Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Martin Cukalla

421
Sigal

Poetike

Kurrë nuk është dërguar letër e pashkruar!
letër e pashkruar, kurrë e dërguar
Gur në zemër mbetet, zemër e trazuar.
ruan, zgjuar ruan kartë të padërguar…

Vije, eh, si vije?! si kaprolle pylli,
loti zbriti qerpikut sikur zbriste ylli.
Flokët zbrisnin shtatit, erën ngatërronin.
zbriste ujë i varur, zogj që cicëronin…

Mbahet mend çka bëhet, ç`bëhet mbahet mend!
qoftë edhe ëndërr, zgjëndërr mbahet mend!
Brenga është tjetër, brenga është pendim.
është për të pabërat brengë e shpirtit tim.

Vije si nga pylli, si drenushë më vije!
të kish hedhur Prilli frymë e ngjyra drite!
Njomishte më ishe, njomishte më sillje!
hapja të dy krahët, zemra po të priste…

Kulpër i përdredhur, shtat mbi shtatin tim,
gjijtë e tu mbështetur zjarr në gjoksin tim,
Tulatur aty, strukur, strukur frymëroje.
paqe e çiltër heshtja, heshtje madhështore.

Qe përjetësi, çast që tretëte derte:
shtigjet që kish pylli qenë shtigje të serta,
Të përgjakur qenë zërat e vështrimet…
ikje nëpër to, ngjethur zemërimet…

Pa më thënë një fjalë, të gjitha i dija
ethe e trazime hapja krahë e prisja…
Qe përjetësi, çast që tretëte derte:
ti vije si brengë, unë… paqe e heshtje!

Mbahet mend çka bëhet, ç`bëhet mbahet mend!
qoftë edhe ëndërr, zgjëndërr mbahet mend!
Brenga është tjetër, brenga është pendim.
është për të pabërat brengë e shpirtit tim.

Sekonda është shumë

Përtej mbi pyll tani sapo u shua
një zog i bardhë me drita i ngarkuar!
Në gjoksin tim më rri i fshehur fati
lëngon e s’ik në asnjë shteg i ngrati.

Mesnata në përgjim për tu ringjallur
më shumë vdekje ca më shumë akull
dëgjohet tek gjëmon e paduruar
të gllabërojë ç’të mundë në çastin e caktuar!

Sekonda është shumë!-thotë ajo
si jetë vetëtime rro e shko!
Eshtë e përthyer nata gjunjazi ka rënë
zvarritet shkonevjen shpellat për të zënë.

Mesnata në përgjim për t’u ringjallur
më shumë vdekje ca më shumë akull
dëgjohet tek gjëmon e paduruar
të gllabërojë ç’të mundë në çastin e caktuar!