Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Pirro Loli

633
Sigal

Çelësat e qytetit

I kam në dorë çelësat,
përditë po i çel të gjitha portat.
E pak nga pak
po e pushtoj qytetin.
Nuk m’i ka dhënë kryetari i bashkisë
Si mik i rrallë a qytetar i nderuar
Jo.


Si fillim më duhej të bëhesha vetë transparent
Të përuroja firmën time
Prej ajri,

ere,

drite e xhami.


Të padukshme të shumëfishoja të gjitha produktet jetike.
Lehtësisht t’i hapja të tëra dyert e bankave dhe zyrat
qendrore.
Të thyeja sendet e errëta, muret, perdet e trasha
Parat e pista dhe idetë.
Zëvendësimi i semaforëve ishte punë e vështirë
Megjithëse i padukshëm, kur shkoj unë
ulërijnë sirenat.


Së shpejti do çel fabrikën e këmishëve të tejdukshme
të lexohen qartë kurthet e mishit
Më kot të fshihen qeveritarët, deputetët, kopukët
foletë e fshehta
dhe dhomat e seksit.

Zëri i kohës

Ora ime ndriçon natën e ndiej
Si dremitin insektet e burgosura.
Kam fjetur shumë. Me gjithë rroba
Si në vdekje akrepat e fosfortë i shtyj me dorë
Kohët më kryqëzohen dhe asnjëherë
Në tavolinën time nuk ulet e tashmja
Si kumbull e lulëzuar. Tani Që u zgjova
Mundohem ta mbush fantazmën e gjumit të shkuar
Por nuk e kuptoj ku jam e kush jam E shkuara
Më thërrmohet si shtuf në duar
Akrepat si insekte të burgosura pengojnë njëra tjetrën
Formojnë emrin tim në fushën e pjerrtë dhe
Bërtasin të traumatizuar:
“ Vrapo ! Rretherrotull të gjitha pemët
Si krahë pleqsh kockëtharë
Duhen prerë
Të qajnë si pjergullat”

Teatër absurd

Salla e parlamentit plot e përplot me të gjallë e të
vdekur. Aktorë e spektatorë, pa mish në faqe,
me skelete kockash.
Të etur për role historikë.

Teatër absurd.
Kocka të holla gishtash,
Brinjë të thyera në traun e ekuilibrit
Vertebra të shtrembëruara “strategjike”.
Në kërkim të një regjisori.
E lashë skeletin tim të copëzuar jashtë porte
E në duart prej mishi
Mbajta vetëm kockën e rrumbullakët të ballit
për mirëkuptim.

Harku i mëkateve

Doja ta pastroja,
ta bëja krejt të bardhë shpirtin tim
e,
të lagur e vara në tel si këmishë njollat
nuk ikën edhe kur u tha edhe kur
disa herë e shpëlava, e shtrydha
teli nga pesha bënte hark…
Një mbi një
Vertikalisht
i vura mëkatet
provova ta shtrëngoj telin nga të dyja anët
vendosa të vishem më trashë…
por,
teli dha dy harqe si bark.

Budalla – më tha ajo leshverdha që shkoi atypari – e
ëmbël buzëqeshi – budalla –
ma jep, ta laj e ta thaj unë
atë këmishë…
njollat të zhduken në çast….