Suplementi Pena Shqiptare/ Moikom Zeqo: Lasgush Poradeci për Naim Frashërin

289
Sigal

Lasgush Poradeci i ka kushtuar dy poema  të  frymëzuara Naim Frashërit. Janë dy poema të jashtëzakonshme.Asnjë poet shqiptar nuk ka arritur dot t’i afrohet sado pak Lasgushit në këtë përkushtim, ku atdhedashuria, përfytyrimi kozmik, idetë inkandeshente krijojnë diçka më të fuqishme se sa bronxi përjetësues  i monumenteve.Në poemën e parë i quajtur thjesht “Naimit”, ka një  stil dhe tis baladik. Naimi shfaqet, që nga ai sheshi i purpurt i Qerbelasë, i sakrificës titanike dhe konceptuale në shekuj, duke i rënë xhurasë, mes trimërive stërgjyshërore, që kumbojnë rreth e qark.Një zë i përmallshëm e sjell në dritën e mendimit ku Naimi :

Ndaj fërfëllon si yll me flakë

prej shkretëtirës së harrimit.

Zilia e botës ngriu me tmerr përballë shëmbëlltyrës së Naimit, prushi i vuajtjes e mbuloi kraharorin e zhuritur të tij, por Naimi si flutura e vogël e natës e quajtur “Piraust” fluturon drejt flakës, sepse therorësinë e vehtvetes “e pati dhimbjen më të pakët”. Fjalët e tij prej dhëmbshurie u dëgjuan mbi botë, shumë dëshira të mëdha thurri mëndja e tij e rrallë, por i caktuar nga një short i verbër, ai do të përvëlohej në mes të padijes, ndonëse kishte mijëra rreze shkrepëtimi, do të ndriste veç një hije.Ndërkaq i dehur prej durimit, me mallin e pendës, e këputi zemrën, si gjënë më të paçmuar që kishte dhe ngriti lart për të ndriçuar dhe udhëhequr të tjerët në rrugët e errëta. (Kjo të kujton zemrën e zjarrtë të Dankos,  të shkruar nga Gorki). U drodh altari  i Atdheut, sapo i ndjeu eshtrat e shenjta të Naimit në thellësi të tokës. Naimi qe shpirti i kombit, gjuha e tij  e zjarrtë, që ëndërroi se një ditë do të ndriste me famë gjithë Shqipëria.

Mes ligësish armiqërishte,

stolismë lulen e vullnetit.

Zbuluam gur margaritari,

prej fundit thëthimtar të detit.

 

E m’i shkëlqyer sesa djelli,

m’i lum se kohët që më s’janë.

Filloj për ne ndryshim’ i motit

me një të pritme të paanë:

 

Naimi është rapsodi më i madh i kombit. Ai është Fjala e Pikave të Qiririt, që tretet deri në fund.

Por, që nuk vdes asnjëherë.

 

Sikur të shoh, i tmerrshmë Frashër,

ndaj po mban zi përgjithmon.

Ti: më besniku trashëgonjës

i dashuris’ së vendit tonë!

 

Në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë Lasgushi botoi poemën e dytë “Naim Frashëri”. Nuk kemi thjesht një plotësim të poemës së parë, por kemi një ngritje më të lartë të toneve poetike, që në një farë mënyre të kujton brenda Sinfonisë së 9 të Bethovenit, korin e zërave, më saktë të vikamave, që këndojnë Oden e Gëzimit.

Në çetele të kujtimit, që dhëmkoset pak-nga-pak,

ja shënova kohës sonë fluturimin vraparak

Lasgushi  i rikthehet fytyrës profetike të Naimit.

Ç’bën vallë nën rrasën e varrit,

 nën zinë e përjetëshme të gjumit pa ëndërra?.

A e ndriçon sërish fusha e Qerbelasë?

I këndon këngë malli Drini plak e i kulluar?

 

Naimi është një Hije e Shenjtëruar, që endet mes të gjallëve. Ai rishfaqet si fantazmë shekspiriane. Që nga tumba e përmbivarrëshme ai dëgjon nëse është ndrequr e folura (shqipja) në Devoll a në Bujanë? Një degradim i gjuhës amtare do të shfaqej si një mjergull e skëterruar, kurse bukuria e Mëmëdheut do të ngjante e pashijuar.

 

E atje, ku zër’ i kthiell s’diti ç’është fjal’ e shkruar,

me dëgjimin tënd fisnik e me vërejtjen e pasharë.

Gjuh’ e ëmbël e stërgjyshve do të dukej gjuh’ e vdarë:

Humbi radhën çdo të folur, çdo kuvend e ndyti shijen .

Ligjërata pleqërishte sot ka vrarë vetëdijen,

aq sa me t’u mëshiruar në kaq helm e kaqë prishmë.

Më të kot do të vërente veshi yt i harmonishmë,

a mos gjejë i tepërlumtur midis fjalëvet barbare,

tingëllimin q’i dha zërit frym’ e gojës shqipëtare…

 

Ndihet shqetësimi i madh për kohët politike. Gjuhë e Naimit paraqitet jo vetëm si linguistikë, por si dhe gjuhë, që flet për lirinë dhe përparimin e kombit. Ajo ka një harmoni divine, është një vetëtimë e harmonishme, që pushon brenda varrit. Shkatërrimi i gjuhës nuk është thjesht kontaminimi i saj  nga fjalët e huaja të panevojshme. Fjalët e shqipes po mjegullohen nga kuptimet.

 

Po nër bijt’e Mëmës sate, me gjyrmashë e me stërnipër,

shkatërrim’ i shpejt’ i gjuhës sot qëndron në vepr’ e sipër;

Sot po humb kuvend’i zogut ç’gjithë bukuri që kishte,

pa lëngon e nis të  shembet  folja jonë pleqërishte.

E në breg të kaq rrëmuje psherëtiu dh’u shua fare,

dyke rënë posi pika këng’ e orës shqipëtare.

 

Kush u tall se pasuria është rrob’ e larë n’ar?

Se një mendj’ e palëmpirë zbukuron një trup bujar?

Në fjalim të Shqipëtarit kush përqeshi? Kush gajasi?

Kush më tha se gjuh’ e sotme shëmbëllen me zë larasi?

 

Dhe ja shfaqet mbi gjëmën e shkatërrimeve një Demon i shkretëtirës, që përfaqëson të Keqen e Kombit Shqiptar. Është një qënieje e shpërfytyruar, e krijuar nga Mitet, por që deformon realitetin.

…Ky  Demon kërkon: Të përmbysin vetëdijen kur na fton mburim i jetës?!

… Të mendojmë kaqë errët mun në mes të së vërtetës?!

… Ta mjerojmë kuvendimin me kaq helm  e kaqë prishmë?!

…Kur fillon t’ja thotë shqipja me një hir të perëndishmë?!

Por kundër Demonit Shkatërrimtar është Naim Frashëri. Ai i ngjante Zeut, që e fiton për jetë a vdekje  me Minotaurin e Labirintit të Kretës. Kënga e Naimit ndërton. Është kozmogonia e çdo gjëje shqiptare. Kënga e tij është plot shkrepëtima, si ato të froneve qiellore në Apokalips, prej të cilave dalin aq shumë shkrepëtima, sa nuk mund të imagjinohen dot. Naimi gjen edhe prej helmit mjaltin e një blete të pranverës, bën që prej ferrave të dalin gonxhe trëndafili. Ai shtrydh nga zemra e tij ambrozin, ushqimin e zotave olimpike. Poezia Naimiane është si një valle diamantesh, që e le trashëgim për pasardhësit.

Drita e tij  verbon qëniet e errësirës:

 

E kështu kur hën’ e plotë lakuriqin e ka prekur,

ai ngeci nd’anë muresh dh’e u çukit e ra i vdekur.

Ra e shtrirë mes pishtari me qepallë të këputur.

E shastisur po nga flaka pendë-shkruarëza flutur.

E kështu-i javiti kryet një shfrerim edhe një bujë,

ku thesar’ i shenjt’ i gjuhës bëhet lodër e rrëmujë,

ku çdo goj’ e djallëzuar, mbledhur fshehura në klikë.

Me një fjalë barbaria zë një vend në politikë:

… Se ç’u mbush plot kapedanë – po me mendje-çilimiu…

Ç’ndriti Lushnja trimërore – po ç’u err dhe vetvetiu…

 

Lasgushi përmend Kongresin e Lushnjës të vitit 1924, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë politike të Shqipërisë. Gati përngjan se poezia lirike e Lasgushit shkëlqen deri në apoteozën e një pamfleti që kërkon drejtësinë e shekujve. Demaskimi që i bën Poeti të keqes dhe përçarjes, armiqve të kombit të sjell ndërmend pamfletin e Emil Zolaos “J’acusse”. Ka një vrull të pakufishëm demaskimi. Shpëtimi i Shqipërisë është plot me ndriçimet e një Revolucioni të  Shpirtit. Gjërat nuk janë të lehta:

 

Pastaj rrugësh arratije bje gjykimi – e gjëma shtohet,

pazë çbëhet ç’u pat bërë – ç’u godit zë shkatërrohet;

Ç’u ndërtua brez pas brezi, be greminë më në ças.

Ku këndoj bilbil’ i kombit, grifsh’ e huaj çirret pas.

Me përbrëndjen e shkrumbosur një poet, një deputet,

flet e çflet e vret e pret për një të vet virgjinitet…

Prej blatishtash tradhëtie shkumbëzon një farmason,

E me ton që të shurdhon dënon një renegacion…

E nj’ aty një tru-venitur që mban dije për një fij.,

Lajkatar a dërdëllitës nxjerr lëvozhga gjuhësije,

dyke lojtur maskaradën, si kasneci në pazar,

me dy sy të zgurdulluar, me një pedantizm barbar,

se pat humbur prej qëkuri shpirt’ i gjuhës  së atyre,

që në fat të lum të kombit janë shembëlla mynxyre;

Se për shqipen pleqërishte – për çudin’ e mosfjalosur,

vesh’ i tyre-i shushulluar ka timpanin e rrëxhosur.

E kështu-i kapsiti kryet ekzotizmi orë-li.,

Vijza mërshe e ngjyrë dheri mori shtat’ i saj fisnik.

E kështu filloi të ngrihet nga varrishtat e çdo ane

përmi gjuhën shqip të gjallë një mumje egjiptiane.

 

Ka një mendim të përgjithshëm se poezia e Lasgushit përherë i shmanget politikës, se është një poezi jashtë politikës. Në vargjet e mësipërme Lasgushi ngjan se ka shkruar  një manifest politik.

Mund të thuhet se kjo poemë e tij për Naim Frashërin mund të krahasohet vetëm me poemën “O moj  Shqypni, e mjera Shqypni” e Vaso Pashë Shkodranit, mund të krahasohet me poezitë më të mira politike dhe revolucionare të poetit gjerman  Henrik Haine. Kombi shqiptar duke patur Naimin ka të njëjtën ekuacion uniteti, siç ka vetë Naimi kombin shqiptar. Nga drithmat dhe dhimbjet e Shqipërisë “tundet bota e tërë”. Sepse gjuha shqipe e Naimit është pothuaj gjithçka ftillëzuese dhe e infinitëshme:

 

Gjuha: shpirti i shenjt’ i kombit, që kalon dyke kënduar!

Gjuha: zjarr, ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!

Gjuha: afsh’ i gjall’ i jetës! Shpat’ e ndritur e lirisë!

Gjuha: yll’ i vjershërisë! Gjuha: Verb’ i Perëndisë!