Suplementi Pena shqiptare/ Poezi nga Adriatik Jaçe

394
Sigal

Po iki.

 

Po iki…

Në mure, le të mbeten

gjurmat e kujtimeve.

Në ajër, mbase pak aromë,

sa të çelen dritaret.

Në gardërobë,

ndonjë rrobë si mënjanë

E ndonjë teke çorape,

nëpër sirtarë.

Po iki…

Në rrugë, gjurmët do m’i fshijë era,

A mbase do t’i lajë shiu.

Në kafenenë, ku kafen,

pija, ndonjëherë,

Në sy s’do t’i bie asnjeriu…

Po iki…

Ky vend, s’më deshi.

Si mua, s’do shumë të tjerë.

Këtu, ku dielli,

që në agim s’më buzëqeshi

E jo më tani, që dëbora,

flokët veshi.

Te librat…,

Blerë ka kaq kohë,

Renditur, çoroditur në dollap,

Mbase do të gjeni,

të shkrojturin, emër

A ndonjë foto, e fshehur, fillikat…

Mos e trembni.

Nga fletët kur ta nxirrni,

O mbajeni,

O digjeni në zjarr.

Mbase, do kthehem ndonjëherë unë…

Ta mar me vete, kur të iki prapë…

 

M’u thye moti

Ndë shputat e kontraktuara,

më rrëshqet rruga..

Në supe më ndjek e zeza re…

Kurizin ma rreh, një erë e ftohtë,

Ca trungje,të prerë mbi xhade.

Rrëketë,vrapojnë, të bien në theqafje…

Kanalet mbushur, zhur e rrërë…

Gjarpërinj gomash, rrugë shenjë,

E tutje një godinë dhëmbërënë.

 

Nuk di ku dielli shkoi e vate,

U nxi kjo kohë menjëherë.

Në qiell varur ca perde shiu,

E që nga jugu fryn një erë.

Por veç për pak, do e mbajë lart.

Vrapoj në ngutje, të ngelem thatë.

 

Shtëpia në fshat

 

Kulpër, mbërtheje portën e avllisë…

Ta di që shtëpisë, i punon zemra

Mos e lërë të mbyllet, mbaje çelur..

Shtëpi-qeshura, ku më pret, nëna

Ti hithër, që dikur as guxoje,

Mbuloje, vishe plot oborrin.

E ti ferë që dikur s’ekzistoje,

Rrethoje, rreth e qark, ballkonin..

Ju mure paskeni qarë kaq shumë…

E lotët, zemrën, ju kanë plasur..

Sa shumë jeni ronitur, prishur!

Nga dhembja e kockave, jeni mufatur.

Dërrasë e zezë, që mbulon çatinë

Që s’pyesje kurrë për diell a për shqotë.

Strehoje të sigurtë dashurinë,

Vallë lotët e braktisjes të bënë copë?!

Dikur, këtu, një koridh,

i bënte hije oborrit..

E varte kopanët e rushit,

mjaltë, krahë ballkonit..

Aty te fundi i shkallëve,

një trëndafil, kundërmonte..

Piklonte, e nëna e mblidhte,

të bënte, reçelrat që donte…

Shkallët, një murranë e tërë

Aq gurë…, sa një kala.

Sa shumë kanë mbajtur mbi shpinë,

Sa gaz e dhimbje aty ka…