Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Shëroma plagën e shpirtit!

238
Sigal

 

 

Dhe ja, tek shfaqesh perëndimeve rozë,

gushëkuq pranvere, me tërfil në buzë!

Dhe heshtjen thyhen, me të vetmen dozë,

që velin e shpirtit, vesh ëmbël një gushë.

Dhe unë që s’mund të vdisja në verbëri,

në folenë e errët të vdekjes natyrore,

agimeve kundroja horizontin me kërshëri,

të rendje çapitur mbi dhimbjet mizore.

Si notë muzikore nëpër fllade u përvodha,

ruajta melodinë, mos thahej në ngricë,

por, kur akullin shkriu, ëmbël buzëngrohta,

puthjet sipër flokut m’i qëndise karficë.

Dhe ndjenjë e vdekur u ngrit nga varri,

afshin e buzëve thithërojë e etur,

se aty, ti ndeze prushërime prej të marri

dhe zgjove yjësitë në qiellin e tretur…

 

Qiell me re do bëhem nëse s’më merr grua…

 

Qiell me re do bëhem nëse s’më merr grua,

do thyej me kërcëllimën e lotit retinat e tua,

përmbi iris, do kacavirrem, hënë e kuqëluar,

mjegull e dendur, para syve, për të të turbulluar.

Dhe limfë zjarrmuese, do rrjedh çurk, nëpër vena,

të ngjallet shpirti yt, murosur nën bedena,

kur të rilindësh mes limfës së zjarrtë, nga dehja,

do thuash: Ç’bëra,që të dëbova nga foleja?!

E në çast,do vesh parzmore me flokë stuhie,

shkallët e qiellit, do zbres me hap vetëtime.

Urën e shembur, do ngre me palcë jetësore,

me guximin dhe dashurinë e gruas tokësore.

Qiell me diell, do bëhem nëse më merr grua,

me prushin femëror, do ndez ndjenjat e tua,

në llavën e pasionit të zhytemi drejt dehjes,

pa pyetur për dallgët e padukshme të vdekjes.

 

Nesër do të jetë vonë

Oh, i dashur, sonte qenka çmendur vjeshta!

E thau sythin pjalmor që çeli mbi gjinj,

nën drurin e mollës më sulmoi me heshta,

petkun ma shqeu me gjithë kërthizë.

Nën të hollën dantellë me gjethe vjeshte,

fsheha gjoksin me kokrriza pjalmi,

por ajo më ndjek dhe nuhat në heshtje,

gjurmën, që kundërmon aromë mali.

Lëkura nën dantellë po nxjerr shkëndija,

shkrumb do të bëhet deri në agim,

nëse s’vjen të shuash prushërimet e mia,

do gjesh vetëm hirin e universit tim.

Vrapo i dashur, lotoi sythi i dashurisë:

vjeshta e thithi, pa zbritur në gushë,

nëse pi qumështin, që po vlon në gjinj,

nesër do më gjesh, mes gjetheve humus.

 

Më thotë do vij në vjeshtë!

Vet më the, e dashur, do vij në vjeshtë,

të dehem e tretem, në tëndin vresht!

Kokrra do shtrydh e shtyp mbi kërthizë,

gjirit të harliset lëngu mbi thithkë.

Eja pra, gjithë rrushin parajsor merre,

në zemër vure, ku të duash shtjere,

shtype pa frikë, mbi të nxehtat pëqi,

limfën e kuqe, ma jep verë ta pi!

Oh, i dashur, mos thuaj është shpejt!

Qielli nxiu vetullat, pas tij edhe retë,

yjet në qiell,  po shfaqen shumë rallë,

në cilin planet ke humbur vallë?!

Kokrra e pjekur në bistak po tretet,

era e shkund dhe asgjë s’do mbetet,

në flakë po digjet vreshti në vjeshtë,

ngjan me mua, që digjem dhe hesht…