Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Rozafat shqiptare murosen me thikë në zemër

714
Sigal

Shprehja :”Aty ku mungon gruaja,asaj duhet bërë një shtatore prej druri “,( Midan),dëshmon madhështinë dhe vlerën absolute të gruas,në lulëzimin e familjes dhe të ekzistencës së njerëzimit në tokë,vlerë ,që ua kalon thesareve më të çmuara të botës.Në rrjedhën e magjishme të kësaj thënie ,me dhimbje mund të shprehem  se ,aty ku mungon gruaja Rozafa ,shtatorja nuk është prej druri ,por e përbërë nga një përzierje e dhimbshme lotësh  ,gjaku e gjëmash apokaliptike,sepse të jesh grua ,nënë e bashkëshorte në shoqërinë shqiptare ,nuk është aspak e thjeshtë. Kjo për shumë arsye objektive,në moçalin e të cilave ekzistenca e gruas riskohet jo vetëm nga problemet sociale-ekonomike të kohës ,por dhe nga “sidroma Otello “ dhe dukuritë e trashëguara nga e kaluara e feudalizmit mesjetar ,që ende e konsiderojnë gruan “pronë të burrit”,apo “instrument të mashkullit “.Në këtë kontekst ,duhet theksuar se gruaja ka qenë dhe është më e goditura nga fanatizmi ,më e përbuzura  , më e përfolura ,më e dhunuara,më e rrezikuara prej krimit dhe shtyllë torture e veseve kafshërore dhe kënaqësive mashkullore.Popujt dhe kombet e civilizuar e çmojnë dhe lartësojnë vlerën e gruas,cilësitë dhe aftësitë e saj të pazëvendësueshme në  përkushtimin në dashuri dhe bashkëjetesën në çift, në shpirtëzimin e themeleve të kështjellës familjare,që  është bërthama e një shoqërie në zhvillim.E cilësuar si  bartëse e mëkatit mijëravjeçar , si seks i dobët e mendjeshkurtër për të drejtuar familjen ,apo për të vendosur për fatin e saj, gruaja mbetet kryeviktima e të gjitha kohërave dhe pse Zoti ,kur e krijoi gruan tokësore, i dha asaj të drejtën sublime të lindte krijesa për t’i dhënë jetë planetit Tokë, i dha instikte mëmësie për të qenë krijesa njerëzore më perfekte për ekzistencën dhe lumturinë e  njerëzimit ,i dha muzën nga burojnë të gjitha dashuritë tokësore,por shpatullat ia bëri të forta për të mbajtur peshën e dhimbjeve për të rilindur jetën. Gruaja ,kjo krijesë hyjnore solli dritën në tokë,sepse çdo grua është yll për universin njerëzor.Vështrojini yjet në qiell se sa lartë qendrojnë dhe sa vlerë e bukuri kanë. Është më shumë se shokuese të dëgjosh fjalët drithëruese të një rozafe të dhunuar ,apo keqtrajtuar nga bashkëshorti a mjedisi patriarkal shoqëror ku jeton: “U shoftë dita që linda dhe ajo natë kur dikush tha“është ngjizur një vajzë “”,apo të dëgjosh klithmën ulëritëse të fëmijës jetim ,që ka parë tragjedinë më të llahtarshme të të gjitha kohërave,kur babai  kriminel i infektuar nga “sidroma Otello “ka vrarë para syve të tij ,nënën,perëndeshën  që e mbajti nëntë muaj në barkë dhe e ushqeu me qumështin e ngrohtë të gjirit .Ulërima klithmore :”Pse nuk vdiqa në barkun tënd ,moj nënë! …”,   të shkund deri  thellë në trup e të thërrmon eshtrat.Jo më pak tronditëse është edhe stigmatizimi i  së keqes për figurën dhe  personalitetin e  vajzave nga familja dhe shoqëria.Vajzat konsiderohen ende si barrë dhe mallkim për familjen ,kur ajo kryen,sipas mentalitetit shqiptar, akte të turpshme ,që njollosin nderin dhe krenarinë e familjes e të fisit. Në disa krahina të veriut të Shqipërisë dhe në Kosovë konfirmohen  raste sporadike ,ku vajzës i vendoset fisheku në pajë,të cilin ka të drejtë ta përdorë bashkëshorti i saj  dhe vendos për jetën e saj me vetëgjygjësim,nëse ajo e turpëron duke shkelur kurorën e martesës .Këto stigma dhe trashëgimi zakonore ,e ndrydhin jetën dhe kufizojnë liritë e femrës, duke e detyruar atë, të jetë përballë dy zgjedhjeve: të thyhet e gjunjëzohet në luftën kundër pabarazisë ,ose të rebelohet për të marrë në dorë frenat e jetës së saj.Në shoqërinë tonë patriarkale,gruaja është gjahu dhe burri gjahtari ,që robëron dëshirat që ajo ushqen,për të fluturuar e lirë drejt ëndrrave,e poshtëron, e përçmon për vlerën që ka dhe  e vret barbarisht për margaritarët që ka në shpirt.As njerëzit e egër nuk ishin kaq të egër e të dhunshëm me gratë e tyre ,sa janë sot,meshkujt modernistë e të dhunshëm, me pamje më të frikshme se egërsirat. Gratë e mira dhe fisnike janë të gjykuara të jenë skllave dhe viktima të meshkujve të pagdhendur ,egoist ,paranojak hakmarrës ,xhelozë patologjikë e sadist ,të meshkujve kriminelë ,që edhe pasi e kanë kryer krimin, shprehen me vrazhdësi e krenari prej mashkulli primitiv,se kanë të drejtën e  pushtetit dhe diktatit mbi gratë e tyre,madje kalojnë në ekstremitet sharjesh e përbuzjesh duke iu veshur atyre epitete nga më të të rëndomtat dhe pse ato janë gratë martire,që iu kanë dhënë statusin “baba”,me krijesat që kanë sjellë në jetë. Dhimbja e shkaktuar nga “sidroma Otello “, merr përmasa hiperbolike, kur një pjesë e mirë e shqiptarëve ,aludojnë rreth shkaqeve të vrasjeve,duke i shoqëruar me doza të forta humori banal.Ky mjerim i trurit mashkullor ka filluar të jap ndikim fatal ,në shfarosjen e rozafave, në shterpësinë e dashurisë,në mungesën e filizave të së ardhmes,në shtimin e jetimëve fatkeq,në plakjen e brezave,në prishjen e strukturës së familjes tradicionale dhe shkatërrimin e themeleve të civilizimit modern.Burrat në Shqipëri janë xhahila për gratë,duan ti kenë robëresha të përhershme deri në intimitet.Ndaj,ju, gra ,skllave e bija skllavesh,nëse nuk keni kurajon  të respektoni veten ,të integroheni brenda familjes dhe shoqërisë ,s’keni për ta merituar asnjëherë lirinë. Hiri i përbuzjes ,do turbulloi shikimin dhe do ju mbuloi deri thellë në varr,teksa jeni duke klithmuar sagën epike të jetës së pajetuar.Një burrë i pamësuar dhe i  paedukuar me normat ,rregullat dhe ligjet e shoqërisë në zhvillim,nuk është as më shumë e as më pak, një mashkull ,arrogant,primitiv ,si vetë familja dhe shoqëria pjesë e së cilës është .Të fortët meshkuj ,me muskuj çeliku,por fatkeq për trurin që iu ka dhënë natyra ,vuajnë nga deliri i të qenët superior kudo, mbi këdo e mbi gjithçka. Kur gruaja ia dorëzon veten një burri të tillë, duhet ta dije se zemra do i copëtohet dhe ëndrrat do vdesin pa e parë dritën e universit. Dhuna psikologjike dhe fizike që po ushtrohet sot, ndaj gruas,deri në zhdukjen fizikisht të saj,i kapërcen kufijtë e njerëzores, duke kaluar në kafshëri dhe shëmtim rrace.Vetëm kur të shkulen me gjithë rrënjë atavizmat e së kaluarës feudale dhe koncepti ,se burri është sundimtari i përjetshëm i femrës ,trungëzuar në trurin e mashkullit arrogant e raja’,kur krimet e kryera ndaj gruas të ndëshkohen ashpër jo vetëm nga kamzhiku i butë i ligjit,por dhe nga familja e shoqëria shqiptare ,kur të minimizohen  martesat e parakohshme në zonat rurale ,kur gruas t’i jepet e drejta e ligjësisë mbi pronën dhe kur të përfshihet  në rrugën e fuqizimit arsimor ,ekonomik ,politik e social ,vetëm atëherë litarët e vdekjes rreth qafës së grave rozafa, thikat e ftohta e të mprehta në zemrat e tyre,vuajtjet dhe dhimbjet e shpirtit, do minimizohen,familjet do jenë më të shëndosha dhe shoqëria do të eci e sigurt në rrugën e civilizimit. Ulërima korale e rozafave shqiptare ,të murosura me thikë në zemër ,tashmë,e kthyer në shtatore dhimbje,mishëron frikën më të thellë njerëzore.Në shtatin e saj gjendet “valvula e gjashtë “ ,e përshkruar  në Apokalipsin e Gjonit .Valvula ka filluar të pësojë krisje dhe gjëma ka nisur të thërrmojë trojet arbërore dhe mbarë botën. Imazhi tronditës i familjeve që po shkatërrohen ,sikur të mos kishin ekzistuar fare,gjakosja e zemrave të rozafave ,që në thelb është zemra e familjes dhe e universit,duket qartazi që nuk ka prekur nervin,psikologjinë dhe trurin e shqiptarëve,të cilët më shumë janë të interesuar për politikën ,sesa për “valvulën e gjashtë”,në shtatin e shtatores së dhimbjes.