Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Kjo vjeshtë solli dhimbje të përbotshme

614
Sigal

(ELEGJI PËR TRAGJEDINË E 26 NËNTORIT)

Oh, mëmëzonja ime,e vuajtur me halle !
Kjo vjeshtë e hidhur të hapi plagë të madhe,
bijtë e tu i dehu me mushtin e verës majhoshe,
i vuri në gjumë,kur një fjalë mund t’ua thoshte.

Dridhjet e tokës me klithma vjeshte t’ua çonte,
foshnjen e gjirit,me fëshfërimë ta zgjonte,
të dashuruarit t’i shkundte me afshe vjeshtore,
oh,kjo vjeshtë solli dhimbje të përbotshme.

Nga piskama e dhimbjes u ngrit shpresa ime,
Zogu i Krishtit cicëroi në mendjen time,
shkreptimë vetëtime fluturova drejt galaktikës qiellore,
dritën e yjeve rrëmbeva për jetët njerëzore.

Venusit ia rrëmbeva pelerinën,që kurrë s’e kish hequr,
të ngrohja zemrën e foshnjes ,nën rrënoja mbetur,
të ndriçoja sytë e binjakëve pranë nënës përqafuar,
por,oh,Zogu i Krishtit në parajsë i kishte çuar !

Pikëlluar ia mora shaminë hënës paraagimore,
të fshija lotin e fëmijëve mbi shtrojet mortore,
nxitova t’ia shtrydhja gjinjtë Udhës së Qumështit,
t’ia lagia buzën fetusit,me vesën e mushtit.

Nga dhimbja e thellë,ia rrëmbeva rrezet diellit,
të thaja lotin e dashurive në lentet e qiellit,
purpurime vjeshte të sillja rrënojave mjegullore,
shpirtrave të rritej filiz’ i paqes shpirtërore.

Oh, mëmëzonja ime,e vuajtur me halle ,
kjo vjeshtë e hidhur të hapi plagë të madhe,
por supet e tua janë shkëmbore,si malet,
lermë të të fshij lotin,që nuk di të ndalet !