Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Agron Fico: Kush e “vrau” Prof. Eqrem Çabejin?

543
Sigal

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Njoftimi i drejtores për hapjen e dokumenteve të periudhës së diktaturës komuniste, se vëmendja kryesore do t’i kushtohej “Akademikëve në regjimin komunist” është mirëpritur. Kjo shpjegohet, se akademikët kanë qenë elita e intelektualëve, prandaj edhe u godit e para dhe ashpër. Madje ky ballafaqim, me të shkuarën komuniste për akademikët, do të fillojë me Prof. Eqrem Çabejin. Profesor Eqrem Çabej është mali i lartë i shkencës së gjuhësisë shqiptare, por brezi i ri, madje edhe lexuesi i gjerë nuk ka përgatitjen dhe përvojën shkollore për të ditur veprën shkencore të profesorit. Në një vështrim tërësor mund të thuhet se meritat, prurjet shkencore dhe ndikimi i tyre në fushën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare është e pamasë. Ndofta dy nga vlerat do të ishin ndër më të rëndësishmet në veprën e tij shkencore: Ajo në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe e dyta, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët ballkanike dhe evropiane. Vepra e tij “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, prej shtatë vëllimesh, është një sintezë madhore e gjithë krijimtarisë së tij shkencore. Shto këtu edhe mbi 200 tituj veprash, artikujsh e leksionesh mësimore, për të kuptuar madhështinë e këtij dijetari të shkallës evropiane.

Eqrem Çabej lindi ne qytetin e gurtë të Gjirokastrës ku kaloi fëmijërinë dhe mbaroi shkollën qytetëse me përfundime të shkëlqyera. Studimet universitare i mbaroi në Vjenë (Austri). Aty Çabej mbrojti doktoraturën me temën “Studimet italo-shqiptare”. Këtij të riu të talentuar, që pati profesorët më të shquar të kohës, si P. Kreçmer, albanologun e shquar Norbert Jokli, arkeologun dhe historianin Karl Paç etj., i propozuan që të qëndronte në universitetin e Vjenës si asistent i profesor Joklit. Profesor Shaban Demiri na thotë: “Balta e mëmëdheut për të sapodiplomuarin shqiptar ishte më e ëmbël dhe më joshëse se bulevardet e kryeqytetit të ish-Perandorisë Austro-hungareze. Ajo e ftonte atë të kthehej në gjirin e popullit të tij për t’i shërbyer atij deri në fund të jetës.” (Shaban Demiri: “Eqrem Çabej – Një jetë kushtuar shkencës”, Tiranë, 1990, f. 18.) I diplomuari i universitetit të Vjenës, Eqrem Çabej, u kthye në Tiranë dhe u caktua nëndrejtor i konviktit: “Malet tona”, pranë gjimnazit të Shkodrës me të drejtë për të dhënë mësim në atë shkollë. Më vonë e transferuan në Shkollën Normale të Elbasanit, pastaj në gjimnazin e Gjirokastrës, në gjimnazin e Tiranës etj. Kudo që jepte mësim shquhej për nivelin e lartë shkencor dhe për sjelljen fisnike, siç kujtohet nga shumë ish-nxënës. Tipari më i lartë publik-shoqëror i Çabejit ishte atdhetarizmi, në kuptimin më solemn të fjalës, ku përfshihet në radhë të parë: Përkushtimi shkencor, intelektual gjatë gjithë jetës për mbrojtjen, zhvillimin dhe lartësimin e gjuhës shqipe që, siç thoshte ai vetë “Gjuha shqipe është tabani i tabaneve të kombit”. Në këtë hulli është edhe ligjërata që mbajti më 25 korrik të vitit 1930, në ceremoninë e varrimit të atdhetarit të njohur të Rilindjes, Bajo Topullit. Ai tha, midis të tjerash: “Bajo, prehu. Dergje trupin tënd te balta jote. Për Atdhenë, që e bëre dhe na e le trashëgim, mos ki frikë! Ne djalëria betohemi… se do ta ruajmë, qoftë edhe me gjakun tonë. Flas për lirinë e kombit”. (Vep. cit., f. 30.) Vitet ’30-40 të shekullit të kaluar ishin vitet e një krize botërore. Fashizmi dhe nazizmi kishin ardhur në fuqi në Itali dhe Gjermani. Bota ishte në prag të Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, me politikën kapitulluese dhe marrëveshjet e ndryshme ushtarake, ekonomike etj., të mbretit Zog, ishte në prag të humbjes së lirisë. Ajo u bë viktima e parë e pushtimit fashist italian, më 7 prill 1939. Pushuesit fashistë u përpoqën ta joshnin Çabejin me ofiqe dhe poste administrative. Autoritetet italiane më 1942 dhe gjermanët më 1943 i propozuan që të bëhej Ministër i Arsimit në qeverinë kuislinge të Tiranës, por ai nuk pranoi:

“Kam hedhur poshtë çdo propozim për bashkë-punim me të huajt – shkruan Çabej në autobiografinë e vet – çdo gjë që nuk pajtohej me nderin tim si shqiptar dhe me të mirën e vendit e të popullit.” (Po aty, f. 23.) Një akt madhor i atdhetarizmit të Prof. Eqrem Çabejit është refuzimi i hapur për anëtarësimin në institute shkencore të krijuara nga fashizmi. Dje edhe sot shumëkush do të lëpihej, do të zvarritej si zvarranik, do të paguante, që të anëtarësohej në institute të larta shkencore, ndërsa Çabej i madh i tha: Jo dhe jo! Ja dhe letra e datës 27.9. 1942, drejtuar kryetarit të Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare, ku ndër të tjera shkruante: “Ju lutem, në mënyrë miqësore, të keni mirësinë e të më shlyeni nga lista e anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare. Arsyeja e kësaj kërkese është se, si mis i këtij Instituti figuron Atë Fulvio Cordignano, të cilin unë nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare.” (Vep. cit., f. 23.) Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj nazifashistë filloi punën si mësimdhënës në Institutin pedagogjik dy-vjeçar dhe, me krijimin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, më 1957 bëhet punonjës shkencor në sektorin e gjuhësisë, që drejtohej nga Aleksandër Xhuvani. Kam pasur fatin e rrallë, që në vitet kur isha sekretar shkencor i Institutit dhe të Fakultetit të Filologjisë ta njoh nga afër dhe të punoj me dijetarin e shquar, Eqrem Çabejin. Zyra ime si sekretar shkencor ishte përballë dhomës së punës së Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejit dhe Mahir Domit, që ishte në katin e parë, djathtas, kur hyn në ndërtesën e Fakulteti të Filologjisë. Çabeji ishte i thjeshtë, fjalëpakë, si dhe gjithmonë i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, pavarësisht nga statusi qytetar. Pyeste dhe interesohej për çdo material gjuhësor, folklorik, etnografik, që sillnin punonjësit e rinj nga ekspeditat kërkimore në terren. Nuk harronte kurrë që, edhe për informacionin më të thjeshtë që i komunikoje, të shënonte në referencat: “Kumtuar me gojë nga… “ Çabej gëzonte nderimin e gjerë të punonjësve shkencorë dhe shquhet për studime cilësore. Por ndaj tij ushtrohej një presion i vazhdueshme dhe me paramendim.Shkrimet e tij shiheshin me syrin e luftës së klasave. Kështu, kur studimet e tij u botuan në dy vëllime, vëllimi i dytë doli para të parit, që u hoq nga qarkullimi, sepse në hyrjen e vëllimit të parë prof. Çabej vlerësonte me të drejtë edhe prurjet e shënuara të klerit katolik. Një rast tjetër stresues për të ishte edhe mbrojtja e titullit kandidat i shkencave. Prof. Çabej, që titullin e lartë shkencor “doktor” e kishte marrë në Vjenë, tani i kërkohej të mbronte diçka të një shkalle më të ulët, Oponente e disertacionit të Çabejit ishte profesoresha e njohur e studimeve indo-europiane, sovjetikja Desniskaja. Ishte prekëse kur ajo, gjatë referimit, i drejtohej kandidatit me fjalën nderuese “uvazhaja profesor Çabej” [i nderuar profesor] vazhdimisht. Ajo grua e mençur nderonte kolegun e vet, që pushteti popullor e kishte vënë në pozitat e nxënësit. Prof. Eqrem Çabejin e kishin ndaluar të dilte jashtë shtetit, edhe pse të shumta ishin ftesat për pjesëmarrje në forume, konferenca e kongrese ndërkombëtare për problem të gjuhësisë. Pas vitit ’60 të shekullit të kaluar qëndrimi ndaj tij u zbut pak. Hoxha, në një takim me intelektualët e Tiranës, pas prishjes dramatike të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, kishte thënë se Çabej nuk mori në këpucë baltën e mëmëdheut dhe të largohej, si bëri Namik Resuli e ndonjë tjetër, por punon bashkë me gjuhëtarët e rinj për shkencën shqiptare. Dalja e parë jashtë shtetit e prof. Çabejit për të marrë pjesë në një konferencë shkencore në Munih, kujton prof. Jorgji Gjinari, e kishte ndryshuar profesorin, e kishte rinuar. Ligjërata e tij në atë forum elitar të studiuesve gjermanë ishte mallëngjyese për ne. Atë e duartrokitën duke u ngritur në këmbë, për disa minuta me radhë. Profesor Shaban Demiri dhe ne të tjerët (delegacioni përbëhej nga 7 anëtarë) u përlotëm. Profesori u kthye në Tiranë i ndryshuar, i energjizuar, iu shtua buzëqeshja. Por pas pak ditësh Çabejin e kishte thirrur shefi i partisë së Institutit Gjuhësi dhe Letërsi, komunisti bollshevik Koço Bihiku dhe e kishte paralajmëruar me fjalë të ashpëra se nuk duhej t’u puthte dorën zonjave të huaja, se kjo donte të thoshte përulje ndaj borgjezisë reaksionare. Profesori kishte ngrirë në vend dhe i ishte përgjigjur: Ju lutem, mos më dërgoni më jashtë shtetit, se unë kështu jam mësuar”. Aty nga vitet shtatëdhjetë të shekulli të kaluar shpërtheu lëvizja e fletë-rrufeve, që ishte një imitim i tacibaove kineze. Nëpër qendra pune, institucione, shkolla etj., u dukën fletë-rrufetë e para, që kritikonin hapur e publikisht njerëz, forume etj. Një ndër fletë-rrufetë e para, që u duk në muret e Institutit Gjuhë-Letërsi ishte ajo për profesorin e njohur Eqrem Çabej. Disa punonjës të sektorit të arkeologjisë në atë fletë-rrufe, i kërkonin profesorit të shpjegonte arsyet pse nuk kishte folur për arritjet e arkeologjisë në fushën e kulturës ilire. Kaq u desh dhe profesori sa herë jepte përgjigje, të nesërmen vihej fletë-rrufeja tjetër, “Thellohu profesor… Thellohu!” Profesori, i hutuar dhe i tronditur, shihej tek kopjonte fletë-rrufetë e varura që të përgjigjej. Dhe kjo vazhdoi për disa muaj. Ndofta, shtysat e arkeologëve për fletë-rrufenë ishin profesionale, por ishte shefi i partisë së Institutit ai që i nxiste, duke u thënë që asnjë lëshim të mos bëhej ndaj pikëpamjeve borgjezo-revizioniste.Pas kësaj fushate keqdashëse me prapavijë politike prof. Çabej u duk se u mpak dhe u plak. Ecte i vetëm anës rrugës dhe shpesh kthente kokën pas, se si duket i tingëllonte në tru thirrja “Thellohu profesor, thellohu!”. Ka mijëra e mijëra raste se si në këtë botë vdesin njerëzit, duke përfshirë edhe me plumb, ose me gaz helmues, si ajo përdorur nga KGB-ja ruse kundër agjentit të dyfishtë Aleksi Sergej në Londër. Por ka edhe mënyra më “të buta”, më të sofistikuara, si ajo e stresit publik (kupto: poshtërimit publik). Pas atyre fletë-rrufeve të mallkuara profesor Çabej nuk e mori më veten, shpejt iu shfaq sëmundja vdekjeprurëse dhe në gusht 1980 u nda nga jeta. Ai la pas të pambaruar veprën e tij të madhe. Hapja e dosjes së Eqrem Çabejit pritet të zbulojë fakte dhe njerëz të përfshirë kundër tij. Por nuk kam besim se ndonjëri do të kërkojë të falur publikisht, sepse autorët e fletë-rrufeve dje ishin “shoku” dhe zgjidheshin në forumet e partisë nëpër rajone ose edhe në Komitetin Qendror të PPSH, sot janë “zoti”, pra demokratë të thekur, të cilët kanë qenë dhe janë në krye të forumeve shkencore. Gjer tani hapja e dosjeve ka filluar dhe mbaruar me zbulimin e dokumenteve dhe me ndonjë shkrim ose program televiziv dhe asgjë më tepër. Shoqëria shqiptare, e veçanërisht shoqëria civile, e cila organizon demonstrata edhe për vendin e lojërave të fëmijëve në parkun Qendror ose për plehrat e të tjera, do të duhej të ishte në krye të kësaj dukurie shoqërore, që të kërkonte që në ato institucione, ndërmarrje etj., ku është bërë gjykimi i njërit ose tjetrit disident, të cilët për hir të së vërtetës patën ideale liberale dhe demokratike dhe meritojnë t’iu behej edhe kërkesa për ndjesë publike. Kështu, do të ishte e mira të ndodhte që në sallat e kinemave të qyteteve tona ku gjatë diktaturës kërkohej dënimi kapital për intelektualët e nderuar, elitën e fushave të shkencës shqiptare me thirrjet histerike “Krimineli në litar!”, po në ato salla të kërkohej publikisht falje madje edhe në forumet e shkrimtarëve të kërkohet falje publike. Para disa muajve botova një shkrim me titullin “Mirë historiani i shquar – po gjuhëtari madh?”, ku kërkoja që pranë bustit të Aleks Budës të vihej edhe ai i Eqrem Çabejit. E para, ky veprim mënjanimi ishte i padrejtë dhe njëanshëm. Profesor Eqrem Çabej, ky gjeni i gjuhës dhe kulturës së lashtë dhe burimore shqiptare, meriton një përmendore para ndërtesës së Akademisë së Shkencave si përfaqësues, si simbol i gjithë shkencave shqiptare. Çdo shtet nderon në mënyrë solemne përfaqësuesit më tipikë të shkencës dhe kulturës së vet kombëtare. Para Qendrës së Bashkuar të Akademive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës qëndron Albert Ainshtaini. Në Kinë para ndërtesës së Akademisë së Shkencave rri Konfuci… Është një gjë paradoksale që tek ne personalitetet më të larta të historisë, kulturës, artit dhe shkencës nderohem jo me monumente, por vetëm me buste. Shih bustet e vëllezërve Frashëri, ikonat e kombit shqiptar, që meritojnë përmendore; ndërsa për mbretin Ahmet Zogu kemi shtatore mbi 2 metra. Ndërsa për ikonat e kombi, për simbolin e shkencave shqiptare, Eqrem Çabejin, pritet të vënë vetëm një bust. Në Central park në Nju Jork sheh plot përmendore për personalitete, gjeneralë të shquar etj., dhe nuk kam parë asnjë bust. Kudo që shkonte, në tubime shkencore evropiane, ose për të mbajtur leksione në Universitetin e Prishtinës, Çabej, me mendimin e thellë shkencor dhe sjelljet fisnike, linte përshtypje të rralla. Në Prishtinë, sa herë shkonte për leksione, studentët, intelektualët e shumtë, kolegët e prisnin me nderime të veçanta. Në auditorët ku profesori mbante leksionet ishte varur parulla: “Atë që Skënderbeu bëri me shpatë, Prof. Eqrem Çabej e bëri me penë”.