Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Xhahid Bushati: Freskia e një motivi në një shtrat përrallor

64
Sigal

-Shënime për librin: “Bardhoshi Xhepkoshi” (poemë-përrallë) të shkrimtares Adelina R. Mamaqi

Në veprën “Bardhoshi Xhepkoshi” të shkrimtares Adelina R. Mamaqi, të bëjnë përshtypje funksioni përrallor dhe vlera e hiperbolës si figurë artistike, loja, gjetjet interesante dhe rrjedhat e veprimeve, ngjarjet dhe situatat e befta, si të papritura ashtu edhe të paparashikuara, etj., etj.

Personazhi kryesor është Bardhoshi, i cili ruan freskinë e motivit të realizuar në këtë poemë-përrallë. Poemës, është e nevojshme t’i përmendim rrafshin historik, si ecuri krijimi që përftohet në kontekste kohore të ndryshme. Në vitin 1966, Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri” (Tiranë) boton librin “Xhepi i madh” i S. Marshak (tregim në vargje për fëmijët e moshës parashkollore), përkthyer nga shkrimtarja Adelina Mamaqi. Edhe pse do të kalonin vite, shkrimtarja – përkthyese nuk do të shkëputej nga ky krijim dhe nga magjia krijuese e S. Marshakut. Kështu, në vitin 2007, pas 41 vjetësh, sipas idesë së S. Marshakut, Adelina R. Mamaqi boton librin “Bardhoshi Xhepkoshi. Po si paraqiten këto dy libra, që i ndan një kohë prej më se katër dekadash? Modeli Marshak. Autori e ka trajtuar fabulën dhe subjektin pothuaj të njëjtësuar në zhanrin e tregimit në vargje. Është kujdesur, veçanërisht, për mënyrën e të rrëfyerit dhe narracionin linear si vlerë e rëndësishme, themelore e subjektit. Në këtë vështrim autori S. Marshak i ka mbetur besnik konceptit të ndërtimit të një strukture, e cila mishërohet në një kompozicion klasik, traditë e krijimeve të tregimeve (në vargje) me subjekt. Modeli Mamaqi. Autorja e ka trajtuar fabulën dhe subjektin pothuaj të njëjtësuar në një shtrat përrallor. Ndryshe nga S. Marshaku ka preferuar gjininë e përrallës. Një gjë të tillë e vërejmë te aventurat e njëpasnjëshme, që jepen e spikasin dukshëm përmes natyrës lodërtare e shpesh të spontanitetit artistik. Në poemën-përrallë, krahas Bardhoshit, i pandashëm me të, është dhe “shoku” i tij, Xhepkoshi. Kjo marrëdhënie Bardhosh – Xhepkosh paraqitet në poemën-përrallë përmes situatave gazmore, shoqëruar me fllade lirizmi, por me theks edukativ. Veçoria e parë e këtij krijimi është raporti që shkrimtarja ruan me lexuesin-fëmijë. Ai është personazh, lexues, por edhe personazh e lexues njëkohësisht. Si në të gjitha librat e mëparshëm, edhe në këtë libër të autores, komunikimi dhe dialogu shquhen për natyrshmëri, thjeshtësi, çiltërsi dhe gjuhë të pasur poetike. Veçoria e dytë që dallojmë është se, edhe pse rrëfimi ka ngjyra përrallore e gazmore, nuk mungon ngjarja konkrete, e cila shpalos informacioni artistik. Veçoria e tretë që përftojmë është se, në rrjedhat e historisë çudibërëse e në të papriturat e saj, Bardhoshi (personazhi real) është gjithnjë përballë Xhepit (personazhi ireal, i shpirtëzuar). Në këtë përballje nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin dhe, skenë pas skene, ndodhi pas ndodhie me gabimet, rrëmujën, ngatërresat, prapësitë, fantazitë, zhurmën, lëvizjet e shpenguara, etj., shpërfaqin tiparet, natyrën, mendësinë dhe psikologjinë fëmijërore. Po si është parë personazhi i Xhepkoshit nga autorja Adelina R. Mamaqi? – Për t’u bërë i besueshëm në marrëdhënie e në intrigë me Bardhoshin, ky personazh është shpirtëzuar.  – Shpesh Xhepkoshi paraqitet në pozita pritëse. Me zgjuarsinë e tij ai kupton të gjitha veprimet, sjelljet e qëllimet e Bardhoshit. Kjo është dhe arsyeja që nuk refuzon asgjë të tij, pranon të bëhet “magazinë”, pranon edhe epitete e metafora, si kosh, barkalec, etj. – Paraqitja butaforike e Xhepkoshit zgjon perceptimin dhe kërshërinë te lexuesi i vogël, të cilët duan të mësojnë sa më parë ngjarjet që ndodhin nga “prapësitë” çudibërëse të Bardhoshit. Në përfundim theksojmë se, në hapësirat e këtij libri, loja ka rolin e saj dhe mbetet bërthama e poemës-përrallë “Bardhoshi Xhepkoshi”. Kjo poemë-përrallë u kujton herë pas here lexuesve të vegjël edhe lodrat, ngjarjet, skenat, fjalorin, etj. (përmes lodrës e përrallës) që ndodhen në kopshtin e Bardhoshit. I gjithë ky spektër i gjerë, i bën fëmijët të krijojnë dhe realizojnë një “botë” dhe “realitet” tjetër, sigurisht më të bukur e më madhështor se në realitetin e përditshëm. Kjo ndodhë falë shumëngjyrësisë së dëshirave e ëndrrave të tyre, të cilat një ditë edhe këtij realiteti ku jetojnë e rriten do t’i falin përrallën e moshës së tyre, kësaj here si dëshirë e mendësi reale.