Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Ngjitja e mbretit në skenë

98

Ç’është kjo kthetër eskavatori
që i afrohet kafkës sime,
dhe më prish gjumin?

Ah, qenkan thonjtë e paprerë të mbretit,
Mbreti qenka xheloz për paqen time!
Mbreti qenka xheloz për gjumin tim prej femije…

Mbreti dashka të më rrafshojë kujtesën
kujtesën time si nje auditor i lashtë teatri…

Thonjtë e paprerë të mbretit
ma gërryen kafkën e kujtesës
dhe ma nxorrën gjumin…
ma përgjakën kafkën ,
por auditori mbeti aty si një fëmjë
që pi qumësht në gjinjtë e Rozafës…

E pashë thonjpaprerin
si i tërhiqte zvarrë aktorët,
xheloz për famën e tyre,
kërkon të ngjitet vetë në skenë,

I vetëm kërkon të luajë
monologun e frikës nga vdekja.

Ngjitu mbret ne skenë, ngjitu,
mezi po pres ta shoh lojën tënde,
Vetë e ke shkruar dramën,
vetë je regjisori,
vetë je grimieri,
vetë je skenografi,
vetë je aktori
vetë je sufleri,
madje vetë je
edhe shitësi i biletave të shfaqjes.

Vetëm salla është bosh
njësoj si shpirti yt ,
e rrënuar poshtë gërmadhave…

Ta qaj hallin mbreti im,
as spektatorë nuk ke më,
I shtrënguar je të duartrokasësh veten,
çka pak a shumë është
si të pish shurrën tënde
si dolli në banketin e rrënojave…

Pije mbreti im pije,
vetë e thirre festën…

Ngjitu mbret në skenë,
mezi pres ta shoh trishtimin tënd,
kur nuk ke për t’u kënaqur
as me gervishtjen e kafkës sime,
as me prishjen e gjumit tim,
mezi pres kur gotën e egos tënde
ta mbushësh po vetë me helmin e zhgënjimit
Sepse, megjithatë,
ti duhet ta dish mbreti im
Kafka Ime e Kujtesës mbeti GJALLË…

Ti ke vdekur përpara se të të pushojë zemra
mbreti im,
Përpara se të meket fryma e fundit,
Ke vdekur heroikisht për
t’i ngritur një shtatore egos tënde…

Je ngjallur përsëri për të parë
gjurmën
atë gjurmën heroike të endërrës tënde,
dhe përsëri je ndjerë i palumtur
se gjurma jote,
s’ ishte gjë tjetër
veçse nje gropë prej varri…

Ngjitu ne skenë mbreti im
dhe luaje monologun e fundmë
mbi lavdinë e gjurmës tënde,
jepi kurajë trishtimit…

I thjeshtë është recitimi i fundit,
Ti do të ikësh
me një lavdi të madhe pas
Nga ajo lavdi që mbulon
Mbretin që nuk do kënd tjetër
përveç vetes…

Por një gjë merre me vehte
Kujtesën time
që ende pi qumësht si fëmijë…

BOSTON

18 Maj 2020