Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Ismail Kadare

555
Sigal

Edhe kur kujtesa

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Unë ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë natë
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Më të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

 

Sfondi

Ndërsa ti po vije,
Lajmet
Mbi qytet fluturuan nga telat,
Televizorët si një grumbull kryqtarësh
Përmbi krye ngritën antenat.

Ne ecim nën to
Qiellin
Të prerë prej tyre mbi kokë
Kur ty të dua, unë dua
Këtë qiell, këtë kohë, këtë sfond.

Këtë qiell të prerë gjer e gjatë,
Kryq e tërthor nga antenat e hekurta
E vesha si këmishë me kuadrate
Dhe ti kokën mbështete e qetë.

Tek ecim në udhën e ftohtë,
S’diskutojmë për hënën e mekur
Jemi veshur me ngjarjet e botës
Si me një këmishë të hekurt.