Suplementi Pena Shqiptare/ Sazan Goliku: Muzg vjeshte

177
Sigal

Studenti Ndriçim Begaj ishte ulur në një stol të drunjtë në lulishten e vogël anës shëtitores së qytetit (që kohët e fundit e quanin pedonale). Po priste të vinte Rozalina, e dashura e tij. Njerëzit venin e vinin të qetë mbi pllakat e mëdha të shëtitores, po ai po vërente se si matanë disa lokaleve kafenesh po shembnin me buldozerë të verdhë një shtëpi trekatëshe të ndërtuar nja një qind vjet më parë. Aty pari kaloi e qëndroi babagjyshi i Ndriçimit, një plak tetëdhjetë e ca vjeç po i mbajtur mirë. Hë more nipçe, po pushoke?! Ndriçimi e njihte mirë të folurit e gjyshit edhe pse nuk kishte jetuar në një shtëpi me të. -Po pres dikë… -Ja, po ulem pak të çlodhem, se kam dhe një mijë metra për ta kryer gjoja gjimnastikën e mbrëmjes. “Dhe ky më duhej tashti – tha me vete Ndriçimi. – Ajo dreq më le ta pres si gjynaqar.” -Hë, ç’thonë leksionet? – iu kthye plaku. -E kam lënë fakultetin, gjysh. Plaku brofi më këmbë. Hoqi syzet. Çdo gjë përqark iu shfaq turbull. I vuri sërisht, po mendja i mbeti e turbullt. Iu morën mend dhe u shemb në ndenjsen e drunjtë. -Po pse mor bir, arkitektura është nga profesionet më të bukur, është art! – mezi iu dëgjua zëri i mekur. -Do t’i futem biznesit, – tha ai me një shprehje fodulle të fytyrës e të zërit. Shokët e mi të gjimnazit e të lagjes janë pasuruar sa hap e mbyll sytë. Nuk është më koha jote; ju të moshuarit e harroni këtë. Gjyshi kishte bërë emër si piktor e pedagog i arteve figurative, por nuk kishte dashur që nipi t’i futej asaj rruge; u rrek për nipin, me të njohur e shok pas shoku, t’i dilte për arkitekturë e drejta e studimit. Nga rrapi i butë që ngrihej pas tyre ranë mbi ta ca gjethe të verdha si të moshuarit që duan nuk duan hedhin hapat e fundit. Gjëmimi i buldozerëve dhe zhurma e mbytur e rënies së mureve atje tej nuk po dëgjohej më. Hija e muzgut të vjeshtës po tërhiqej zvarr e turpëruar nga dritat e porsandezura të lokaleve të shëtitores. -Ti dashke të pasurohesh? – shfryu gjyshi. – Po pasurou po munde! – Zhgënjimi po bënte t’i dridheshin buzët. -Veç dëgjo mua plakun. – Mori frymë thellë, u kollit disa herë. Kishte një kollë të thatë e të çjerrë që i shkundi gjoksin. Heshti pak, fshiu buzët me një shami të bardhë që e nxori nga xhepi i xhaketës së vjetëruar dhe foli pa e parë nipin: – Mos më dëgjo, po dije se do të kesh shqetësime e çarravina të mëdha si mbi një varkë mes tallazit… Vetëm gjumin, gjumin e shenjtë, përtëritës do ta kesh me pakicë. Do të zgjohesh i trembur nga ëndrrat që do t’i shohësh qartë se si i ke humbur paratë e pronat në gjyqe ku gjykojnë luanët, dhelprat, hienat… Plaku heshti. Diçka si lëng i thartuar i rrodhi përbrenda. Ndriçimit i kishte ngrirë në fytyrë një nënqeshje e pakuptueshme. “Bjeri legenit plako, bjeri se i bie mirë” – thoshte me vete, por bënte sikur e dëgjonte me vëmendje.

Plaku vazhdonte të fliste sikur po jepte leksion: – Paraja ështe e bukur. Thonë se vërtit botën… – Sërisht plaku u kollit; mori frymë thellë dhe nga fyti i doli një fishkëllimë e zgjatur. – Po, paraja është e domosdoshme, e dobishme aq sa për të jetuar si njeri dinjitoz. Kur fitohet me djersë, ajo kthehet në ar. Yt atë ende… Gjysh e tepërove! – U hodh përpjetë Ndriçimi. – Unë dua të jetojë, ti më përallis si prift i ngeshëm! Po fëmijëve të mi, çdo t’u lë, leckat e trupit dhe pallatet e fabrikat e të tjerëve që do t’i projektoja e do t’i ngreja si arkitekt? Plaku u ngrit më këmbë duke u dridhur. I ktheu kurrizin nipit dhe humbi mes njerëzve që po shëtisnin me nge në atë muzg të shuar.

“Ndoshta e kam gabim – tha plaku me vete. – Bota lëvis, po nuk e kuptoj. Ecën përpara apo unë eci mbrapsht?” U përkul, mori një gjethe të verdhë plepi nga pllaka ku po kalonte dhe u mundua ta shihte. – Shoqja ime, -i tha, – dua të të pikturoj. Në atë çast i ishte fshitur mbllefi që i solli nipçja. Atje te stoli i drunjtë Ndriçimin nuk po e mbante vendi vend i nervozuar nga padurimi e sedra e squlltë. Po kalonte çerek ore që Rozalina nuk po dukej. -U vonova pak, po e dija që do më prisje, – i doli ajo përpara. – Çou, pra, pijmë diçka te klubi “Vesa e rrumbullaktë”, (anglisht) pastaj shkojmë në kinema. Shfaqet një film erotik me X-in. Ndriçimi u qetësua si me buton, po nuk e la pa ja thënë ftohtë: – Pse u vonove? -Takova një shoqe. Ç’është e vërteta ajo dërdëllit pak si tepër, po më tregoi për një byzylik që ka ardhur këto ditë te shitorja “Dielli i blertë”. (anglisht) – Duke ecur asaj nuk po i mbyllej goja. Ishte ende maturante. Veshja me minifund ngjyrë mishi, me taka të larta e bënte të dukej më e madhe seç ishte. Flokët e prerë si djemtë ia nxirnin më shumë në dritë fytyrën e lëmuar bardhoshe, me pak të kuq në buzët e plota që të kujtonte një lule plastike.-Duro deri sa të marrë maturën, i dashur, i tha ajo. – Babi më premtoi. “Kur të ma sjellësh diplomën e maturës, do të blej një veturë fringo.” Fantastike! Që tash po mendoj se ku do të shkojmë bashkë. Ç’aventura të mrekullueshme na presin! Që nesër shko regjistrohu në kursin për patentën e makinës. -Ky qenka lajm! – mezi e përmbajti entuziazmin Ndriçimi. Shtrëngoi fort krahun e butë të vajzës. Dhe qëndroi. -Yt atë është burrë i ditur, – tha ai me ton burrëror. -Jo, ai ësht tepër inteligjent, nuk ia hedh askush, madje as mami, – qeshi ajo. – Kjo nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka që ai ka ditur të bëhet ai që është. Ka bisnese në çdo cep të vendit. Mielli që ai blen e shet, që importon e eksporton bëhet bukë, bukë. Të gjithë ne, të varfër e të pasur hamë bukë tri herë në ditë. Atij nuk po i pushonte goja. Donte të thoshte atë që nuk i duhej thënë vajzës, prandaj nisi të rrotullonte fjalët. Mundohej ta kyçte ngazëllimin që po i vlonte përbrenda dhe ndjeu që ishte skuqur në fytyrë. -Nesër është e shtunë, – e ndërpreu ajo. – Shkojmë në plazh? Një shoku im i klasës ka veturë. Do të marrim dhe të dashurën e tij. Si thua?

Ai sikur e përmblodhi disi veten. – Meqenëse ta ka ënda të shkojmë, shkojmë, edhe pse uji i detit në këtë kohë është i ftohtë. -Ka diell, ka diell, – përplasi duart ajo. Ndriçimi i hodhi krahun e djathtë rreth qafës dhe puthi në faqen e freskët. Ajo e shtrëngoi përmesi. Kaluan në rruginën mes Orës së Madhe (që kishte kohë që kishte ngecur) e Xhamisë së Et’hem Beut që po restaurohej dhe dolën në sheshin e Heroit. Një erë e lehtë nga veriu bëri t’i shkojnë Rozalinës mornica nën minifundin ngjyrë mishi.