Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Bedri Alimehmeti

671
Sigal

Nokturn me shi 

 

Rigimi i shiut nuk po ka të reshtur

Sikur qan një të pamundur dashuri.

Ndaj s‘mund ta kaloja më heshtur

Pa ta thënë me zë të lartë përsëri:

 

Ti duhej ta pranoje dashurinë time

Nga askush s‘duhej të kishe frikë

Lul‘e agut që ndrin plot vezullime

Zemrën ma ngrohje e jetën dritë.

 

Sot është e diel

 

Ditë gri.

Qielli plumb.

Retë ngarkuar me shi.

Ku je ti?

Fare ke humb.

Të pres po nuk e di.

Do të vish

Vezulluese si dikur?

Apo, vetëm sërish

Do të mbetem.

O Zot deri kur!?

Kujtimet u tretën.

Zemra u bë gur.

E diel është sot.

Retë zbrazen

Qielli s’resht

Pa pushim derdh lot.

Ditët gri

Vështirësish mbrapsen.

Ku je,

Ke je ti?

 

 

Nuk fle…

 

Nuk kam gjumë

Jo, jo nuk do të fle sonte.

Gjithë natën e natës

Dua të bisedoj me ty.

Kujtimet e panumërt

Dridhen mbi qytetin e zhurshëm

Teksa copëza kaltërsish

Regëtijnë mbi maja çatish.

Thua, ato të jenë ëndrrat e vjetra!!?

Sa të bukura që ishin!

Të bisedoj me ty dua,

Të mos resht gjithë natën e natës,

Për kohën e shkuar,

Për muzikën e largët…..

 

Aromë

 

Edhe pse sot asgjëkund nuk të pash,

Nën blunë e barit tënd të preferuar,

Përpara meje këtu ke qenë me vete thash,

Sigurisht do të dish nga e kam kuptuar.

 

Arom’e parfumit tënd mbetur pezull,

Ajo fashë e tij më coi aty ku ti gjithnjë

Rrufit kafen dhe rrit harkun e njërës vetull

Gjurmëzën e buzëkuqit n’cep të filxhanit lë.

Ti ishe bukuria e fushës

Fatmir Frashërit

 

Dhe pse ishte mesi i ditës

papritmas dielli keqas u mjegullua.

Rrezet e tij u zbehën,

shkëlqimi tyre u venit.

Kalimtarët poshtë në trotuare

çuditërisht ngadalësuan hapat.

Fëmijët ndërprenë lodrat.

Ç’po ndodhte vallë!?

Edhe volumet e bokseve

nëpër baret e mbipopulluar

aty rreth e përqark

thuajse u shuan.

Në tavolina bisedat dhe të qeshurat

si me thikë u ndërprenë.,

Tek semaforët

asnjë makinë nuk u nis me rrapëllimë.

Në atë çast të mallkuar

qyteti befas thuajse i gjithi

mbajti frymën!

Zemra e legjendarit

të fushave të gjelbra

mbi të cilat me gjithçka të tijën,

kishte bërë epokë dhe kishte lënë

gjurmë të pashlyeshme,

të fundit herë rrahu.

Fatmir Frashëri nuk ishte më.

Si një vello e hirtë,

mbështjellë e shkapërda

nga tronditja e goditjes

së çasteve të para,

lajmi u shtri në gjithë Tiranën.

Konsteilacionit të bardhebluve

i qe shuar edhe një tjetër yll.

Pikëllimi ngërtheu

zemrat e admiruesve të tij të pafundmë.

Mimi 1) bukuri e fushave të futbollit

nuk do të jetë më.

Lotët e tyre u derdhën krua

mbi blerimin e fushave,

ku me ty gjithnjë ndiheshin

katërçipërisht të pathyeshëm,

totalisht të sigurt.

Ndaj ti nuk kishe të drejtë t’i linje

sepse jo vetëm vetes,

të afërmve, shokëve e miqve,

por i përkisje gjithë Tironës.

Me ikjen tënde

qyteti ynë u varfërua

edhe ca më shumë.

Gjerdanit të bardhebluve

tash e mbrapa do i mungonte

edhe një smerald.

 

Romë 19 korrik 2019

 

1)-E thirrnin në intimitet shokët e miqtë Fatmir Frashërin