Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Antologjia “muza e alpeve”-një olimp i vogël letrar

967
Sigal

 

Mimoza ÇOBO

Antologjia” Teuta” –një Olimp i vogël letrar .Kështu e ka cilësuar me modesti prof.dr.Agim Vinca- poet, studiues dhe kritik letrar,antologjinë poetike të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”.Kjo antologji është një kompozim poetik i përbashkët i krijimtarisë së pesë laurentëve të deritanishëm të Çmimit për Vepër Jetësore TEUTA. Perlat poetike që formësojnë aureolën e këtij olimpi të vogël letrar ,ushqejnë me oksigjen biosferën e letërsisë sonë kombëtare ,të letërsisë europiane dhe kulturës së tri shteteve ,të Shqipërisë,Kosovës dhe Malit të Zi.Ikonat e letërsisë, Jevrem Bërkoviq (laureat i vitit 2013), Dritëro Agolli (2014), Ramiz Kelmendi (2015), Mirash Martinoviqi (2016) dhe Moikom Zeqo (2017) ,me krijimet e tyre i kanë dhënë antologjisë atmosferë emocionale me larminë e pasur të tematikave dhe figurave stilistike ,të cilat sa të pasura janë në brendinë e tyre,aq njësim të brendshëm i japin këtyre veprave,të veçanta për nga rëndësia dhe misionit për triumfin e fjalës poetike drejt përkorjes morale ,si forca energjike që përcjellë ndjeshmëri në trurin njerëzor për të rrokur magjiken , tingëllimin unikal të së bukurës ,filozofinë e jetës,vështrimin sinkronik për të ndriçuar bashkekzistencën e disa kulturave brenda artit.Dy botimet e para të “Teutës “ antologjia “Muza e Alpeve” dhe poema dramatike “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, e autorit Xhevat Limani janë përkthyer në gjuhën malazeze. Antologjia u përgatit nga shkrimtarja dhe themeluesja e Shoqatës Rajonale “Teuta”,Ajete Shaban Beqiraj, në bashkëpunim me prof.dr.Anton Nikë Berisha, prof.dr. Salih Bashota, Safet Hadroviq-Verbiçki , Ali Daci si dhe u përkthye nga Nikollë Berishaj, Dimitrov Popoviq, Anton Nikë Berishaj dhe Smajl Smaka .Redaktimi i veprave u realizua me përkushtim dhe profesionalizëm nga poeti dhe studiuesi Agron Tufa ,si dhe shkrimtari e akademiku Zuvdija Hogjiq. Veprat poetike të Shoqatës “Teuta “ janë vlerësuar nga studiuesit e artit dhe kritika e tri shteteve ,nga vijnë krijuesit laurantë.Vepra të tilla i japin mundësinë studiuesve të përcaktojnë nivelin gjuhësor e artistik ,të cilat pasurojnë polifoninë e veprave,nxjerrin në pah strukturën e mendimit teorik ,të kompozicionit ,të rrëfimit ,etj,që e bëjnë veprën letrare të admirueshme për kohën dhe brezat.
Poeti dhe studiuesi Agron Tufa- redaktor i antologjisë në lidhje me vlerësimin që i ka bërë antologjisë midis të tjerash është shprehur :Antologjitë poetike si kjo, do të jenë një urë e çmuar, që do të sjellë komunikimin e vërtetë, zërin e trazuar, të ngrohtë apo të pikëlluar, por gjithsesi njerëzor të poetit, për të cilin jeta dhe vlerat e saj janë njësoj të shenjta e të paprekshme si për popullin i tij, po aq dhe për tjetrin, fqinjin, të ngjajshmin përbri. Në mungesë të kësaj njohjeje të tjetrit (njohjes së kulturës shpirtërore), dimë se gjithmonë boshllëkun e njohjes e zë ose paragjykimi, ose demagogu (çka është e njëjta gjë), pavarësisht i çfarë fushe është ky demagog: politik, fanatik fetar apo nacionalist. Dhe kur hapësira e natyrshme e komunikimit zihet me këtë llojë rrace, ajo i hedh në erë të gjitha urat e tjera humane. Pikërisht mendjet e ndjeshme e të mprehta dhe zemrat e trazuara të poetëve përpiqen, që kjo hapësirë e natyrshme e komunikimit njerëzor të mos helmatiset nga ajo rraca tjetër, e cila shemb ura e thellon gremina. Të tillë janë poetët laureatë të kësaj antologjie të parë, sidomos poeti malazes Jevrem Bërkoviq dhe poeti shqiptar Dritëro Agolli. Si njëri ashtu dhe tjetri hyjnë në konflikt ndërgjegjie me marrëzinë e vendit të tyre, bashkatdhetarëve të tyre, me moralin e përmbysur, tjetërsimin dhe agresivitetin kafshëror, që kanoset të zhbëjë në pluhur e hi gjithçka që qe ngritur me sakrifica, nderim, brishtësi e dashuri ndër breza .” Antologjia e Shoqatës “Teuta” shprehet prof.dr.Agim Vinca , ka si titull togfjalëshin metaforik
“Muzat e Alpeve”, sepse shpreh karakterin gjeografik të trevës nga vijnë shkrimtarët e përfshirë në të dhe deri diku edhe profilin e tyre krijues. Alpet përshkojnë gjeografinë e tri vendeve :
Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi dhe janë të ngulitura thellë në botën shpirtërore të njerëzve të kësaj toke dhe në kujtesën e tyre historike. Secili nga këta laurentë ka tiparet e veta krijuese, por ata i lidh dashuria për njerëzit, lufta kundër së keqes, ëndrra për një jetë më të mirë të popujve dhe njerëzve, pavarësisht nga përkatësia etnike e fetare. Krijimi i urave të komunikimit midis popujve ka qenë dhe është misioni i artit të letërsisë. Të pesë laureatët e Çmimit “Teuta” kanë krjijuar vepra me vlera të larta artistike, që përçojnë mesazhe universale. Antologjia “Muzat e Alpeve” i pasqyron në mënyrë të denjë këto vlera.” Shkrimtari akademik Zuvdia Hogjiq Berisha, redaktor në gjuhën malazeze e nis vlerësimin e tij për dy veprat e “Teutës “me një shprehje të goditur metaforike : “Kur muzat nuk heshtin …Të mençurit kanë thënë ,shprehet ai : “Kush e tregon rrugën, është meritor si ai që ka arritur në cak.” Nëse caku është, siç thotë Elioti, atje ku edhe ku ia kemi filluar, poetja e talentuar Ajete Shaban Beqiraj është në rrugën e suksesit dhe po e udhëheq karvanin poetik “Muzat e Alpeve”, i cili bashkon krijuesit më të rëndësishëm letrarë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, duke vizituar qytete e qyteza, duke kryer misionin fisnik të
njohjes së kulturave të kombeve mike, duke i afruar ato me bashkëpunim, me afirmim dhe mirëkuptim, duke kontribuar në pasurimin shpirtëror të hapësirës në të cilin qëndrojnë dhe jetojnë. Duke e vlerësuar kreativitetin, por edhe kontributin njerëzor dhe etik të pjesëmarrësve të manifestimit “Muzat e Alpeve” në lidhjen e ndërsjellët të kulturave, dikush me humor e komentoi se ata ngrenë dhe ndërtojnë ura edhe aty ku nuk ka lumenj, duke shprehur në atë mënyrë shumë më tepër seç duket. Karvani poetik “Muzat e Alpeve” vazhdon të udhëtojë, duke bartur dhe sjell dhurata që pasurojnë dhe fisnikërojnë secilin që ka zemër dhe shpirt, për t’i pranuar ato. “Muzat e Alpeve” nuk heshtin por me punën e vet, letrare dhe njerëzore, i vetëdijshëm se ngjashmëritë janë të natyrshme dhe se ndryshimet janë pasuri. Ai vazhdon të udhëtojë, çdo herë më i suksesshëm në misionin e vet kulturor dhe human. Nikollë Berishaj përkthyes i poezive të antologjisë shprehet :“Një përkthim i dobët, përkthyesit të mirë mund t`i veshë një varg etiketash shpesh tejet të egra. Por, vetëm përkthyesi mund të përjetojë ngadhënjimin, gjegjësisht zhgënjimin e(mos)suksesit të përkthimit të një detaji, të tërësisë vështirë të përkthyeshme. Nëse ky detaj në origjinal ka peshën domethënëse, ndjenjat e përkthyesit janë edhe më të kuptueshme. Gjithmonë, përkthyesi shoqërohet më së shumti me autorin, por kësaj radhe edhe përzgjedhësit e poezive, gjegjësisht fragmenteve të laureatëve ishin në nivelin më të lartë të duhur. E të bësh përzgjedhje nga autorët si Jevrem Brkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq dhe Mojkom Zeqo ,duhet pranuar se nuk është aspak punë e lehtë. Poema dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me autor Xhevat Limanin, e përkthyer në gjuhën malazeze nga Qazim Muja, është botim i dytë i Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta “. Për këtë poemë recesent Jevrem Brkoviq shprehet se poema dramatike “Gjergj Kastriot Skenderbeu”, me autor aktorin dhe poetin Xhevat Limani ,është një vepër e jashtëzakonshme e monumentale në letërsinë shqipe. Tingulli epik i jep jehonë poemës dramatike të Limanit. Ashtu si në ndonjë ritual magjik kjo poemë është gjithmonë në fqinjësinë më të afërt të magjisë.Poeti sjell në jetë imazhe të një kohe dhe një vizioni ,vizionit të lirisë. Ky vizion bëhet trashëgimia kryesore e Skënderbeut, rreth së cilës do të formohet historikisht vetëdija e shqiptarëve modernë. Poeti Limani është i vetëdijshëm për këtë dhe me guxim hyn në rindërtimin dhe ringjalljen e një epoke, e cila, në një mënyrë poetike dhe falë poezisë, vazhdon të zgjasë. Dhe atë që e përjetëson poezia ka fuqinë të mos mbarojë kurrë … Poema dramatike e Limanit është një kontribut i vyer në kulturën bashkëkohore shqiptare. Safet Hadroviç – Verbiçki- redaktor gjuhësor ,vlerëson veprën poetike “Gjergj Kastriot Skënderbeu “,duke theksuar se Skënderbeu është një hero kombëtar ,i cili me kalimin e kohës është rritur në një legjendë, nga legjenda në mit, duke u vlerësuar dhe kremtuar ndër shekuj nga të gjithë shqiptarët kudo që janë,kurse poetin dhe aktorin Limani, e cilëson aktor karizmatik,kolos të skenës dhe teatrit. Ai i mësoi lexuesit shqiptarë e malazes të dëgjojnë zërin e perëndive, të kuptojnë mesazhin e fuqishëm, se shqiptarët janë një komb, kanë një flamur, zakone unike ,rrojnë dhe vdesin për liri . Qazim Muja – përkthyes i poemës dramatike” Gjergj Kastrioti Skenderbeu” thekson se përkthyesi bashkëkohor nuk mund të mbështetet vetëm në njohjen e gjuhës të cilën e përkthen, por dhe në të gjitha veçantitë e asaj gjuhë. Kjo natyrisht vlen edhe për gjuhët tona, të cilat edhe përkrah ngjashmërisë së kulturave, dokeve e zakoneve, mëgjithatë i kanë ndryshimet e tyre të caktuara. Edhe tek përkthimi i poemës dramatike “Gjergj Kastriot Skenderbeu “,bëhet fjalë jo vetëm për për gjetjen e problematikës së ekuavalentit të gjuhës por edhe për transferin e kulturës të cilën në këtë rast duhet bërë, duke mbajtur në jetë gjithë tekstin e përkthyer, duke i dhënë simbolikisht edhe atë tingull, i cili do t’i mundësojë kulturës malazeze njohjen me të. Vepra e Xhevat Limanit është e pasur me fjalë të reja, me një leksik të begatë, i cili kërkon vëmendje dhe shtjellim të vecantë gjatë përkthimit. E gjithë poema është një thirrje apo një lloj kushtrimi i vet heroit, e endur me ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut, luftës për liri dhe dëshirës për fitore. Vlerësimet e studiuesve dhe kritikëve të artit mbi dy botimet e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta “kristalizuan në mënyrën më të plotë rëndësinë dhe rolin e këtyre veprave poetike në njohjen e mendimit letrar shqiptar dhe atij malazes ,në forcimin e bashkekzistencës së kulturave në art mes vendeve fqinje ,për të ecur në udhën e fqinjësisë së mirë ,të ndriçuar nga drita fosforishente e fjalës poetike.