Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Zakone Shqiptare

192
Sigal

Pesë vjet më parë atij i vdiq gruaja. E qau me lot,- thanë ata që iu gjendën pranë. Unë nuk pata mundësi me shku në varrim. Por nja një vit më vonë ia vura një tufë me lule te varri i të shoqes. I çova fjalë se i vura tufën me lule te varri i të shoqes. Ia dëshmova me fotografi. Zotnia tha:– Nuk më duhen ato lule. Pse ma çon atë fotografi? Edhe ime shoqe nuk do t’i kishte pranuar… Tani, pas pesë viteve! Ai edhe unë jemi te dy ballë për ballë. Në një tavolinë, në një sallë ku jepet një darkë si përshpirtje për dikë që ka mbushur dyzet ditë qëkur ka ikur nga kjo Botë. Unë: – Pse nuk i pranove lulet që të solla te varri i gruas? Ai: Të mos e hapim këtë bisedë këtu. Nuk është vendi. Nuk është as koha. Unë: – Po ky është një rast ideal se jemi ballë për ballë. Ose do të më provosh mua pse unë nuk e meritoja t’i vija lule te varri i gruas tënde, ose do të të provoj unë ty se ti je mosmirënjohësi më i madh në këtë Botë: domethënë ai që refuzon lule në varreza… Ai heshti. Heshti si fija e barit. Se ndoshta kishte kujtuar se nuk do takoheshim kurrë më në këtë Botë. Se ndoshta kishte kujtuar se mund të takoheshim vetëm në Botën tjetër dhe se lulet e njoma, që vura unë në varrin e gruas së tij do të thaheshin pa e marrë vesh kurrë të vërtetën. Kur darkës së përshpirtjes po i vinte fundi unë i mora leje të zotit të ceremonisë mortore të thosha diçka. – Po – tha i zoti i ceremonisë- je krejt i lirë ta thuash çfarë ke për të thënë. Si e falenderova të zotin e ceremonisë fillova të flas, të thuash sikur po nxirrja një shkulm llave prej shpirti. – E shihni këtë burrë që kam përballë? pyeta duke ia drejtuar atij gishtin tregues! Në sallë ra një heshtje prej varri. Pastaj vazhdova. – Unë që ta dini ju zotërinj dhe zonja të nderuara, që u mbledhshim për të mira pas kësaj dite, kur i vdiq e shoqja këtij zotnisë, nuk pata mundësi t’i shkoj në varrim. Por, pas një viti vajta dhe i vura lule në varrin e saj. Ky! Pikërisht ky zotnia përballë, i refuzoi ato lule. Madje, pati edhe trimërinë t’i refuzojë edhe në emër të të ndjerës grua të tij… – Kjo është e padëgjuar, unë kurrë nuk kam dëgjuar të refuzohen lulet në varreza,- tha i zoti i ceremonisë së dyzetave. Një si zhurmë habie, një pasthirrmë e njëtrajtshme ” ouuuu” pushtoi sallën. – Të më falni që iu pështjellova shpirtërat tuaj. – thashë unë duke e mbyllur fjalën time- Thjesht desha t’ju pyes edhe ju: – A duhet të ma provojë ky burrë përballë meje se pse unë nuk e meritoja t’i çoj lule te varri i gruas, apo unë e damkoj kot më së koti këtë si mosmirënjohës …I zoti i ceremonisë heshti një copë herë, pastaj tha me zë të lartë që ta dëgjonin e gjithë gjindja aty: – Tani, qëkurse jam lerë dhe sa dij unë, nuk ka bërë vaki që një përshpirtje si kjo e sotmja të kthehet në gjyq. Kështu as këtë të sotmen nuk do ta kthejmë në të tillë. Por, ajo që mund të them unë është se nuk dij të hyjë në zakonet shqiptare refuzimi i luleve në varreza. Se, ja edhe ne të gjithë që jemi ulur në këtë darkë, sapo jemi kthyer nga varrezat. Dhe unë, askujt, larg qoftë, as që më shkoi ndërmend t’ia refuzoj lulet për tim atë… Me kaq u mbyll ajo darkë përshpirtjeje. Në sallë frymoi paqja, a ndoshta m’u duk mua ashtu ngaqë dikush u kujtua të fliste për zakonet shqiptare…