Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Një gdhënjkë verë, nga vreshti yt

201
Sigal

 

( me motiv popullor)

 

Nga vreshti yt, që kuqëlon në vjeshtë,

ah, sikur të pija një gllënjkë verë!

Të më bije në gjunjë e t’më puthje vetë,

vullkan do bëhesha, pa u menduar dy herë.

Kur shkelje majën e barit në mëngjes,

të shijoja aromë mushti, larë në vesë.

Po kur sythet e gjinjve harliseshin nëpër net,

të thosha, eh, çka bërë Zoti me dorën e vet!

Ti s’do t’ia dish, se gdhihem pa gjumë,

po ç’ti bëj zemrës, që të do aq shumë!

Rend në vreshtin tënd që pikon musht,

pi një gllënjkë e vdes mbi të tuat gjurmë.

Kur nata të zë në vresht e dielli shuhet,

më sheh së largu, por s’di pse druhesh!

Ndoshta atë çast, ujk i uritur të dukem

dhe rend, si sorkadhja vreshtit të strukesh.

Bukuria jote thërrmon palcën e gurit,

dhe jo më zemrën e ndjeshme të burrit,

që dridhet në gjoks, si kallir i grurit,

se, ti me një fllad, ia heq trurin.

Në më rrëmbeftë një tjetër, çdo bësh ti?

Ogiç nga pas, kush do të vijë?

Por, ti e di, që për ty tretem si qiri:

kryqëzohem në vreshtë e bëhem rrush i zi.

Edhe po të dua, ti s’më lë të vdes!

Në vreshtin tënd, heshtur më thërret.

Pse u vonove?- pyet me syrin e qelqtë.

Pastaj me shkrepje të beftë, më vret.

Nga vreshti yt, që kuqëlon dhe hesht,

ah, sikur të pija një gllënjkë verë!

Ujë burimi do bëhesha, të rridhja qetë,

mbi gjinjtë e nxehtë, nën jelek.

 

Në vreshtin e zotërisë sate

( me motiv popullor)

 

( T‘u rritën cicat, t’u rritë , obobo, oiii,/rrush papjekur aguridhe, obobo, oiiii ./ Po kur të hapa xha-moj-xhamadanin ,/ unë i mjeri obobobo, oiii, oiii ./ Të gjeta moj qumësht dallandyshe, o bilbil oooo !)

Në vreshtin e zotëris’sate, ka nisur të fryjë era.

Vjeshta kosit gjethnajën nëpër kreshta.

Ti me shportë në dorë, hyn e del te dera.

Obobo, të ziun djalë, ç’po e vret kureshtja!

Enkas kishe lënë pa vjel majën e rrushit të bardhë,

pjekur nga afshet e tua, moj e marrë,

kur gjiri të rrëzonte pikla qumështi, me ajkë.

Tani që gjithë fushëtira frymon brymë të hollë

dhe fole e shtërgut shkërrmoqet në heshtje,

ti ngjit kreshtën, me sytë nga mali me borë

dhe tinëz gjuan djaloshin, me bulëza djerse.

Në vreshtin e zotëris’sate, këshishën ta grisi dega,

në thellësi të vreshtit, e fshehu era!

Barit të vesitur, rendi djaloshi dhe e gjeti.

Aroma vashërore gjakun ia ndezi …

Ah, kur rrushi t’u derdh gjirit, moj e uruar,

e dalldise djalin, me rënkimet e tua.

Papritmas ndjeu brenda vetes, të bëhej fajkua,

të çukiste gjinjtë e shartuar me ftua.

T’u rritën cicat, t’u rritën, moj e bukura Hyrije,

në vresht të zotëris’ sate, rrush papjekur aguridhe.

Por, kur djali hapi jelekun, me bisht të syrit e godite,

se gjinjtë të pikuan qumësht dallëndyshe.

Ah, kur buzën ngjeu në qumësht gjiri,

nën poret e lëkurës, i çelën lule prilli,

se në burimet e tua, me nektar të paçmuar,

cili burrë s’u deh dhe s’mbeti i dashuruar …