Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Prej vitesh letra nuk shkruaj

821
Sigal

Prej vitesh më letra nuk shkruaj
dhe malli më piku,
asnjë zarf tani në shtëpi.
Si shkruhet vallë një r-ë e dorës,
abetaren harrova,
s’e di…

Kur isha student i shkruaja babait,
të dashurës i nisja
një Myzeqe me letra.
Tani mesazhe të shkurtra dërgoj,
shkruar në ekrane me qelq-era…

Tani shkronjat qenkan të gjitha njësoj,
kur them lamtumirë,
a kur them të dua!
Kur shkruaj; të puth
me “p”-ë prej fabrike,
e vockël sa një thua…

Prej vitesh nuk shkruaj, se kujt do t’ia nis?
Babai më ka vdekur,
të dashurat më kanë lënë.
Nuk di kujt t’ia çoj gjithë zemrën me zarf
postë më postë,
dhe hënë më hënë…

Them t’i shkruaj qershisë së avllisë një letër
“të dashurës” së parë,
në Tepelenë të shkojë…
(Mos më thoni që pemët të lexojnë nuk dinë,
se nuk do t’ju flas më me gojë)

Do t’i shkruaj ca derte që askush nuk m’i di,
ca gjëra të fshehta,
që askujt s’ia kam thënë,
të shoh dhe njëherë si këndon mbi kartë
me ritmin e zemrës sime çdo gërmë.

Ndonjëherë më mirë t’i shkruash një peme
në kohëra si kjo,
me një të ftohtë qivuri,
një letër të gjatë, të gjatë sa malli,
sa gjaku i një burri…

…………………………….
Ja pse nuk shkruaj,
t’jua them dhe njëherë (?)
babai më ka vdekur,
të dashurat më kanë lënë,
por po nuk shkrova e di që do të vdes,
i helmuar nga fjalët,
që ende s’janë thënë…