakteve dhe dëshmive të siguruara nga fshati Shqefën i rrethit të Matit. Shqefni, mendohet se është fshati i parë që zotëruan Kastriotët në Mat, aty ku kishin trojet e veta dhe nga ku u dominua nga Gjon Kastrioti. Sigurisht, sot dëmtimet janë të mëdha, aq sa në vende të caktuara, është e vështirë të dallohen edhe rrënojat e dikurshme. Duket se ato nuk janë vetëm mesjetare. Gurët e përmasave të mëdha, që ndodhen në krye të këtij fshatit, flasin për një vazhdimësi, që nga një periudhë edhe më e hershme. Këtu ka shumë gojëdhëna, që janë mbartur brez pas brezi, ashtu siç është e pasur edhe toponimia që lidhet me këtë qendër të banuar. Por, këto nuk janë elementët e vetëm, që sipas banorëve, lidhen me Kastriotët. Themelet e Kishave, por edhe varreza të vjetra, dallohen edhe sot në këtë fshat. Historia është pjesë e pandarë e kësaj zone, ashtu si dhe lidhja me Kastriotët që, sipas banorëve, nuk përfundon këtu. Shqefni, është fshati më i lidhur me familjen fisnike shqiptare. Banorët mendojnë se janë pasues të Kastriotëve, e kjo për shkak edhe të regjistrave osmanë, ku përmendet edhe fisniku Mark Kastrioti. Në këtë fshat, gjysmën e popullsisë e përbëjnë fisi i Kastriotëve. Pikërisht, në këtë vend, banorët e identifikojnë si pjesë e trojeve të vjetra, ku, sipas tyre, gjendet edhe varri i nënës së Skënderbeut, Vojsavës, si dhe i shumë Kastriotëve të tjerë. Qamil Suçi, mësues dhe ish-banor i këtij fshati, shprehet se Vojsava është varrosur në fshatin Shqefën, dhe se kjo, nuk mund të ketë as edhe dyshimin më të vogël, sepse dëshmi e gjallë e këtij realiteti, është edhe varri i saj, i vendosur në krye të fshati. Për Kastriotët dhe origjinën e tyre, ka disa teza, padyshim, të gjitha të mbështetura në historianë dhe autorë të ndryshëm.

Së pari, Shqefni i Matit, ndodhet në pllajën e një bjeshke, që është zgjatim i vargmalit të Skënderbeut. Mund të bazohemi edhe në disa fakte të tjera: Atje ndodhet një sipërfaqe toke e konsiderueshme, ku banorët e quajnë ”Ligjatë”, ku në atë vend, kishin ngordhur me qindra bagëti të barinjve të Skënderbeut, për shkak të një sëmundje, e thënë ndryshe, diarreja e bagëtive. Në krye të fshatit ndodhet edhe një vend, që quhet ”Kuilare”, e cila sipas banorëve, vjen nga fjala ”Kolerë”, sepse në atë vend, kishte pllakosur sëmundja e kolerës, e ku kanë vdekur me dhjetëra njerëz, e që i kanë varrosur në varrezat e Markajve. Në këtë vend të quajtur ”Kuilare”, thuhet se ka qenë një qytezë, ku ka banuar fisi i ”Markajve”. Po në krye të këtij fshati, ndodhet edhe një vend, që quhet ”Stane”, thuhet se këtu, barinjtë e Skënderbeut, kanë vendosur stanet e bagëtive. Gjithashtu thuhet edhe për ardhjen e fiseve ta para në këtë fshat, si Vlashi, Xheli, Çemalli, Zylfi, Çollaku, Kurhani, madje, thuhet se njerëzit e njërit nga këta fise, ishin ”Magjypët” e Skënderbeut Në fshatin Shqefën të Matit, thuhet se Gjon Kastrioti ka pasur një banesë princërore për familjen e tij, ku ka lindur dhe djali i tij i fundit. Ky fakt bëhet i besueshëm, duke marrë parasysh edhe faktin, se fshati Shqefën, ishte një vend i mënjanuar, e që nuk e zinte rrugë – kalimi me rëndësi nga Kruja, nga fusha e Tiranës dhe nga Dibra, duke shmangur kështu, ndoshta edhe ndonjë eventualitet ofensiv të ushtrisë osmane. Thuhet, se këtu, ka pasur edhe disa fortesa për mbrojtje. Në Shqefën, ndodhet një ledh gërmadhash, ku, siç thonë fshatarët atje, në atë vend ka qenë ”Kulla e Skënderbeut”, që i shërbente këtij të fundit, kur vinte për të parë pronat e për të mbledhur të ardhurat. madje, ai kalonte edhe me ushtrinë e tij. Veç gojëdhënave dhe emrit të fisit “Kastriot”, që ndodhet në fshatin Shqefën të Matit, ka edhe shenja të tjera, vërtet konkrete, siç janë: ”Burgjet e hutrës” ose ”Pylli i hutrës” dhe ”Mbeturinat e gërmadhave” të “Kullës të tendës së Skëndërbeut”. Për ”Burgjet e hutrës” ose ”Pylli i hutrës”, thonë, se ndodhet një vrimë e madhe, e ndërtuar brenda në tokë, në formë guve, ku siç thonë fshatarët, këtu në këtë vend, barinjtë e Skënderbeut, mbanin bulmetrat, që siguronin nga numri i madh i bagëtive që kishin. Ndërsa një gojëdhënë thotë, se ky fshat, ka qenë pronë e Skënderbeut, për arsye të emrit që ka pasur fisi Kastriot i Shqefnit, që banonin në një Lagje më vete. Që kur dolën në dritë veprat madhore të Barletit, përcaktimi matjan i origjinës së Kastriotëve, ka marrë përcaktim kryesor, se në veprat e tij, gjenden shumë raste ku ai përcakton origjinën Matjane të Kastriotëve. Edhe disa historianë të tjerë thonë, se është Shqefni i Matit origjina, e për këtë, ka dhe disa fakte të bazuara në studimet dhe gjurmimet, në mënyrë të veçantë toponimet, legjendat dhe gojëdhënat rreth vend-origjinës së Kastriotëve, që kanë përcaktuar se Kastriotët ishin nga fshati Shqefën i Matit.

Përgatiti: Ferit Metuku