Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Fatmir Terziu: Kush ia shkruante këngët Isuf Myzyrit?

383
Sigal

Kush ia shkruante këngët Isuf Myzyrit? Është një pyetje që ka ardhur me kohë natyrshëm. “Artisti i Merituar” elbasanas Mit’hat Stringa, ka shkruar: “Isuf Myzyri mbeti analfabet dhe kjo i krijonte vështirësi në punët krijuese si muzikant e këngëtar”. Sipas Stringës, ai vuante e lodhej shumë, nga  mungesa e shkrimit dhe e këndimit. Ndërsa për meloditë ai vepronte mjaft lehtë, pasi dihej se e ndihmonte violina. Për tekstet e këngëve të tij vështirësia ishte e madhe, saqë thuhet nga më të moshuar, dhe mjaft nga ata që janë gjendur afër tij “se ai kështu humbiste mjaft vargje”, pasi ato nuk mbaheshin ndonjëherë mirë me mend. Duke kërkuar për këtë qëllim: së pari mësojmë se nga vetë goja e Myzyrit kanë dalë këto fjalë: “mundohem … është një punë e gjatë”. Më ka ndihmuar shumë kënga popullore. Kur më vinte “ashku”, krijoja vjershën strofa-strofa, e punoja me mend ditë e natë, derisa e mësoja përmendësh. Kur e shihja që kisha mbaruar punë thërrisja ndonjë njeri me kalem. (që dinte të shkruante) dhe e “fusja në tefter”. Nga miqtë e tij me të cilët ai la pas bahçevaninë, berberanën dhe punimin e qelesheve, sikurse ishin Met BalashiThoma Prifti, apo Arif Topalli mjaft biseda kanë treguar se ai e mbante gjithnjë “sekret” kalemxhiun e vjershave të tij. Kështu nëpër dhëmbë gjithnjë është thënë se atë e ndihmonte një zonjë bukuroshe, e cila i merrte fshehurazi fjalët e tij në takimet e tyre dhe pastaj ajo ia shënonte sikurse ai i thoshte, duke i ripunuar e përshtatur disa, pos shijeve të të dy personave. Kjo “zonjë” enigmatike ndonëse nuk u zbulua asnjëherë, falë besës që i kishin dhënë njëri-tjetrit, po aq dhe nga tipi i tij, që fliste me pak për vete, në rëndësinë e pyetjes së lartcituar ka mbetur vetëm se ai kishte deklaruar se tekstet ia shkruanin pasi ai ua diktonte disa kalemxhinjve që dinin shkrim e këndim. Përreth tij, sikurse dihet që nga krijimi i orkestrinës popullore në vitin 1905, kishte vetëm njerëz që e lidhnin atë mes tyre vetëm me muzikën. Dihet se Simon Vela ishte në krahët e tij me çyr, Mahmut Ashiku me llautë, Arif Çerma-Topalli me dajre, Thoma Prifti me gërnetë, Mehmet Gurra me ud, Ibrahim Zaimi me çyrbish të gjatë dhe Myrteza Graceni e Riza Berati me violinë. Nga këta, ndoshta me një ndjenjë të hollë mendohet se kanë qenë të paktë ata që mund ta kryenin një punë të atillë të lodhshme, sikurse ishte në rastin e Myzyrit. Bëhej akoma më e lodhshme, pasi ai përditë e më shumë tregonte lodhje dhe thuajse ishte e vështirë të mbante mend ato që mësonte përmendësh. Sidoqoftë ai ishte mjaft i zoti në këtë drejtim, jo vetëm si krijues, muzikant, por edhe si organizator i kësaj orkestrine që bëri mjaft emër. Ai vetë, sikurse mësojmë nga Stringa, shprehej kështu: “Dëgjoj melodinë duke e kënduar në fillim me mend, dhe pastaj me zë, dhe më vonë me tekst”. Dihet pastaj se me të mbaruar këtë proces, ai thërriste në shtëpinë e vet grup shokësh, këngëtarë e dashamirës të krijimeve të tij, të cilëve u mësonte këngën e re duke ia kënduar disa herë. Pas tij e këndonin edhe ata. Për shembull kënga “Në zabel të gjeta”, sipas një nxënësi të usta Myzyrit, që ishte një këpucar, Xhelal Braçja, ishte kënduar në një dasëm mes shokësh prej tij, ndërsa më vonë kur e kishte dëgjuar rastësisht vetë Myzyri që ai e këndonte atë këngë në një version jo-përfundimtar: e kishte bërë për një lek. Usta Isuf Myzyri kështu mrekullisht mbeti këngëtari dhe kompozitori më popullor dhe një nga më të njohurit e kësaj gjinie në Shqipëri. Ai ka lindur në Elbasan më 8 Mars 1881. Isuf Myzyri ka qenë krijues, këngëtar dhe interpretues i shkëlqyer popullor i violinës. Ai ka qenë një artist i rëndësishëm në historinë e kulturës të trashëgimisë muzikore tradicionale shqiptare, gjatë gjysmës së parë të shek. të 20-të. Usta Isuf Myzyri është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” (pas vdekjes), me motivacionin: “Si këngëtar popullor, ka dhënë një ndihmë të shquar në pasurimin dhe zhvillimin e këngëve folklorike…”

Iu përkushtua dashurisë, i këndoi asaj, e mjaltoi në folklor, por u martua në moshë të re, duke u divorcuar pas disa vitesh, dhe më tej pa lënë trashëgimtarë. Mësohet se origjina e nënës së tij ishte nga Përmeti. Megjithëse veprimtarinë e tij si krijues usta Isufi e filloi në moshë të madhe (rreth viteve 1927-1928), me autorësinë e tij njihen rreth 30 këngë popullore elbasanase. Ndër këngët e kompozuara dhe përpunuara prej tij, më të përmendurat janë: “Në zabel të gjeta”, “Iku nata, agun malet”, “Dashunija si rrufe”, “Një lulishte me trandafila”, “Midis vetllash më ke nji pikë”, “Ma mirë në pyll se në qytet”, “Si bilbili në pranverë”, “Ç’u dëshirush për me të pa”, “S’paske pasë pikë mëshire” etj.

Usta Isufit i njihet merita e ndërtimit të një repertori me këngë popullore elbasanase, ku spikatin bukuria e frazës muzikore, si dhe orientimi për nga vlerat e vërteta të kulturës muzikore të Elbasanit. Në vitin 1950 i jepet titulli “Dervish Nderi”, nga ana e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Këngët e tij kanë kaluar gojë më gojë dhe nga njëri këngëtar te tjetri, jo vetëm në Elbasan, por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë dhe te shqiptarët e Maqedonisë. Në vitin 1950, formacioni muzikor i usta Isufit, regjistroi në qytetin e Elbasanit disa disqe (pllaka gramafoni) me këngë popullore elbasanase. Këngët u regjistruan nga një shtëpi diskografike të ish Bashkimit Sovjetik. Kohët e fundit një disk me disa këngë të Myzyrit janë transmetuar dhe nga Radio “BBC” në Britani të Madhe në kuadrin e javës kulturore të folkut nëpër Botë.

Isuf Myzyri vdiq më 22 Tetor 1956. Si njeri, si qytetar dhe artist la mbresa të paharruara me veprën e tij. Në vitin 1956, me rastin e 76-vjetorit të lindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me “Urdhrin e Punës së Klasit të Dytë”. 22 vjet më vonë, më 7 qershor të vitit 1978, u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa Elbasani, qyteti i tij i lindjes, e ka shpallur “Qytetar Nderi”. Njerëz të tillë nuk vdesin kurrë…

Një lulishte me trandafila

 

Një lulishte me trandafila
asht parajsa e vërtetë.
Ky asht vend, që këndojnë bilbilat.
Ah, u doq ashiku i shkrete!
Vet më the mre xhanan:
në lulishte ymrin ta çojmë!

Mos më le në kët zindan
të gjithë jetën nuk do t’rrojmë.
Meraku asht nji shkëndi:
djeg si dielli në qeshor.
Kët sevda kush ta dij
shpirtin tim ia jap në dorë.
Të gjitha lulet janë lavdëru:
trëndafili asht me famë!
Ashiku ç’u përvëlu:

ç’u dogj flakë si pervan.
N’Elbasan asht një gur dyrri.
Të zest ashket si se panë:
flakë u dogj Isuf Myzyri
si Mexhnuni për Lajlanë.

 

Përse m’rri kaq i vranu?

Përse m’rri kaq i vranu,
sikur po bi shi?
Lis më lis e dru më dru
qaj për syn e zi!

Me hakikat un të desha.
Vetëm qava, kur nuk qesha:
zemrën mos ma plas.

Nuk t’erdh pak keq për mu
ty more xhanan?
Të kam dash edhe të du,
gonxhe në Elbasan.

Hatri ty ku t’ka met,
që nuk flet me mu?
Kujtoje kët zemrën e shkretë,
mos e lej të dëshpëru!

Me sevda jetën e shkova
s’u bana kurrë figan!
Të kam dash e të du
lule n’Elbasan.

Më shikon me buzë në gaz
Me shikon me buzë në gaz:
sikur don me fol me m’u?
Un me ty moj do të flas,
oh moj xhan, nuk po mundem me duru.

Kur të shoh moj tuj kalu
vesh e math për bukuri:
ç’më pikllun dy syt e tu,
oh moj xhan, ç’më ke prek në dashni.

Flokët m’i ke thur gërshet
si kuror lule dhe ar.
Askërkujt moj si përket,
oh moj xhan, një petrit një djal’ beqar.

Në mëngjes lava syt e zes

Oh, në mëngjes lava syt’ e zes!
Oh në sabah dola në namazgja!
Mos më vra m’u ti moj Afife!
Oh mos më ban naze se ashik më ke.

Oh, mas kafazit dola n’penxhere,
Pash syt e ballit o të Afifes.
Oh, mos më vra mu ti moj Afife
Oh, mos më ban naze se ashik më ke.

Oh, vish jelekun goce kadife.
Oh për shtat palë qefe lala ta ka ble.
Ti që m’vrave mu të vraft i madhi zot!
Oh, mos më ban naze jam ashiku jot.

Kënga e lules
Kur pata një lule t’ bukur
thash se do ta kem përherë!
M’iku fluturoi si flutur
edhe s’mujta me i marr erë.

Lulen n’dor unë kur e pata:
kimetin nuk ja dita.
Vaj sa shpejt m’u ngrys nata
dhe, kët gja nuk e prita.

Lulja prej dorës ç’më doli,
unë nga gjumi u zgjova!
Më la të shkretë si gur vorri
dhe, nga mendja shkallova.

Unë prej lules s’kam t’largu!
Si asht gjith kjo dashuni,
me sa vjen duke u shtu
merre kupën, edhe pi.

Dy herë leva n’Elbasan
njofta lulen e vërtetë.
Pi Myzyr si t’kan than,
kjo asht jeta e vërtetë.

S’paske pas një pikë mëshire
S’paske pas një pikë mëshire,
qysh mësova unë ksisoj,
xhanin jaman, qysh mësova unë ksisoj.

 

S’pres prej teje,
fat të mirë,
veç me fol’ o nji her me gojë,
xhanin jaman
veç me fol o nji her me gojë.

 

Paske pasun zemrën hekur,
shumë durove mori xhan,
xhanin jaman,
shumë durove more xhanan.

 

Jam betu se nuk du tjetër,
trandafil o po n’Elbasan,
xhanin jaman,
trandafil o po n’Elbasan.

 

Kur më tha se m’u zemru xhanani,
shumë më mirë o t’më kishit vra,
xhanin jaman,
shumë ma mirë o t’më kishit vra.

 

Sikur me m’qit o prej Elbasanit
unë sa herë kom kte të shkretë sevda,
xhanin jaman,
unë sa herë kom kte të shkretë sevda.

 

Tuj shetit ndër ara t’gjata
midis barit të njomë,
ne të dy na zuri vapa:
ramë e fjetëm gjumë, aman.

 

Të kam thënë një herë,
se po vjen pranvera,
do të dalim me shetitun,
si për hera tjera.

 

Sa herë ballin ta lëmojshe,
më rrije e qetë.
premtimin prej teje dojshe,
të dua përjetë.

 

Si bilbili në pranverë

Si bilbili në pranverë
që këndon pa pushue.
Ah moj zemër moj e mjerë,
qenke djegë e përvëlue

Përse m’dhe kaq mundime
se nuk mundem qi t’i mbaj?
Shumë po hek zemra ime:
nat’ e ditë me lot po qaj.

Si bilbili baj figan
edhe gjuha ‘më pushoi.
M’u doq zemra si pervan,
gjet xhananim që kërkoi.

Të gjithë të shofim more xhanam!
Asnjeri nuk ‘të njef.
Je nji lule n’Elbasan
vetëm kush ka sy, të shef.

Zemrën time çma ke pik
gjuha jote mre xhanan
Myzyri t’u ba ashik:
ty moj lule n’Elbasan.

 

Ti ma more zemrën

Ti ma more zemrën
mua, gjithë jetën.
Më fike mua e
mbyte veten.

Fjalëve tua
ju besova.
Moj katile sa
keq e psova!

Bubullin në
kafenë tonë!
Mendja ime:
tek ty m’shkon!

Ty të ruaj, si
hajmalinë.
Më paç në qaf, moj
zemra ime.

Ty të fala moj
gjithë rininë!

Shum t’besova në

Dashurinë!

 

Ishe engjëll
gjarpër dole!
Vetëm rrena
gjithmonë fole.