Suplementi Pena Shqiptare/ Sefedin Çela: Vdekja e paqtë e Esat Pashës tjetër

118
Sigal

“Paska vdekur Esat Pasha,- më thotë duke pirë kafen e mëngjesit miku im Bashkim Koçi ,- e dije?”

Këto vite kam humbur shumë njerëz të dashur, them se jo për të njëjtat rrethana e as për të njëjtat arsye kam humbur diçka dhe te vetja e ndoshta jam bërë cinik.

“ Po atë sikur e vrau njëherë Avni Rustemi, i thashë, ka vdekur së dyti?”

Kishte vdekur një mjek nga anët tona me të njëjtin emër, një vit më i ri nga unë, pa tituj, grada e shirit gjeneralësh, por për atë që kishte bërë në jetë, në atë rreth ku e njihnin e i njihte të gjithë, – të gjithë e donin. Po ta kisha njohur do ta kisha dashur dhe unë e humbjen e tij do ta ndjeja shumëfish.

Në fb pashë foton e tij, poshtë fjongos me ngjyrën e zezë. “Me gjithë ato mirësi që ke bërë ti, me ato urime që ke marrë prej njerëzve, duhet të rroje edhe 100 vjet të tjera, Esat!”, -shkruante miku ynë i përbashkët Zyloja, sikur ta kishte para syve. Mund të shkruante dhe Esat Pasha plot gojën, po duket është drojtur nga hija e atij tjetrit…

Këtë Esatin tonë, që e donin e nuk e urrente kush e rrëmbeu tinës covid 19. Njerëzve të mrekullueshëm si ai u detyrohemi vemendje e mirënjohje për së gjalli e deri në fund të jetës . Po për të u postua një fjongo e zezë në fb, shprehën aty dhimbje e ngushëllime miq e shokë feisbuku e kaq.

Për fat të keq shoqërinë tonë e shurdhojnë zile të tjera…

Ka disa kohë që mediat i janë kthyer atij Esatit tjetër, Pashës me uniformë me shirita e grada gjenerali, duke i kthyer raportet përmbys: Avni Rustemi quhet “patriot i parave”, “vrasës me pagesë”, kur dëshmitë e kohës tregojnë se, pas aktit, sa zbriti në Durrës e deri në Vlorë Avniu u prit nga turma si hero, në një kohë kur turmat i mblidhte ç’u thoshte zemra, pa tamtame, pa parti, pa tv e portale e gazeta si sot…

Ndërkohë Esat Pasha pikturohet si nuk ka qënë, me shkrime e libra të porositur. Intelektualë me integritet ngrejnë sot zërin: -ç’po ndodh kështu, si nuk citohen ç’kanë thënë për bëmat e tij antikombëtare Eqerem Bej Vlora e Mit’hat Frashëri, bashkëkohës të tij? Si nuk kujton kush se ai vodhi si ordiner serviset e fajancave të Princ Vidit, pse pas vrasjes për një vit askush nga të afërmit nuk tërhoqi trupin e tij, që dergjej në një morg të Parisit si trupat e klosharëve ,- njerëzve pa njerëz. Pse mbeti pa varr e me varr e bëri Sërbia? Pse sot e kësaj dite mbi varr i bëhen homazhe nga zyrtarë serbë? Pse pasardhësit e tij që bëjnë sherre e gjyqe për pronat nuk kujtohen t’i kthejnë eshtrat pranë varreve të të dashurve të tyre?

M’u kujtua batuta me mikun tim për pashain me tuje, me shirita e grada, se këto ditë, në atmosferën e festës së Flamurit, na del nëpër tv një riosh nga Nisma ‘Thurje’, shthur gojën e bën çorap historinë, duke rivrarë Avni Rustemin për të disatën herë, duke kërkuar fshirjen e aktit të tij dhe emrit të tij, deri dhe heqjen e çdo përkujtimoreje e mirënjohjeje, emra shkollash, sheshesh, rrugësh për të e për gjithë të rënët edhe në luftën antifashiste.

M’u duk se iu drodhën eshtrat nën dhe edhe tim eti, që iku nga kjo botë 33 vjeç, pa arritur as të më shohë.

Doktor Esati, je pasha i vërtetë, ke bërë jetë e nuk ke marrë jetë. Ke mirënjohjen e atyre që ke njohur e atyre që kanë dëgjuar çfare ke bërë. Je në kujtimet e të gjithëve. Prehu i qetë në banesën tënde të fundit. Të qoftë i lehtë dheu i vendit që deshe.

Ndjesë që hija e atij tjetrit për një çast më turbulloi e më bëri cinik.