Suplementi Pena Shqiptare/ Muzafer Ramiqi “Dashuri në shtegtim”

259
Sigal

Intervistë me shkrimtarin dhe poetin e njohur Muzafer Ramiqi

 Libri “Dashuri në shtegtim” që kthen  fokusin e njerëzve për të investuar në ndjenja

 Nga E.B., Nju Jork

Shkrimtari dhe poeti Muzafer Ramiqi, ka lindur në vitin 1967, në fshatin Pozharan, Kosovë. Rrjedh nga një familje atdhedashëse, fisnike, bujare dhe sakrifikuese. Shkollimin fillor e bëri në fshat, ndërsa të mesmen në Komunën e Vitisë. Ka përfunduar studimet bachelor në drejtimin Menaxhimi i Burimeve Njerëzore në Kolegjin “Pjetër Budi”: si dhe studimet në master në drejtimin Menaxhment i Përgjithshëm në Kolegjin “Universum” në Prishtinë. Me shkrime merret që nga fëmijëria dhe deri tani ka botuar katër përmbledhje me poezi. Në kohën e rinisë ka botuar në shtypin periodik të kohës në revistat “Zëri”,” Bota e Re”, revista e Fakultetit të Mjekësisë “Refleksi”. Ka marrë pjesë në orë të panumërta poetike. Si student ka qenë udhëheqës i grupit letrar dhe recitator në fshat.

Përveç se në gjuhën shqipe, Muzaferi ka shkruar ose përkthyer vepra edhe në gjuhën angleze, frënge, rumune dhe kineze. Është prezantuar me një cikël poezish në gjuhën shqipe dhe rumune në antologjinë “Apele iubirri” (Ujërat e dashurisë), në vitin 2012 në Bukuresht të Rumanisë. Po ashtu në revistën Pelegrin, ka botuar një cikël poezish si dhe së fundmi edhe në revistën “ Poetry Hall”, revistë bilingual Angleze dhe Kineze, volumi 3, 15 Prill 2020 i janë botuar dy poezi në gjuhën angleze dhe kineze.

Librat e botuara:

  1. “Anemia e kujtimeve”, poezi, 1997, Shtëpia botuese “Asdren”.
  2. “Mendoj për ty”, poezi, 2003, Shtëpia botuese “ Buzuku”, Prishtinë.
  3. “Portat e heshtjes”, poezi, 2011, Shtëpia botuese “ Prishtina Press”, Prishtinë.
  4. “Dashuri në shtegtim”, poezi, 2019, Shtëpia botuese “Meshari” Prishtinë.

Para afër dy vitesh revista  “Pelegrin”, të cilën e nxjerr klubi letrar “Drita” ka botuar një cikël poezish. Po ashtu ka qenë redaktor ose recenzent i disa librave me poezi të autorëve të rinj.

Muzaferi është gjithashtu edhe tekstshkrues i këngëve.

Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?

Libri im më i ri titullohet “Dashuri në shtegtim” dhe është botuar në verën e vitit 2019.

 Për çfarë bën fjalë libri?

Si gjithë librat e mia edhe në librin e ri “Dashuri në shtegtim” dominon motivi i dashurisë, dashurisë si ndjenjë universale, e cila gjendet në çdo qenie, jo vetëm te njeriu. Flas për dashurinë ndaj njeriut, ndaj partnerit, prindërve, fëmijëve, vëllezërve, motrave, miqve, të panjohurve, ndaj tokës, qiellit, ajrit, gjithësisë…me një fjalë çdo gjëje.

Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?

 Mesazhi im është një vetëdijsim për të investuar më shumë në ndjenja, ngaqë njerëzimi kohëve e fundit e ka humbur fokusin. Njerëzit çdo ditë e më shumë po bëhen vetjak, injorues ndaj të tjerëve dhe rrethinës, fare nuk iu bëhet vonë për të tjerët dhe nuk lodhen aspak në kultivimin e marrëdhënieve me njëri-tjetrin.

 Çfarë strukture ka libri?

Në libër kam përfshirë 102 poezi gjithësejt dhe është i ndarë në katër kapituj ose cikle: 1. Rrugët, 2. Ecje, 3. Qëllimi ,4. Dashuria.

 Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?

Mua më frymëzojnë jetërat e njerëzve, historitë e tyre, fatet e njerëzve, fati i njerëzimit. Nga po shkon kjo botë, ka po shkojmë ne si shoqëri dhe mundohem që t’i thërras vetëdijes së njerëzve për t’u vetëdijësuar për fatin e botës.

 Cilin libër do të veçonit nga veprimtaria juaj?

Të flasësh për librat, është si të flasësh për fëmijët e tu. Është vështirë të dallosh se cilin do e doje më shumë, përkundër dallimeve, që mund të kenë mes vete. Por, për nga realizimi teknik dhe artistik, do e veçoja librin “Portat e heshtjes”, që për mua është një realizim gati i përsosur dhe do dëshiroja të përkthehet dhe në gjuhët e huaja, sidomos në angleze për vlerat që ka, vlera që i rezistojnë kohës.

 Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?

Në kohën e rinisë kam lexuar shumë libra dhe besoj se ajo ka qenë koha e formësimit tim si krijues i ardhshëm. Nga poetët më eminent dhe që ka lënë mbresë të thellë në mua është poeti rus Sergej Esenin, arsyeja pse mund të them se ishte një qasje krejt ndryshe ndaj poezisë dhe shtjellimit të temave.

 Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?

Siç e kam përmendur edhe më lart, më interesojnë fatet e njerëzve, raportet ndërnjerëzore, ngjarjet. Mbi të gjitha dashuria si ndjenjë më fisnike dhe më e lartë. Synimi im është që të trajtoj tema sociale, diversitetin kulturor, dallimet në pikëpamjet e njerëzve, luftimi i paragjykimeve dhe emancipimi kulturor, një urë lidhëse mes të kaluarës dhe së ardhmes.

 Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?

 Sot, teknologjia i ka mundësuar secilit që dëshiron të shkruajë çfarë dëshiron. Shprehja e lirë është në nivelin më të lartë; kjo ka mundësuar që t’i shmangemi censurave të ndryshme, qoftë atyre me karakter politik, fetar etj. Por prapë mendoj se duhet një lloj auto-censure, ku secili që shkruan të reflektojë pse jo dhe të konsultohet me ndonjë krijues profesional para postimit. Në anën tjetër, çështja e botimeve ka dalë prej kontrolli ngase shtëpitë botuese janë shndërruar në biznese, ndaj për të botuar sa më shumë libra nuk vendosin asnjë kriter, shtëpitë botuese as nuk bëjnë më as redaktimin as lektorimin, krejt çfarë bëjnë është vetëm se marrin numrin ISBN dhe këtë e bëjnë në marrëveshje me shtypëshkronjat për të marrë ndonjë pjesë të fitimit.

 Çfarë e bën të suksesshme një shkrimtar?

Përkushtimi ndaj poezisë, dashuria ndaj lexuesve, krijimi i një rrethi krijuesish, të cilët të përkrahin dhe vullneti i fortë për të përballuar sfidat, sepse të qenit shkrimtar do edhe sakrificë, për këtë duhet edhe përkrahja e familjarëve.

Ku mund të blihen librat e tu?

Nëse e keni fjalën për librat e mi, unë nuk kam shitur libra: ato i dhuroj; poezia ime nuk ka çmim, unë krijoj për lexuesit. Sidoqoftë, dëshira ime është që librat e mi të jenë të qasshëm edhe në versionet elekronike, që të mund t’u ofroj sa më afër lexuesve kudo qofshin ata.