(Çast)
Rrugoret nuk u ndezën sot,
(dhe shtyllat zemërvrarë).
Nata sundon kudo e plot;
mbi varre dhe të gjallë.
E vetmja shpresë në këtë fshat
është vetëm ky ndriçim.
Dhe hëna me ngjyrën e artë,
dhe drit’ e shpirtit tim.
Ky fshat që ende nuk është braktisur,
frymojnë aty-këtu.
Vetë Zoti mirë e ka qëndisur,
si pikturë përmbi dru.
Në çdo rrugicë shetit sot nata,
e pa shqetësuar fare.
Rrugoret me drita të gjata,
nuk ndrisin më si zjarre.
Qoftë rastësi e mos ndodhtë më,
se nata kthehet zot.
Për to as gjumë sonte s’po flë,
po derdh dhe një pikë lot.
Ky fshat i stolisur me dorë,
vetmia po e tret.
Mos ardhtë kurrë ajo orë,
të bëhet nata mbret.
Rrugoret nuk u ndezën sot,
nesër do llamuritin.
Sido të jetë unë s’iki dot,
sikur kurrë të mos të ndritin.
2-Moj Kosovë djepi i lirisë
(Gurra e Prodanit)
Moj Kosovë djepi i lirisë,
ballëndritura si hënë.
O zemra e Shqipërisë,
sa lezet të ka kjo këngë.
Kënga labe burrërore,
si gjithë trimëritë e tua.
Moj Kosova engjëllore,
njëlloj si nëna të dua.
Gjëmo këngë mbi këto bjeshkë,
se i ka bekuar Zoti.
Stërralli që merr si eshkë,
ndizet dhe mbi pika loti.
Nuk t’u drodh syri njëherë,
dhe kur hallet u bënë male.
Adem Jashari, kjo derë,
ngelet dera më e madhe.
Legjendari zemërzjarrtë,
s’pranonte mbi supe zgjedha.
Pikat e gjakut të artë,
skuqën mure dhe kështjella.
Moj, moj Kosoooooooooovë,
Kosovë e Adem Jasharit,
skalitur në flakë të zjarrit.