O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
kush të ka qitë me krye n’hi? Ti ke pasë kenë një zonjë e randë, burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati, me vajza t’bukura e me djem t’ri, gja e vend shumë, ara e bashtina. me armë të bardha, me pushkë ltina, me burra trima, me gra të dlira; ti ndër gjithë shoqet ke qenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti, zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti ka qenë për luftë e n’luftë ka dekun e dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, i ka shti dridhën gjithë Rumelisë; ndër lufta t’rrepta gjithkund ka ra, me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, ndër nji qind çeta jeni shpërnda; Sa thonë kam fe, sa thonë kam din; Njeni:” jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë:” Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n,pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët fare trimneshe, qi sot asht mekë? Kët nanë të dashtun a do ta lamëe, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Kët marre askush s’e do Kët faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, e mos shikoni kisha e xhamia: feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, asht toka jonë, prind’t na e kanë lanë, kush mos na e prekë, se desim t’tanë[3]! Të desim si burrat që vdiqne motit Edhe mos marrohna përpara zotit.
|