E diela e emigrantit
Hesht, hesht, e mos fol! Mos e zgjo veten
Emigrant i lodhur!
Lere të flej! Sot është e dielë.
Se, jo të gjitha ditët
Mund t’i kesh të diela!
Mos fol asnjë fjalë, vetëm të gërrhitura,
Deri në qiell! Sot është e dielë.
Duhet të shlodhen eshtrat,
E të ripërtërihen qelizat e dritës
Për një javë të re.
Vetëm toka
Le të vazhdoi të rrotullohet!
Dt.27.01.2019.
Këtë mëngjes…
…U zgjuan të mbuluar
Me dëborë
Drurët e shpirtrave të dheut,
E degët përplasnin erës
Duke u dridhur,
E u zgjatur
Qiellit të nxirë,
Sikur kërkonin midis shpirtrave,
Trikon prej leshi të nënës,
Të ngrohnin
Gishtërinjtë e ngrirë.
Dt.17.12.2018.Modena.
Gjethet që bien…
…Lenë dhimbjen
Si plagë të pashëruar
Në gjethet e pa rëna,
Që qajnë
Me erën pa zë,
E vjeshtës
Në heshtje
Vazhdojnë të bien dhe vet,
Një nga një.
Dt.03.12.2018.Modena.
Njerëz, zgjohuni!
Ashtu si humbja s’është e të gjithëve
Dhe fitorja
E të gjithëve si mund të jetë?
Jo të gjithë njerëzia
Ndikojnë njëlloj…
Indiferentizmi po na vret,
Në atë ç’ka digjet, ndriçon e shuhet
Dritës e ëndrrës,
E në këtë të hidhur realitet.
Njerëz, zgjohuni të gjithë,
Që fitorja e të gjithëve të jetë!
Dt.27.01.2019.Modena.
Një yll i pa fikur…
…Qëndron, që kur syri yt
U fikë, nënë,
E drita jote s’duket më.
Si një qiri
Më djeg në shpirt, i pamëshirë
Me flakën e tij
Dhe unë s’ndjej asgjë.
Dt.12. 08.2014.
Rreze dielli…
…Erdhe
Në dimrin tonë të ftohtë,
Buzëqeshur
E plot nur drite,
U afrove
E si vatër zjarri
Na ngrohe.
Kur erdhi vera,
U largove
E thjeshtë e pa qibër,
Të dritëzosh
E ngrohësh të tjerë
Shpirtra të mardhur,
Atje, ku ka dimër.
Dt.15.11.2018.Modena.
Koka
Një kokë njeriu duket e zhduket
Nëpër re,
Ndërsa trupi i tij në të ftohtin varr,
Pa kokën,
As tretet, e as fle.
Dt.22.10.2018.Modena.
Përkohësisht
Isha dhe mbeta një copëz baltë.
Për të folur me ju
E me gjithë globin,
Përkohësisht
Më dhanë formën e njeriut,
E shpirtit
Formën e trupit.
Dhe unë i mjeri, u gënjeva e besova
Me të vërtetë,
Se, çoç isha në këtë jetë!
Dt.22.10.2018.Modena.
Lulet
Gjithë ëndrrat e parealizuara,
Të gjallëve e të vdekurve
Rilindin në lule,
Prandaj lulet
Kanë kaq aromë jete
E ngjyra të bukura shpirtrash,
E bletët venë e thithin,
Kaq shumë nektar dashurie.
Dt.15.01.2019.
Portat e dhimbjes
O shpirti im, më jep çelsat, çelsat,
T’i mbyll portat dhimbjes!
Për të ikurit e mi,
Si një degëz vuaj e qaj,
Për nënën e bukur si hënë,
Që ende e kam nëpër sy
Në perëndimin e saj.
Prej një dhimbje të tillë
Dhe dielli do shuhej.