Suplementi Pena Shqiptare/ Murat Aliaj: Në kujtim të mikut tim Caush Çokut

347
Sigal

 

Sot FB më kujton ditëlindjen e Caush Cokut, mikut tim të mirë, që nuk mund ta uroja, sepse ai kishte ndërruar jetë pak kohë më parë. Iku nxituar, në një kohë kur, pas shumë vuajtjesh e plasëbuzjesh, e kish shtruar jetën e mund ta gëzonte siç deshte e siç e meritonte. Por fati bën të vetën, duke luajtur lodrën e tij të prapë. E vetmja gjë që mund të bëj sot, në kujtim të mikut tim, është që të sjell këtu ca kujtime nga vitet tona me te pafajshem. Ishte mesi i viteve ’60 kur ne u gjendem në të njjtën bankë të gjimnazit “1 Maj” në Fier. Në mendjen time Caushi ka ngelë po ai djalë ekspresiv, me ca flokë të verdhë e të pashtruar. Me një natyrë shpërthyese e kryelarte. I dhënë me shpirt pas poezisë. Ato ishin vite kur në shqip depërtuan veprat e lirikëve më të mëdhenj botërorë, në përkthime shumë dinjitoze, e ne si miturakë që ishim, linim mendjen pas tyre. Ato ishin vepra të tilla që edhe pa e pasë mikrobin e krijimit, do të lindëte. Caushi ishte djalë i mprehtë e me horizont. Në mësime ishte mesatar, pa ndonjë veçanti që mund të binte në sy, përveç talentit poetik, tek i cili besonte . Një vit më sipër nesh, Caushi kishte vëllain, Bedriun, i cili gjithashtu ishte i dhënë përveç letërsisë edhe pas sportit e muzikës. Ne si më të vegjël, i shihnim me admirim, sepse klasa e Bedriut ishte mbushur me djem që tërhiqnin vëmëndjen e që lanë emër më vonë. Në atë klasë ishte Ylli Bufi, Anastas Pone, aktori i shquar Ahmet Pasha e plot të tjerë. Me Caushin kishim gjetur njëri tjetrin. Çdo ditë lexonim krijimet tona dhe diskutonim. Me një sedër dhe konkurrencë fëmijnore, që vështirë se mund të imagjinohet sot. Ato kohë pat një ngjarje, që bëri bujë në gjithë vendin. Shpërtheu fonatana e pusit 642 në Marinëz dhe të nesërmen Caushi solli një poezi optimiste për fontanën. Më kishte mundur. Ajo poezi e shkruar në varg të lirë, ishte një shpërthim poetik, si vet fontana. Si sot e mbaj mend triumfin e tij të derdhur në ata vargje. Ai kishte natyrën të tillë që s’mund të kufizohej në vargjet e rregullt strofikë. I rrinin te ngushte e i kufizonin mendimin. Shumë vonë, pashë poezi të tij, tepër të regullta në metër e rimë, ç’ka më bindi se jeta bën të vetën me cilindo, sado rrebel që të jetë. Të dhënë pas letërsisë, harruam se programi shkollor kishte edhe lëndë të tjera. Kishte mamatikë e fizikë që bënin kërdinë në çdo semester. Letersia perhere ka pat marrdhene te ftohta me matematiken dhe me kete shpjegohet fakti qe shumica e poeteve lindin e vdesin ne varferi. Ndonje rast si Khajami qe shquhej edhe ne letersi edhe ne matematike, mbetet perjashtim. Thone se edhe Ajnshtajni shkruante vjersha… Mbetem te dy më matematikë dhe askush s’deshi të dinte për faktin se shkëlqenim në letërsi. Këtu rruget tona u ndanë. Ndërsa unë e përsërita vitin në një gjimnas tjetër të qytetit, Caushi shkoi në shkollën dy vjeçare të rezervave të punës në Vlorë e pas saj, dëbohen familjarisht nga qyteti i Fierit. Vazhdimi është dhimbshëm, sepse pasohet me arrestimin e të dy vëllezërve që vuajten një dënim absurd për mbi 20 vjet secili

Të tjerat dihen, ose merren me mend, deri në vitin 1991 kur u vendos pluralizmi dhe të dënuarit politik u liruan. Gjithashtu u liruan edhe të tre vëllezërit Esati, Bedriu e Caushi, pas një kalvari të gjatë vuajtjesh. Kujtimi sjellka kujtimin dhe unë s’mund të lë pa përmendur takimin tim të parë me Bedriun. PD fitoi pushtetin në zgjedhjet e dyta pluraliste në vitin 1992. I pari Esati u bë deputet i PD në të parin parlament pluralist, i dyti Bedriu, shef i rendit në Mallakastër dhe i treti, miku im Caushi u bë gazetar i një organi të Komunitetit Evropian në Romë, ku dhe u vendos familjarisht.. Përballja ime e parë u bë me Bedriun në kushte jo fort të këndëshme. Ato kohë punoja si gazetar në të pavarurën JAVA të rretheve të jugut, duke mbuluar me kronika rrethet, Lushnje Mallakastër, Fier e Vlorë. Në një fshat të Mallakastres kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. Një mësues vazhdonte të mbante në klasë portretin e Enver Hoxhës dhe bënte propogandë komuniste me nxënësit. U informuan organet e rendit, të cilët shkojnë në shkollë, prishin mësimin dhe rrahin keq mësuesin. Miqtë e mi, prej të cilëve merrja të dhënat për shkrimet, ma njoftuan këtë ngjarje, pa ma thënë shkakun përse kishte ndodhur dajaku i famshëm. Pa e bërë të gjatë shkruaj kronikën “Mallakastra nuk e duron shkopin e gomës” i cili të nesërmen botohet në faqe të parë të gazetës. Atëherë gazetaria ishte luftë e vërtetë dhe ato kohë unë i kujtoj me të njëjtin tension e dridherime, si atëherë. Në orën 5 të mëngjezit, dëngu me gazetat e ditës, më vinte në shtepi nga shokët e redaksisë dhe vet unë e shpërndaja në rrethet që mbuloja. Marr pjesën që do lija në Ballsh dhe nisem me trenin e parë. Dorëzoj gazetat në pikën e shitjes dhe ulem në klub për të pirë kafen. Më afrohen dy djem dashamirës e më thonë të largohem menjëherë, sepse ndodhem në kërkim nga policia. Mendohem pak dhe në mend më vjen fakti që shef i rendit të Ballshit ishte Bedri Ḉoku. Çfardo që të ndodhte, kisha një farë shprese se kockën do ma ruante, ndaj nuk pranova të largohesha. Ç’kish për të ndodhur, le të ndodhte.

Ndër kohë vijnë dy policë dhe më marrin në komisariat. Në korridor më thonë të prisja, pasi më kërkonte shefi. Pas disa minutash del vet Bedriu dhe në vend të më marrë në zyrë e të më thojë ç’kish për të më thënë, më hipën në veturën e tij dhe sëbashku përfundojmë në turizmin e Ballshit. Në vënd të prangave apo shkopinjve të gomës, tavolina u mbush me pije e bërxolla. Shumëkush që na shikonte me kureshtje s’po kuptonte ç’po ndodhte. Por akoma më pak po kuptoja vet unë, që e dija se ç’zullum më rëndonte.Si të mos kishte ndodhur asgjë, Bedriu nis e më pyet për punën e për familjen dhe fillojmë të pimë. Më rrëfen edhe faktin përse kishte ndodhur rrahja e mësuesit, duke më këshilluar që në ngjarje të tilla të mos harrojmë kurrë se jetojmë në kohë pluralizmi, kur asnjë palë s’ka përse t’i imponohet tjetrës. Kaq dhe hymë në temën tonë të pereferuar, letërsinë. E pyes për shokun tim të klasës dhe ai më dha të dhënat e para për Caushin. Më dhuroi gjithashtu edhe librin me tregime të tij e poezi të Caushit “DY VËLLEZËR NË NJË PRANGË” të cilin vazhdoj ta ruaj si kujtim të shtrenjtë. Pasi mbaruam punë aty nga mesdita, thirri dy policë dhe u tha: Këtë mikun ta përcillni nga Ballshi, pa i hyrë gjemb në këmbë!U ndamë dhe mua më hipën në një makinë të rastit, që shkonte në Fier. Pastaj…jeta bëri të vetën. Bedriu vazhdoi me detyra të tjera të rëndësishme e unë u largova nga vendi, si emigrant. Gjithë ato kohë nuk e hoqa kurrë nga mendja atë ngjarje. E dija se sikur kjo të ndodhte në sens të kundërt, dmth në pushtet të ishin ata që ne i njihnim mirë, sigurimi i shtetit, një ndodhi e tillë s’do kalonte pa u shkundur fort shkopinjtë e gomës. Por këto kujtime m’i solli i ndjeri Caush, me të cilin për mbi 15 vjetët e fundit, i patëm kontaktet pothuaj të përditshme nëpërmjet internetit. Ndaj edhe FB gati çdo ditë më sjell kujtime prej tij, biseda, foto e pesiazhe të shumtë nga Roma. Natyrisht që tema kryesore e bisedave tona ishte letërsia. Vazhdoi të shkruante, por me sqimë. Nuk ishte më ai lumi i rrëmbyer që shpesh dilte nga shtrati e përmbyste. Tashmë ishte i menduar, paksa filozofik. I ndjeshëm sa dhe dikur në të ri. Një cikël poetik të tij, me dashamirësinë e shokëve, e publikuam në shtypin tonë të Athinës. Ai u prit shumë ngrohte dhe ne prisnim të tjera bashkëpunime prej tij. Por… ishte shuar zjarri i dikurshëm. Jeta e ashpër që kishte bërë, ia kishte drobitur shendetin dhe pasionet, duke e marrë me vete para një viti. E si të mos mjaftonte kjo humbje e madhe, pak kohë pas ikjes së tij, ikën edhe vëllai i madh Esati. Ka njerëz që linden vetëm për të dhenë në këtë botë, pa lkërkuar prej jetës asgjë dhe pikërisht për këtë fisnikëri të pashoqe ata jetojnë gjatë në mendjet e gjithë atyre që i njohën.

Qofsh i paharruar miku im i moshës së ylbertë, Caush Ḉoku!