Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Të bekojë me ujë dafine, si Shën Mari

175
Sigal

Dhe unë do të puth butësisht si mëndafshi,

jam e sigurt,se s’do më thuash; Je e marrë!

Poshtë gushës, ku shpërthen petalet afshi,

do mbjell puthjet, një nga një ,me radhë.

Dhe do lë pas ndrojtjen, të gjej një shteg,

edhe sikur, ai i uruar, të më çojë në ferr.

Mos qofsha gabuar, ke dashur të vish vet

dhe unë, ndaj kacavirrem lule manaferrë.

Jeta s’është e shkurtër për të thënë, të dua,

as shumë e gjatë për të mbajtur mëri.

Pëshpëritmë si era dhe dorëzohu tek mua,

të bekojë, me ujë dafine, si Shën Mari…

 

Ç’magji ka buza jote?

 

Ç’magji ka buza jote, oh, ç’magji paska ajo!?

Themelet e qenësisë sime, drithëroi,

qumështin e gjirit prushëroi me një puthërim,

më thithëroj si ajrin dhe s’gjej shpëtim.

Se ç’magji ka buza jote, as ti vetë s’e di,

kur rrëshqet dalldisur mbi gushë e gji ,

pak vërshim pranvere lë në fshehtësi ,

sythet nën lëkurë, i zhvesh me butësi.

Kur mbrëmjeve më vrasin mendime turbulluese,

buza jote shkund ngricën e pesimizmit.

Ngaqë për shumë kohë buza jote ishte tunduese,

vendosa t’ia pi limfën,të qetësoj shpirtin.

Se ti vjen tek unë, si pëllumb i një planeti tjetër,

në sqep mban eliksirin shërues, për mua:

Të dua me pamundësinë për të të dashur më tepër,

me butësinë e burrit të dashuruar, më thua.

Sepse si një Markez, me ndjenja afshi fluturake,

shpirtin ke të hapur për një dashuri të madhe.

Në lartësitë e Everestit ngjiten zemrat tona,

si dy kambana, që bien njëherësh me jehona.

Burimi i buzëve të tua ma shuan etjen, pak nga pak,

hojet e kurmit, dozën e pasionit ma shtojnë.

S’dua t’ia di, në është marrëzi, kjo dashuri pa cak,

me gjithë fuqinë e shpirtit femëror, të dashuroj.

 

Të ngjall dhe vdes, me syrin e tretë

 

Sonte ylli i syrit tënd, po tretet perënduar,

ndonëse qiellit u bëra hënë e dritëruar.

Iris’ i syrit tim s’mund të qesh e gëzojë,

dhe pse stuhia e yjeve nis të “vallëzojë”.

I vij rrotull syrit tënd, edhe pse ka ngrirë,

vala e dashurisë s’shushurin më në sy,

as shiu meteorit, akullin se ka shkrirë,

asgjë s’pipëtin dhe nuk fëshfërin aty…

Dhe hap syrin e tretë, brënda trurit të qetë,

me fuqi mistike, hedh shigjetë të mprehtë.

Të bëj t’më dëshirosh, kur përvëluar rrjedh

sipër zjarrit të shuar, si thëngjill i nxehtë.

Se shpërthimi erotik, turbullon dhe rrëqeth,

shuan frymën, si qiri, derisa shpirti vdes.

Po, kur dhimbja ëmbël shtatin ta përqeth,

thërrmohesh në grimca të vogla me vesë.

Po, kur ballit fëshfërij, të kthej sërish në jetë,

Rigëtin thellë zemrës dhe s’më lë të qetë,

më lidh brenda syve, me magji të fshehtë,

por me syrin e tretë, të ngjall e vdes, si dua vet.