Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Zgjomë që pa gdhirë!

531
Sigal

Nesër, nënë,zgjomë që pa gdhirë,
pa pikuar vesa e brymtë mbi bar,
pa çelur dielli sytë e zjarrtë mirë,
pa kënduar pullazeve gjeli i parë.

Zgjomë se presin zogj shtegëtarë,
presin përlotur me sytë përdhe,
rrotull vërtiten shpend grabitqarë,
ndaj,moj nënë,braktisën çdo çerdhe…

Një degë molle vendosma në gji,
flokëve të bjerë pjeshka e vjetër,
të bekuarën puthje lerma ballit,ti,
se udha e mërgimit është e egër.

Mbrëmjeve kur erë e veriut të fryjë
e gjethja e mollës me dhimbje të bjerë,
ti mos rri përmalluar që acari të ngrijë,
kur befas shfaqem baçes si njëherë.

Ah, moj nënoke,për ty,jam në merak,
për zemrën e vrarë e mallimet e tua,
syrin që derdh ndonjë lot fsheharak,
e fluturimthi vjen e më pushton mua!…

Ti mos ki derte,do të vij pa gdhirë,
pa pikuar vesa e brymtë mbi bar,
pa çelur syrin e zjarrtë dielli mirë,
pa kënduar pullazeve gjeli i parë.