Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Një histori me qen

379
Sigal

Kjo që do të tregoj tani duket e pabesueshme, por edhe sepse të vjen për të qeshur kur e dëgjon. Ja si ka ndodhur.  Ela ishte fëmija i vogël në familjen Matraku që banonte në B. Si mori maturën me nota shumë të mira, ajo bëri kërkesën për të vazhduar studimet e larta për farmaciste. Në shtator i ati e përcolli vetë me autobusin e linjës dhe ndenji në Tiranë gjersa vajza u sistemua në konvikt. Mirëpo, nuk kaloi shumë dhe Ela nëpër telefona, filloi të ankohej; jo nuk kemi ujë, jo nuk kemi drita, jo s`e ha gjellën me spinaq e ku di unë. Babai duke ditur se asaj në shtëpi nuk i kishte munguar gjë dhe me merakun se mos këto ndikonin në mësime, e pyeti të bijën se si bënin shoqet e saj. Ajo i shpjegoi se shumë prej tyre, natyrisht ato që i kishin mundësitë, kishin marrë ndonjë shtëpi me qira, duke u bërë tri a katër vajza bashkë që të lehtësoheshin në pagesë. Gatuajnë vetë dhe gati aty -aty dalin. Atëhere i ati, i tha t`a shihte dhe ajo këtë mundësi, duke marrë ndonjë apartament të përshtatshëm së bashku me ndonjë shoqe. Ajo e qetësoi, duke i thënë se të tilla ka plot. Ela këtë punë e bisedoi me një shoqen e saj të ngushtë që quhej Ina dhe pyetën poshtë e përpjetë, gjersa më në fund, vendosën që të merrnin një apartament që përbëhej nga një dhomë e kuzhinë dhe që ishte jo larg konvikteve. Këtu ishin për bukuri; të tëra i kishin. Vetëm për të gatuar, gatuanin vetë. Por Ela nuk përtonte për të gatuar. Kurse pazarin më shumë e bënte Ina që studionte për piano. Ajo lëvizte më shumë se i duhej të shkonte ç`do mbasdite në Konservator për të studiuar. Ela shpesh mbetej vetëm. Ajo kishte kohë të studionte e qetë, të shihte televizor, madje edhe të shëtiste.  Një ditë, të dyja shoqet, teksa ishin ulur në një lokal të ri, për të pirë diçka, u takuan me dy shokë, njëri nga të cilët ishte i afërm i Inës. Shoku i tij që ishte inxhinier aviacioni, ju duk Elës shumë tërheqës. Ai ishte i kulturuar, fliste bukur dhe mbi të gjitha; i pa martuar. Edhe emrin e kishte shumë interesant, Adonis. Ela nuk ja zuri me gojë askujt simpatinë për të. Madje edhe vetes deshi t`i mbushë mendjen se në këtë moshë dhe sidomos në kryeqytet, këto gjëra ishin të zakonshme, kështu që nuk kishte përse ta mbante mendjen tek ai djali me atë emrin që në asgjë nuk të kujtonte një oficer të aviacionit. Me kalimin e ditëve, Ela nisi të mërzitej. Po e mbyste monotonia dhe vetmia, ndaj u kujtua për qenin e saj që e kishte lënë atje në B. I vinte për të qarë tani që sillte ndërmend ndarjen me të. Edhe ai, kishte dalë për ta përcjellë. Rrinte i strukur mënjanë dhe nuk ndihej. Si duket edhe ai e kuptonte se ajo po shkonte diku larg, për një kohë të gjatë. Pse të mos i them babait që të ma sjellë këtu qenin, mendoi. Dhe sa foli me të në telefon, ju lut që kur t`i jepej mundësia, le ta sillte qenin tek ajo. Nuk vonoi shumë dhe ai, me makinën e një shoku që e bënte shpesh atë rrugë, ja çoj qenin së bijës. Veç t`i shihje se sa u gëzuan të dy; dhe ajo dhe qeni. Se qeni nuk e harron kollaj atë që do. Atë nuk e mbante vendi; i hidhej Elës në gjoks, duke tundur bishtin. Përkëdhelej tamam si një fëmijë. Edhe Ela i fërkonte ballin dhe i thosh “Djali, djali”. Qeni ishte trup vogël, leshtor dhe i bardhë si bora. Dy gurë bashkë nuk i linte. Gjithmonë në lëvizje, ai i jepte gjallëri gjithë shtëpisë. Nuk hante ç`do gjë ai qen. Prandaj Ela kujdesej t`ja blinte ushqimin në supermarket. I vuri një fjongo të kuqe në qafë dhe kjo e bënte Inën të shkrihej gazit  Ela u gëzua, por dhe u çudit, kur një drekë Ina i tha se kishte takuar Adonisin dhe ky e kishte pyetur për të. Ajo e siguroi se ai nuk e kishte pyetur fare kot. Madje, kishte dashur të dinte më shumë rreth saj dhe i qe lutur që ta merrte për të parë spektaklin që jepej atë natë për konkursin e bukurisë. Ela nuk kishte asnjë arsye që të mos e pranonte këtë ftesë. Për më tepër ndjehej e lumtur që ai djalë simpatik, nuk e kishte harruar. Në mbrëmje u takuan para hyrjes së pallatit të Kongreseve. Pasi u përshëndetën, u futën brenda. Zunë vendet duke e futur Adonisin në mes. Ela gjatë tërë kohës ndjente frymëmarrjen e tij dhe erën joshëse të parfumit që ai kishte përdorur. “Ja kështu, tha me vete, nisin ca punë të mëdha”. Intuita i thoshte se po niste për të diçka e re dhe e panjohur më parë. Diçka që do të ndryshonte gjithë jetën e saj. Dhe vetëtimthi mendja i fluturoi tek i ati. Po ai? Shfaqja mbaroi vonë dhe vajzat duhej të ktheheshin sa më parë në shtëpi. Adonisi qeshi kur ato refuzuan të pinin ndonjë gjë, me arsyrtimin se i priste qeni. I përcolli deri tek dera e shtëpisë dhe u ndanë duke thënë “Natën e mirë”, por në një mënyrë sikur do të takoheshin sërish të nesërmen.   Nuk kaluan dy ditë dhe Ela u takua vërtetë me inxhinierin. Në fillim gati nuk e njohu, pasi ai tani ishte veshur ushtarak. Kjo e çuditi në fillim Elën, që nuk ndenji pa i thënë se uniforma të shkonka shumë. Ajo përsëri ndjeu aromën e atij parfumit që ai kishte përdorur natën e shfaqjes dhe kjo sikur e afronte më shumë me të. Dukej qartë se djali, nuk kishte kaluar andej aq rastësisht dhe se nuk kishte ndërmend të largohej aq shpejt. Ai se si e vërtiti bisedën dhe me arsyetimin se ishte i lodhur, i tha Elës se një kafe nuk do i bënte keq. Ajo, se si i shpëtoi dhe tha si me shaka: “Sidomos kur pihet me një vajzë” Aty për aty, ai ja ktheu: “Le pastaj kur vajza është e bukur”. Gati instinktivisht Ela pyeti:”Sa e bukur”? “Më e bukur se ato që pretendonin kurorën atë natë”, u përgjigj ai krejt i shpenguar. Kaq kishte qënë puna. Fare e thjeshtë. Pastaj, si kishin hyrë në lokalin aty pranë, që në atë orë thuajse ishte fare bosh, kishin folur me njëri tjetrin, sikur njiheshin prej vitesh. – Adonis. Nga vjen ky emër? – pyeti pa pritur Ela.  – Nga fenikasit. Dhe a e di se ç`do të thotë?   – Jo. Nga ta di.  – Mësoje; do të thotë sundimtar. – Sundimtar zemrash? – Aspak. Sundimtar i një zemre të vetme.   Ela bëri sikur nuk kuptoi. – Mos është ai Adonisi që kam parë nëpër albumet me pikturat e Rubensit dhe Ticianit?  – Po ai është. Edhe Veroneze e ka pikturuar atë. Ti që paske interes për pikturën, do kesh dëgjuar për Paolo Kaliarin, se kështu quhej ai, mjeshtrin e ngjyrave të çelura dhe të harmonisë që është marrë gjatë me motivet mitologjike, atje ku ishte, në Venecia. Madje, ai ka realizuar një pikturë murale, në Pallatin e dozhëve, me temë nga luftrat e shqiptarëve kundër turqve osmanllinj. Ela ndjehej mirë teksa e dëgjonte atë që kishte emrin e heroit të tabllove që kishte parë dhe që ishte i bukur njëlloj si ai. Dhe duke dashur që ta dëgjonte sa më shumë, pyeti përsëri:  – Po pastaj? Si pastaj? Si i vajti filli këtij sundimtarit të fenikasve? Me të vazhdoi historia më e çuditëshme. Atë e mori Afërdita, po për ta rritur ja dha Persefonit, mbretëreshës së nëntokës, e cila u dashurua me të. Por me të kishte rënë në dashuri edhe Afërdita që u ankua tek Zeusi. Dhe Zeusi e di se ç`vendosi? Gjysmën e vitit djali i bukur ta kalonte në tokë me perëndeshën e dashurisë dhe gjysmën nën tokë, me Persefonin. Ela dëgjonte dhe s`fliste. Kur Adonisi heshti një çast si për t`u shplodhur, ajo hapi gojën: Edhe? Edhe…kjo gjë, pra dashuria e Afërditës për të, ngjalli xhelozinë e perëndive të tjera që e adhuronin atë. Kështu që për hakmarrje, ato e plagosën për vdekje.   Kë, Adonisin? – i erdhi keq Elës. Po Adonisin. Dhe për ta përjetësuar kujtimin e tij, Afërdita, kulti i së cilës, gjithashtu kishte ardhur tek grekët nga Lindja, prej fenikasve, urdhëroi që nga gjaku i tij të rritej anemona.  Ç`është kjo? Nuk ke dëgjuar? Eshtë lulja e parë por dhe më jetëshkurtra e pranverës.  Ku kanë dashur të dalin grekët e vjetër me këtë histori? Ç`do histori, ose më drejtë ç`do mit, e ka një qëllim. Ata me mitin e Adonisit, kanë dashur të shprehin përfytyrimin për perëndinë që vdes dhe ringjallet ose më saktë, me vdekjen e natyrës në dimër dhe ripërtëritjen e saj në pranverë. Kur inxhinieri, duke u kujtuar për kafenë që tani ishte ftohur, ngriti filxhanin, Ela si e hipnotizuar prej tij, si nëpër tym i tha: Të gjithë ata që e kanë emrin Adonis, kanë dy dashuri? Aspak. Unë për shembull, kam një dhe vetëm një: atë vajzën që më la pa mend, atë ditë kur u takuam për herë të parë, ndërsa ajo rrinte me shoqen e saj ulur në një tavolinë të atij lokalit të ri.

Ela u ndje e turbulluar, por ky ishte një turbullim i këndshëm, drithërues dhe i paprovuar për të. Kështu që s`ndenji pa e vazhduar më tej këtë lojë: Por mos del parashikimi i të vjetërve, dhe ashtu si anemona edhe dashuria e tij është më jetëshkurtra lule e pranverës? Kurrë! – vetëm kaq tha ai, por u duk se i foli shpirti dhe kjo qe e mjaftueshme. Po mos vallë, fati i tij do të jetë tragjik si i Adonisit të mitologjisë?Tani oficeri u mendua. Pa diku tutje dhe foli me zë të ulët: Veç kësaj nuk i dihet. Fati mund të jetë i mirë, por dhe i keq. Atë e kanë thënë ato tri motrat, Fatitë që grekët i quanin Moira. Njeriu për mirë mundohet, por jeta ka të papritura. Rëndësi ka të tregohesh i fortë dhe mbi të gjitha i sinqertë me atë që do. Duhet besuar tek e mira. Ela kur e pa se nuk kishte ç`ta zgjaste më këtë bisedë, tha: Për sot, zoti profesor, mjafton me kaq. Shkojmë tani dhe më thuaj kur do të shihemi përsëri. Të dy të lumtur dolën nga lokali, ku ishte vendosur në një mënyrë mjaft origjinale, e ardhmja e tyre. Vazhdoi kjo histori, disa muaj. Kuptohet që mardhënjet e tyre i mori vesh e para Ina, e cila u gëzua sinqerisht. Por dashuria e tyre nuk mund të rrinte gjatë e fshehtë. Tani Adonisi dilte me Elën dhe shpesh shkonte në shtëpinë e saj. Ndodhte që kur Ina ishte e larguar nëpër koncerte brenda a jashtë shtetit, ai edhe të flinte aty. Në fillim e pati keq me qenin. Ai egësohej kur vinte Adonisi. Shkonte e futej poshtë divanit dhe nuk dilte pa ikur ai. Por me kohë, ata u miqësuan. Dhe ai tani gëzohej kur e shihte në derë. I hidhej në prehër dhe rrinte aty deri sa e zinte gjumi. Ela e kuptonte se më gjatë nuk shkonte kjo punë. Edhe Adonisi ishte i mendimit që në pushimet e verës, duhej ta kërkonte në shtëpi se duke u fejuar, s`kishin përse të silleshin më si ilegalë. Pastaj nuk ishte serioze që prindërit e Elës, ta mësonin këtë nga të tjerët. Se fundja Shqipëria kaq ishte.  Ela, meqënëse ishin afruar provimet, i tha të atit që kishte ardhur për ta parë, që ta merrte dhe qenin me vete, pasi ajo nuk kishte se si ta sillte kur të vinte me pushime në B. Për dashurinë e saj me Adonisin nuk i tregoi gjë. Kishte frikë se ai do t`i thoshte , se ne të kemi çuar për studime e jo për dashuriçka. Prandaj paske dashur ti, të mos rrije në konvikt? Ndaj ajo e la që fillimisht ta bisedonte me të ëmën kur të shkonte në shtëpi.  Me të mbruar provimet, Ela i hipi autobusit dhe shkoi në B. E kishte marrë malli për të gjithë. Edhe për qenin që kishte tri javë pa e parë. Ky nuk i ndahej për asnjë minutë. Atë natë jo, por të nesërmen Ela ja tregoi me hollësi të ëmës dashurinë e saj për Adonisin. Ajo në fillim u lebetit; mos thotë yt atë ç`janë këto që na bën. Ne presim rezultate të larta prej teje, dhe po u fejove, shkuan e vanë mësimet. Ti je e re dhe ke kohë boll për fejesa e martesa. Por kur e ëma e pa se nuk kishte nga t`ia mbante, ashtu larg e larg, ja molloisi të shoqit gjithë sa i tha e bija. Çuditërisht ky nuk bëri fjalë. Pyeti ç`është ky dhe vetëm kaq. Si kaluan nja dy ditë, ai e thirri të bijën dhe i tha se kur kanë ndërmend të vinë. Ajo i tha se ata presin përgjigje nga ne. E lanë që të dielën e ardhshme, t`i prisnin. Ela e gëzuar, njoftoi në telefon Adonisin Të dielën, në orën e caktuar, krushqit erdhën. Ishin pesë vetë; prindërit e djalit, xhaxhai,  një që e kishin marrë edhe si shofer dhe Adonisi. Kur hynë në oborr, Adonisi qëndronte në fund të rreshtit. Me kokën ulur, ai sepse dukej si i zënë në faj. Në të vërtetë ai kishte një farë turpi që zakonisht e kanë të gjithë dhëndurrët, para të panjohurve. Mirëpo tamam tani që s`duhej atij ju turr qeni që deri atë kohë nuk po ndihej. Të tërë u trembën se mos e kafshonte, ndaj u habitën kur panë se ai i hidhej miqësisht dhëndrrit. U mor vesh se ata kishin miqësi të hershme. Ela e shtangur mendoi me vete; ndofta nuk e ka vënë re babaj këtë skenë. Por ishte gabuar: babaj kur i erdhi radha të takonte Adonisin, i tha që ta dëgjonin të gjithë:  – Po qenkeni munduar më kot or miq për të kërkuar dorën e vajzës time. Se juve u a paska dhënë fjalën me kohë qeni.  Tani Elës gati i pushoi zemra. Ajo e njihte zëmërimin e të atit, kur e gënjenin. Tamam atij që i ishte ruajtur, nuk i kishte shpëtuar dot. Menjëherë i doli para sysh ajo lulja me emrin e pa dëgjuar, Anemona, për të cilën aq bukur i kishte treguar Adonisi, dhe që ishte lulja e parë, por dhe më jetëshkurtra e pranverës. Mos vallë dhe dashuria e saj ishte paracaktuar nga ato tri Fatitë, për të patur fatin e asaj luleje. Dhe a duhej të besonte tek ringjallja. Por siç u pa pas pak, ishte trembur fare kot.