Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Tava me zogj ( Në kujtim të Lasgush Poradecit )

231
Sigal

Kishte sa e sa ditë që Tomi dhe Bardha ia kishin bërë një ftesë miqësore Poetit të liqenit dhe të zemrave Lasgush Poradecit, për ta pasur një mbrëmje në shtëpinë e tyre. Në Pogradec nuk bëheshin ftesa, por ata e prishën këtë traditë, vetëm për të dhe vetëm për të. Do të vinte Lasgushi. Obobo, o Zot, sa mirë, sa bukur do ishte! Se fliste bukur ai! Se ishte i gjezdisur ai! Se ishte shqiptar e shkuar shqiptarit ai! Se me të, mbesje përherë borxhli për atë mençuri që të jepte dhe për atë mirësi që zbrazte në tavolinë me sytë, me librat e lëçitur, me shakatë që bënte por edhe më ato këngë të buta liqenore që këndonte. Se i kishte fort hije edhe vendi ku rrinte. Të gjithë e njhinin, por sa pak e kishin në shtëpi. I donte të gjithë poeti, po dy miqtë më të mirë ishte qeni Guci dhe liqeni. Ah, dhe Nafija e tij që i mbeti besnike në çdo ditë të jetës. Për fat, Tomi e kishte shtëpinë vetëm pak afër liqenit. Poeti e dinte zemrën e Tomit. Një jetë të tërë e kishte njohur. Në të mirë e në të ligë Ia kishte njohur edhe familjen. Dhe më në fund atë ditë maji, ia behu. Ia kishte thënë edhe më parë se do të vinte. Jo për të bërë atë ceremoni të madhe që do i takonte kur të shkonte në çdo shtëpi, por edhe për atë zakon që e kishte prej kohësh. Atë ditë ishte pranverë . Hëna sikur krihej në valët e liqenit të bukur që ishte si një muzikë e bukur në breg e më tutje. Liqeni valëzonte me ca valë të buta. Pemët i bënte dimir gati skeletike po harliseshin me filizë blerorë. Po ashtu edhe lulet kishin çelur vrullshëm buzë liqenit dhe në avllitë e nënave pogradecare. . O, se si u bënë fytyrat e Tomit dhe të Bardhës, kur ai ia befi te dera. Bardha si bardhësi e kishte shpirtin e fjalën. E poeti që e kishte dashur një jetë të tërë mjaltimin e fjalës sikur po i vinte keq me veten se nuk kishte takuar më parë këtë familje kaq të ngrohtë në atë sofër në atë shtëpi ku njeriu është mbret e shkuar mbretit. Ku kurorën nuk ta vënë të tjerët, por ta vë vetë jeta. Ta vënë ato objekte të shtëpisë tënde qoftë edhe shumë të varfër që më vonë të bëhen relike që ti ua di se ku janë edhe në errësirën më të madhe, se sa vite janë aty. Secili prej tyre të bëhet si një këngë e bukur që ti e dëgjon një herë e pastaj e do përsëri e përsëri. Ia morën kapelen, bastunin dhe i vunë varësen pas derës.

Në sobë ishte ndezur që më parënjë zjarr i lehtë dhe në dhomë i ngrohti sikur e kishte mundur atë pak freski që ishte jashtë buzë liqenit. Nata ishte e bukur, e paharruar. Bardha, si nikoqire e madhe pogradecare, e butë si liqeni në pranverë, e kishte mbushur tryezën. Në vend të kafesë veç likosë karakteristike të bërë me qershitë e Mokrës i nxorri një gotë verë. Ndërkohë që të tjera shishe prisnin në radhë. Dhe poeti e piu. E pinte ngadalë si të shihte me ca sy poeti pranë edhe veraxhiun që e nxirrte atë nga mushti i rrushit të ëmbëltuar me diellin që binte në shpatet e kodrave. E kishte pranë dhe atë që ia kishte dërguar veraxhiut kofinët me rrush nga ajo rrugë e largët ku nuk kishte makinë, por kishte ca kuaj që ecnin të ngadalshëm me ngarkesën e bukur që mbanin shpinat e tyre të djersitura. Për Poetin çdo gjë duhet të ishte e ngrohtë, pa dyshim dhe e bukur edhe e paharruar. Dhe në atë kohë, të paktën në verë, kur vinte ai nga Tirana në Pogradec, ishte lumturi që ta kishe pranë , t’i flisje e të pije një gotë verë. Sa herë që vonohej pak, të gjithë shqetësoheshin dhe pyesnin të gjithë se pse nuk kishte ardhur se mos ishte sëmurë se mos…Se liqeni me bregun e tij, pemët, lulet, Mali i Thatë nuk kishin bukurinë e tyre p haoat e poetit liqenor. Shumë herë gati çdo ditë ai shkonte dhe pinte kafe në Hotel Turizmi. Në një kohë që të gjithë pogradecarët jashtë politikës atë engjëll Pogradeci që e përgjonte kudo, kishin për nder që të pinin madje dhe ta qerasninpoetin, po ai asnjë herë nuk pranonte që ta paguanin të tjerët kafenë. …Jashtë liqeni shushurinte. Ja kështu si liqeni me valë ishte shumë herë dhe jeta e poetit, por edhe e këtyre njerëzve. Me valë e me dallgë. Një sfidë ndaj viteve që i donin që të mbushnin tryezat, po mbi të gjitha të kishin të madhe shpresën, forcën e jetës…. Secili kishte një lloj heshtjeje kur u ulën dhe po shkonin njëri-tjetrin në atë shtëpi jo dhe të madhe. Ishte një nga ato pallatet e vegjël ku mund të masje me pëllëmbë edhe një dhomë gjumi edhe një kuzhinë. Në kuzhinë vinte një erë e mirë në aromë gjellë e veçantë që poeti nuk po e kuptonte mirë se çfarë ishte Pas një bisede të shkurtër, gati protokollare, Bardha e bërë sy e veshë, solli një mbulesë te tavolina. Ishte një mbulesë që ajo e kishte qëndisur bukur dhe që e mbantë për miq të rrallë. Dhe poeti ishte krymiku i rrallë i pragut të tyre. Atë ditë dimri pogradecare. E para poetit ishte edhe një herë prova e mikpritjes pogradecare. Sidomos e gruas që është nikoqirja e shtëpisë jo vetëm për zahiretë, për qëndismat, për pastërtinë, por edhe për darkën dhe drekën që do shtruar për miqtë dhe fëmijët.

 

Vuri atë mbrëmje bashkë dhe me Tomin një pjaktë me djathë me disa turshi të bëra vetë, kishte skuqur ca patate për ta shoqëruar dhe verën. Pas pak në tavolinë erdhi me plot aromë një tavë e madhe me zogj. Ishin të pjekur mirë dhe të bënin zili që t’i shihje, pale që t’i haje kur ishin aty pranë njëri-tjetrit në tavë. Ishin me koka, e secili ishte vënë në mënyrë të çrregullt në tavë. Ku ishte koka, nuk ishte këmba e vogël e një zogu. Ashtu si i kishin shtruar para se t’i vinin në furrë për t’i pjekur. Nuk kishte gatuar peshk e Tomi me Bardhën menduan para kohe se do të ishte bukur që atë natë ta prisnin atë, me këtë gjellë krejt të veçantë, që edhe ata vetë nuk e kishin ngrënë prej kohësh. Ndoshta e kishin shijuar pak shijen e zogut në fëmijërinë e tyre kur dilnin jashtë qytetit dhe me ca leqe fëminore zinin ndonjë zog të uritur dimri dhe e piqnin në një zjarr të vogël të improvizuar diku, në ndonjë gëmushë. Lasgushi e pa me vëmendje tavën dhe ndali. Gati sikur mbajti frymën. Në vend që të dëgjonin një lloj fjalë të mbushur me urime,me falenderime për atë po i vinin para, që përherë Lasgushi e shoqëronte edhe me një të qeshur të ëmbël, ata u çuditën për një lloj fytyrëngrysje të tij. Ç’po ndodhte ose më mirë të themi se çfarë kishte ndodhur më para se të vinte ajo kryegjella e darkës së atij dimri. -Janë shumë të mirë dhe ta pastër, -e nxiti ajo si për të hequr atë drojen që po shoqëronte çdo veprim të poetit. -Edhe Bardha i paska bërë për qejf, Lasgush,- tha Toma për të plotësuar edhe më shumë mendimin e gruas së tij. Lasgushi e shtoi edhe më shumë ngrysjen e fytyrës. E kishte mik të vjetër Tomin dhe bashkë me të edhe zonjën Bardha, po atë çast sikur u bë më e menduar. Donte që ta dinte me këmbëngulje se çfarë po bluante poeti. -Pooooo, shumë të mirë qënkan bërë, moj motër, e të lumshin duart, moj nikoqire, por unë nuk do ta prek këtë tavë as me dorë nuk do e prek e asnjë zog nuk do të marr nga ajo. Ndoshta as me sy nuk dua ta shoh. E ju nuk do më zemëroheni asnjë çikë. Asnjë grimë nuk do më zemëroheni. E para, unë që të ha këto zogj, më duhet që kur të kthej vizitën tuaj në shtëpinë time me këtë zakon të mikpritjes, nuk mund që të gjej një tavë të tillë. Nuk dua të mbetem me borxhe në jetë qoftë edhe për këtë tavë me këta zogj që para disa ditësh kanë fluturuar si shtërgu në valë në gjethe pemësh, në drurë që sapo kanë lëshuar lastarët. E prandaj mos më tupëroni për këtë. E dyta, më kujton kjo tavë një histori të bukur të dhimbshme që ka ndodhur në Vjenë në vitin 1927. Unë isha në Grac aso kohë. Djalë student isha. Sy e veshë se ç’bëhej në Austri që më ishte bërë si një Shqipëri e dytë. Shkova 23 vjeç dhe erdha 33 vjeç. 10 vjet qëndrova atje Atë vit Graci kishte vetëm 250 000 banorë, por ka universitetet më të vjetra të Evropës. Tërë ditën mësonin dhe shihnin muzeumet. Nga një herë shkonin edhe në Vjenë. Aso kohë aty nga viti 1927 në Vjenë e në të gjithë Austrinë kishte një mot të keq. Borë e madhe. Tufan. Kur ka dimër, gjëja e parë që mendon njeru është ta kalojë me shëndet, me të gjithë familjen. Të ketë shëndet të mirë dhe ushqim që nga më i moshuari e deri te më i vogli në djep. Një qeveritar në një dimër të egër do që të ketë sa më pak humbje në qytetin e tij, në shtetin e tij. Po na qënka më i mbarë njeriu i thjeshtë dhe pushtetari kur mendon edhe për krijesat që ia bëjnë më të bukur jetën në dimër e në behar! Për lulet dhe drurët. Për zogjtë dhe barin. E na qënkej një hata e madhe për zogjtë. Hataja më e madhe që po bëhej ato ditë dimri në Vjenë në Grac e në tërë Austrinë ishin dhe zogjtë.. Po, po zogjtë. Po, po, zogj si këto që më keni shtuar këtu në tryezë. E ç’t’i bënin mijëra zogjve vjenezë që ato ditë kishte rrezik që të ngordhnin, ose të vdisnin do ta thoja sikur të ishin njerëz. Po rralloheshin ata një nga një në pemë, në skulpturat, monumentet, në çatitë e ndërtesave qeveritare e të banorëve pa e ditur se ku do të kishin fundin e tyre. Kur është kohë e bukur, zogjtë vjenezë janë mësuar të prekin me këmbët e tyre të vogla sa e sa statuja shatërvanë, parqe në qytet. Nëse Vjenën e quajnë ndryshe Qyteti i Valseve. Dikush e ka quajtur edhe Qyteti i Zogjve. Dhe kryetari i bashkisë së Vjenës ato ditë dhe një urdhër të çuditshëm të bukur të paharruar, mbase edhe sot e kësaj dite asnjë kryetar në Evropë, nuk e kishte dhënë ndonjëherë në karrierën e tij shtetërore. Ç’bëri thoni ju? Me të gjithë mjetet e komunikimit, u tha qytetarëve iu lut, i këshilloi që të hapnin dritaret. Të hapnin dyert e ballkoneve që të futeshin në dhomat e tyre të ngrohta sa më shumë zogj. Ndoshta të gjithë zogjtë që i përkisnin qiellit të Vjenës. Asnjë nuk duhet të ikte nga jeta e tyre nga ai i ftohtë i egër. Sa të ikte bora, shiu, e në Vjenën e Valseve të Shtrausit të vinte pranvera. Pemët donin sërish zogjtë. I donin fëmijët. I donin të dashuruarit. Të gjithë i donin. Se Vjena nuk do të ishte kryeqytet i Bukurisë edhe pa atë valsin e bukur dhe magjik të zogjve të saj në qiellin e saj. Dhe vjenezët e bënë këtë, por jo si urdhër këshillë, sugjerim, lutje, marrëdhënie që kryetari i bashkisë ia kërkonte atyre. Këtë urdhër, këtë këshillë mund ta jepte secili që nuk ishte aso kohe kryetar bashkie. Një rrëfim gati tronditës po bëhej në gojën e poetit. U harrua tava. Avulli i zogjve pak nga pak po ikte dhe zogjtë atje në tavën e pjekur po prisnin një dorë që t’i merrnin e të shijohej shija e tyre. -Lajmi erdhi erdhi e në Grac ku isha unë dhe shumë të tjerë. Nuk kishte rëndësi se a kishte qytetari vjenez apo jo. Mund të ishte aty turist për disa ditë. Të gjithë të gjithë ata që vinin kokën në jastëkët e atij qyteti i hapën dritaret. Dhe zogjtë pak edhe me droje e gjetën udhën drejt dhomave. Në ato shtëpi të vjetra e të reja. Në pallate dhe në rrugica me gurë të vjetër e të lëmuar. Pa dyshim që u gjetën kokrra grurë, thërrime buke e ushqime të ndryshme për ta. U sajuan edhe vendi i ujit. Vetëm në kafazë nuk u futën fare. Dhe cicërima e zogjve u bashkua me gëzimin e fëmijëve për këta pjesëtarë të rinj të familjeve të tyre që ata nuk mund t’i quanin miq. Këta zogj që më keni vënë këtu janë pjesë e qiellit të Pogradecit tonë. Janë bashkëudhëtarë të pulëbardhave dhe të nositëve të liqenit. Më falni, po unë nuk mund t’i ha këta zogj. E do t’u thoja përsëri edhe në gjë tjetër atë që ju thashë edhe një herë më lart. Nuk kam qenë borxhli as edhe i një kafeje. Unë nuk kam mundësi që t’ua kthej këtë nder që po më bëni ju. Nuk mund të gjej kaq shumë zogj për drekën kur mund të vini në shtëpinë time.”

Të thuash se ishte habi ishte pak fare pak. Ata nuk mund ta detyronin më poetin sërish. Sikur ndalën dhe valët e liqenit. Por edhe vetë nuk e zgjatën dorën pirunin që të merrnin nga tava me një avull që kishte kaq shumë shije. Përderisa nuk po i merrte Poeti edhe ata nuk mund të hanin. Pinë dhe një gotë tjetër verë si të qetësonin pak atë gjendje shumë të veçantë që u krijua aty Pas pak Lasgushi doli nga shtëpia. Tava sërish kishte mbetur pas krahëve të tij dhe të atyre familjarëve. Iu duk se në atë kor të madh zogjsh që fluturonin në plepat buzë liqenit apo dhe pak më larg, në Volorek. Mes atij gjelbërimi të jashtëzakonshëm mungonin 10 zogj. Ata i ishin larguar korit magjik dhe klithjes së pulëbardhave në valë. Kush ishte fajtori? Po, asnjë nuk e mori vesh. Tomi dhe Bardha qëndruan ca çaste në derë duke shoqëruar siluetën e poetit me shkopin e tij karaktersitik dhe me Gucin që ecte duke e përkëdhelur të zotin te këmbët e tij. Pogradeci kishte marrë një pamje tjetër për të dhe për ata njerëz të mirë që qëndronin atje te pragu dhe vështronin poetin, hënën, valët, bregun…. Atij i ishte shtuar edhe më shumë trishtimin poetit edhe pak urinë. Gjethet fërfëllonin në degë. Një trazim i ëmbël, por dhe pak i shqetësuar të vinte kur shihje atë mbrëmje