Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Dashuria është bekim

701
Sigal

Me fatin kisha kohë që rrija zemëruar,
jetës ëndërroja t’i jepja një tjetër ngjyrë,
kërkova dritë jeshile lëkurës së brazduar,
dhe fletëve butësisht t’u hiqja fajësinë.

Papritur erdhe ti, që aq shumë kërkoja ngahera,
atë buzëmbrëmje hoqe ankthin tim të trishtë,
brenda shpirtit tim mbolli rrënjët pranvera,
nëpër ajër u tret ajo jetë me fytyrë të nxirë.

Mbi supin tënd, e qetë kokën vendosa,
buzëqeshjen fisnike ma hodhe në buzë,
pse jeta më kish qepur drithërima të ftohta,
kur brenda saj paskej diell kaq shumë.

Asnjëherë si femër s’më kishin trajtuar,
zemra më kullonte lot vreri e zhgënjim,
sikur kisha një njollë brenda trupit të harruar,
dhe shpirti më fluturonte pa sens, e pa argëtim.

Askush në jetë dhurata s’më kish falur mua,
si ato që më bëre ti, pa asnjë paragjykim,
dhe bukuria e syrit që më deshi si grua,
kur puthi zemrën që s’kish njohur dashurinë.

Atë çast shpirti,si fëmijë më qau i gazmuar,
kuptova që si femër kisha akoma vlerë vet,
ja fala dashurinë që priste fatin e bekuar,
këtij burri engjëll që më solli sërish në jetë…

(Poezia është mesazh për të gjitha femrat që fati i ka gjykuar ashpër)

Shkëputur nga libri me poezi “Dashuria është bekim”