Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Përmendësh

580
Sigal

Dyzet e ca vite shkuan, po Ti
nën sy m’i ke kthetrat,
Akoma përmendësh të tëra i di
Si të jetë Të Dyzetat*…

Akoma e di sa i duhej frymës
nga mushkëritë të vinte,
puthja e radhës si avull pas brymës
në gojë të më shkrinte.

Përmendësh e di kur trupi si varkë
shkundej pas gjinjve,
t’i ndjeja si krisnin darkë më darkë
dhogat e brinjëve.

Ja, mbledh pëllëmbët si kupë ngadalë
Sa sisët e tua,
Kaq ishin në ditën e parë, të valë,
pagëzuar si grua.

I hap dhe pak, një gojëz më shumë
për ndarjen – mandat,
Unë që t’i rrita sa hëna nën lumë –
Kopshtar i pafat…

I di përmendësh nishanet e tua
rrotull kërthizës,
Sa gradë anohej qafa për puthje
si Kulla e Pizës…

Sa duhej nën ije i dendur tërfili
Shtrat perëndish,
Të bëhej i shenjtë, i madh trëndafili,
xhami edhe kishë…

Përmendësh, përmendesh deri tek fijet
e pushit në faqe,
Shfaqu, o Zot, më merr në provim,
Shpërblemë me paqe!…

Më tej nuk shkoj se truri më plas
si minë dëshpërimi,
Dhe ja kjo këngë që niset çapraz
si barkë shpëtimi…

*Të Dyzetat… dyzet ditët e të vdekurit që mbledhin të afërtit e tij në përkujtim.