Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Statuja me maskë

460
Sigal

Tregim

Sikur të mos kishte rënë pandemia, askush nuk do të merrej me degën që kishte zgjedhur të studionte në universitet, Matt, i biri i zotit Roger dhe i zonjës Ruth, komshinj të mi në atë shtëpinë përkarshi, matanë rrugës. Por, pandemia ra, nuk na pyeti fare dhe, afërmendsh, as që u kujtua të pyeste se për çfarë do të studionte Matt. Matt ishte një nga ata djemtë që dikur quheshin minj të bibliotekave. Nuk kishte lënë qoshe pa shkelur në bibliotekën e Bostonit. Dhe, prej atyre qosheve i kishte lindur edhe ideja të studionte për histori.

– Po çfarë historie do studjosh ti, more karajfil? – i kishte thënë një mbrëmje vonë, i ati. – Nuk e sheh ti që edhe monumentet po shemben.

-Mos i fol djalit ashtu- kishte ndërhyrë zonja Ruth.- Tek e fundit ajo është dëshira e tij. Ai është i lirë të zgjedhë çfarë të dojë.

– Të zgjedhë çfarë të dojë, po unë nuk e paguaj asnjë cent për luks të tillë në kohë pandemie. Kujt do t’i hyjnë në punë njohuritë e tij për historinë në këtë kohë të çmendur, kur edhe monumentet qindravjeçarë po shemben sikur të qenë kështjella prej rëre. Të studionte biologji apo bioteknologji, apo diçka të ngjajshme, e po, hajde de…Për këto degë paguaj unë. Për histori, ta thashë Ruth, asnjë cent… Gjithë këtë dialog unë e mësova nga zonja Ruth në parkingun pranë shtëpisë. Ajo qe bërë tym dhe, si i thonë fjalës, ta prisje, pikë gjaku nuk i dilte. Aq shumë e kishte kapluar ankthi. Unë nuk desha të përzihesha e të mbaja asnjë anë, paçka se, me thënë të drejtën, zgjedhja që bënte i biri i tyre, më dukej paksa jashtë kohe dhe, si të thuash, për aq sa e merrja unë vesh tregun e punësimit pas studimeve universitare, edhe e dalë jashtë mode.

– Çfarë thotë yt bir? – e pyeta zonjën Ruth.- Si e mbron ai zgjedhjen që ka bërë?

– Ai na ka kërcënuar se do të na braktisë fare, nëse nuk e mbështesim në zgjedhjen e tij.

-Dhe unë gati sa nuk po çmendem. Të na braktisë edhe ai,që e kemi djalë të vetëm, e pastaj hapu dhé të futemi – tha pothuaj duke u dridhur zonja Ruth.

– Të pyeta si e mbron ai zgjedhjen që ka bërë, zonja Ruth, jo se çfarë mund të bënte nëse ju i ktheni shpinën pëlqimit të tij për të studiuar histori.

– Ai thotë se historinë po e helmojnë dhe nëse ne nuk ndërhyjmë ta shpëtojmë, do të helmohemi edhe vetë, dashur pa dashur, fare pa e kuptuar. Ai thotë se helmi do të vijë në rubinetin e ujit të pijshëm, prej të cilit nuk do të rrjedhë më ujë, por do të rrjedhë një lëng me ngjyrë, që sapo ta pimë do të ndjehemi pa kurrfarë fuqie njerëzore dhe viti do të na duket viti zero.

– Unë nuk të marr vesh zonja Ruth.

– Unë po të them çfarë thotë im bir!

Ai thotë se nëse vazhdon kjo shembja e monumenteve, ne do të kthehemi në epokën e gurit dhe shumë shpejt, sjelljet tona do t’u ngjajnë atyre të majmunëve, sepse, siç thotë ai, koha nuk do të ndahet në kohë të shkuar, të sotme dhe të ardhme, por do të ketë vetëm shqisat e ftohta të alogaritmeve.

– Shkurt fare, zonja Ruth, ju do t’ia paguani shkollimin për histori djalit tuaj, apo do t’i kurseni paratë?

-Nuk di çfarë të them, se kjo gjë varet edhe nga im shoq, Roger. Por, unë nuk dua që Matt të na braktisë, nuk dua që të mbetemi në vetmi në këtë kohë pandemie. Se larg qoftë, po të na kapë ky virus i mallkuar, të paktën, të jetë Matt e të na hedhë dy lopata dhé te varri… Si tha këto fjalë, zonja Ruth dhe unë u gjendëm përballë një statuje të vjetër që ka njëqind vjet qëkurse rri në atë shesh pranë shtëpive tona.

– I paskan vënë një maskë edhe statujës- thashë unë.

– Im bir Matt, thotë se për shkak të kësaj statuje do, që gjallë a vdekur, të shkojë dhe të studiojë për histori. Ai thotë, se nuk do që njerëzit të thonë pas pesëdhjetë vitesh se skulptori e bëri statujën me maskë, siç duket sot, nën këtë diell të ftohtë gushti.