Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Elpiola Lluka

813
Sigal

Në Edenin e përhershëm…’ 

Në kopshtin e trëndafilave të shpirtit,

atje ku Edeni i ngjan një embrioni…

Çova rrënjët e mirësisë drejt flirtit,

me qetësi u pëshpërita: “Lulëzoni!”

 

Nga kërcelli i tyre i njomë,

gjethe bujarie u gjelbëruan;

Prej vesës thërrisnin “Shpëtomë!”,

në pafajësi, me shiun lotuan…

 

Nën dheun e lagësht rrënjët u bekuan,

si t’i kishte prekur ndonjë Mesi!

Ngjyra lumturie trupit gjarpëruan,

me vello petalesh deri në pafundësi…

 

Në kopshtin ku i etur shpirti lulëzon,

buron një lumë i kuq, i pashtershëm…

Ngjyros çdo zemër që skuqjen vonon,

përflakur, ringjall Edenin e përhershëm…

Thellë shpirtit

 

Përmes skajit më të thellë të shpirtit,

lundrova në detin e vetëdijes,

hodha spirancën në dallgët e zemrës,

u përballa me stuhi që nuk e dija të ekzistonte…

Kapa forcën e dëshirës,

ngrita velat mbi erën e guximit,

ndoqa horizontin e lumturisë,

pashë grimca dashurie…