Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Izet Shehu

418
Sigal

Lamtumirë

Lamtumirë,
Buzëqeshja ime,
Çfarë tjetër të të them?

Le pas muzgje dhe agime
Dhe u trete në eter…

Atje s’të kap dot me dorë,
Atje as me sy s’të kap.

Bardhësi e bardhë si borë,
Trëndafil i ndezur flakë.

Lamtumirë,
Rrëqethja ime,
Çfarë tjetër të të them?

Le pas brenga edhe dhimbje,
Dhe u trete në eter…

Njerëz!

Mos më flisni më për politikën,
Që fëmijë e ndjeva kamën e saj.
Barbari anekënd, sojsëze e cinike.
Kukuvajka që ndillnin ters edhe vaj.
Mos më mëkoni me lajle e lule,
Me bilbila që s’i ndjeva në kopshtin e zhveshur!
Njerëz, ju lutem, mos më gjykoni ashpër
Pse gjuhën kafshova kur s’duhej ndenjur heshtur!
Mos më lëvdoni, pse s’u bëra ortak me djallin,
Kur u kryqëzova në rrëpirën e tharë!
Më kot u përpoqa të shëroja të marrin,
Më kot doja t’i jepja jetë zogut të vrarë!
Mos më flisni më për politikën.
Që kërthi e ndjeva kamën e saj.
Ata që qenë burra buzëplasur ikën,
Shekullin e shkalafitën sharlatanët rrufjanë.
Njerëz, ju lutem, më lini të qetë,
Të dremit i mënjanuar këtë pakëz jetë!

Shtator 2012, dorëshkrim dhe botuar në librin “Flatërim” në përvjetorin e parë te ndarjes nga jeta.