Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Unë nuk jam veteran

505
Sigal

Unë nuk jam veteran

Sami Milloshi

Miku im James Miele, (Xhejms) ka bërë me makinën e tij dyqind e pesëdhjetë mijë milje. Nga këto,vetëm njëzet mijë milje i ka bërë për veten e tij kur e bleu atë pasi u kthye nga lufta në Afganistan. Dyqind e tridhjetë mijë milje të tjera i ka bërë për të tjerët, falas. Të tjerët janë veteranë të luftës si ai, por me një ndryshim që vetëm ai e di. Ata,nuk kanë mundësi të ngasin makinën të shkojnë tek doktori kur kanë takime me të. Dikush ka humbur këmbën e djathtë dhe nuk e shtyp dot pedalin e frenave apo atë të gazit. Dikush tjetër ka humbur njërën dorë dhe, pa njërën dorë nuk mund ta mbajë timonin e makinës. Ndonjëri nuk sheh, sepse ka humbur njërin sy dhe nuk sheh tabelat e rrugëve… Sekush prej tyre,e ka një hall që nuk e lejon të ngasë makinën. Plus hallit tjetër që më mirë se ata e di doktori. James Miele ka dhjetë vjet që shërben për ish-shokët e tij të luftës si shofer taksie pa i kërkuar kërkujt kurrfarë pagese. Thjesht se ashtu ka dashur vetë, jo se e ka detyruar kush. Unë këtë e kam dëgjuar nga goja e tij, se e kam komshi në Ralston, qëkurse unë bleva shtëpinë e parë dhe u bëmë fqinj. Kur u kthye ai nga Afganistani,unë sapo kisha mbjellë tri fidanë pjeshke. Vitin e parë dhë të dytë pjeshkët nuk bënë fruta. Ama, në vitin e tretë, sa nuk i thyen degët nga pesha e pjeshkëve. Shumicën e pjeshkëve m’i hanin ketrat, por mbetej edhe për ne. Gjithë çfarë mbetej unë kisha dëshirë t’ia jepja Xhejmsit. Ndonjëherë ia lija tek pragu i shtëpisë së tij shportën me pjeshkë. Por kishte edhe raste që i hanim bashkë, kur e ftoja të pinim ndonjë Budlight në ballkonin e pas shtëpisë sime. Një pasdite, nga ato pasditet kur frynte një puhi e ëmbël prej lumit Misuri, teksa po rrekeshim duke përtypur pistachio dhe pjeshkë, Xhejmsi bëri një pohim të çuditshëm, duke m’u drejtuar mua sikur të ishim në shesh lufte:

– Ti mund të ishe një ushtar i mirë në luftë.

– Po pse?- e pyeta unë.

– Sepse të kam vënë re qëkurse i ndan me mua pjeshkët e oborrit tënd.

– Oh, Xhejms, ç’është ajo fjalë, po e zmadhon. Çfarë lidhjeje kanë pjeshkët me luftën?!!! Ti e di më mirë se unë…

– Ka. Po ti nuk e kupton. Ke qenë ti ndonjëherë në luftë? – – Unë nuk kam qenë në luftë James .

– Domethënë, ti nuk je veteran.

– Nuk jam James.

– Po ti më ke thënë se ke qenë gazetar në Shqipëri, në vendin tënd të origjinës, është kështu apo jo?

-Po, kam qenë, po çfarë lidhje ka kjo me luftën?

– Ka. Ke raportuar ti ndonjëherë nga fronti i luftës?

– Jo.

– Po, mirë atëherë, ke ti ndonjë peng të ma tregosh mua?

– Kam, por më trego ti njëherë ndonjë peng tëndin.

– Unë e kam peng kur më vdiq në duar Richardi, shoku im më i dashur, kur po sulmonim pranë Kandaharit dhe unë nuk arrita t’ia shpëtoj jetën.

– Kam edhe unë peng Xhejms. Kur u var një poet në mes të qytetit unë heshta.

– Ti nuk e dhe lajmin në gazetë se u var poeti, këtë do të më thuash ti, se nuk po të kuptoj?!!

– Po,unë nuk e shkrova lajmin.

– Nuk e shkrove apo e shkrove dhe editori yt nuk ta botoi në gazetë?

– Unë nuk e shkrova. Por, edhe sikur ta kisha shkruar, editori kurrë nuk do ta botonte…

– Ti vërtet nuk paske marrë pjesë në luftë.

– Ty të duket ashtu Xhejms. Por,e kam edhe unë një luftë, ndonëse nuk jam veteran.

– Për çfar lufte flet, o zotëri?

– Unë kam heshtur dhe me heshtjen time kam luftuar vëllain tim. Atë poetin që e varen në mes të qytetit. Ty të vdiq në duar shoku yt Richardi, në Kandahar, po ama ti ia shtype gjoksin dhe i dhe frymë nga fryma jote. Kurse unë i kalova përanash vëllait poet dhe heshta nga frika …

– Askush nga shokët e tu nuk shkroi lajm për poetin e varur?

– Asnjëri prej tyre.

– Unë për asnjërin prej jush nuk e luaj këmbën t’ju çoj tek doktori po të keni nevojë. Por për ty bëj një përjashtim se ma tregove vetë pengun që ke…

– Të thashë Xhejms,unë nuk jam veteran…

– E di çfarë? Mua askush nuk më detyron të përdor truckun tim dhe kohën time të çoj shokët e mi tek doktori. Unë të pyeta të më tregoje ndonjë peng tëndin, por nuk të detyrova të ma thuash pengun që ke. Ti më hape zemrën dhe ma the vetë.

– Ta thashë, sepse e ndjej se vetëm ti mund ta kuptosh pengun tim, Xhejms! – Call me any time you want to go to the doctor. I will drive for you, brother! (*) —— (*) Më telefono në çfardo kohë do ti, kur do të shkosh tek doktori.Unë do ta ngas makinën për ty,vëlla!