Suplementi Pena Shqiptare/ Migjeni Qershijat

3878
Qershijat janë pjekun, janë bamë kuq si gjaku dhe në malsoren e re asht pjekun fryti i dashunis. Rrin malsorja në prak të kasolles dhe në ftyrë të zbehte të sajën skuqen buzët mu si qershijat në degëz. E qershija ka mbajtun mirë. I janë randue degët dhe varen gati me u thye. Dhe malsoren e re e randon barra nën zemër e nuk mundet me u çue, me këputë një degëz.
Qershija dhe malsorja janë randue nga frytet e veta e natyra kënaqet dhe qeshet. Por kush dëgjon qeshjen e saj?
Malsorja lakmon qershijat e kuqe. Lakmon qershijat për me shue ujën, se ka do kohë, që edhe misri u ka mungue. Kokrrat e fundit te tij i ruajtën për farë. Nesër duhet me i qitë nën dhe, dhe mandej me pritë derisa të bahet misri i ri. E për do kohë, misrit kanë me i xane vendin qershijat. Dhe malsorja e re si pranvera, me sy të kaltërt si qielli e buzë të kuqe si qershija, vuen … vuen nga uja. Shikon përtej kodrave dhe maleve, mbyll sytë, shikon… Shikimi i saj i molisun, i mërzitun… Gjithshkafja i asht mërzitun, vetëm jo jeta. Sado e keqe që asht e mjerueme, pa bukë – jeta prap asht e dashtun. Jeta në vetvete përmban një gëzim, gëzimin e të qenunit. E malsorja e re, pos këtij gëzimi, ka edhe një gëzim tjetër, gëzimin e natës. Kur shtrohet nata, dhe ajo shtrohet në shtresa pranë burrit dhe u lëshohet përkëdheljeve të tija mashkullore. Dhe harrohet vuejtja e ditës, uja në gëzimin e mahnitshëm të një çasti. Këto gëzime të natës i dhanë barrën e randë, por barrën e kandshme, të dashtun me zemër ngushtë të lidhun. Shikon qershijat, me i keputë s’mundet se janë të nalta, e në vjetin e kaluem, vetë i asht ngjitë pa farë zorit, – por, me t’avitunit të ndoj burrit, ajo shpejt u hudhte në tokë. Po, se veshja nuk ishte e plotësueme. Mendohet malsorja dhe idhnohet pse nuk mund të këpusë qershija. Por idhnimi në fund te fundit përkon me një dhimbë të kandshme tue mendue se barra, e shkaktueme nga gëzimet e natës, i ka fajet. Ah nett, nett! T’errta e të dashtuna! Kështu mendon malsorja, thjeshtë si asht e thjeshtë dhe e natyrshme dëshira e rinis së saj.
Në prak të kasolles del një plakë e keqe, tue i mbyllë sytë përgjysmë nga se drita e ditës pranverore asht në kulëm të shkëlqimit dhe e verbon. E reja don me i than për qershija, por i vjen turp. Prandaj çohet vetë, lëvizet ngadalë si një barkë me vela kur nuk ka erë, merr një hu të gjatë dhe vehet me këputë një degë. Por shpejt e shef se kot mundohet. Një djersëe lehtë e ftohtë i arrin shtatin e molisun e lëshon hunin dhe ulet nën qershi. E plaka në prak të kasolles s’tundet. Ka zbërthye këmishën e ndytë si qiella e dimnit, dhe ose numron të hollat ose ban ndonj punë tjetër.
– Nano ! A po munde të na këputish ndoj degëz qershija se po më rrënon uja?
– S’po mundem nuso… prit sa të të këthejë burri.
E nuses iu droth zemra. Një aht u shmang nga buzët.
Diçka u përmbys në mbrendin e saj. Një urrejtje – kundër kuj as ajo s’e dinte – por një urrejtje e pamëshirshme rritej, e zu për fyti e shtrëngoi… dhe e lëshoi kur lotët filluen me rrjedh rrkaj gjatë ftyrës së saj të zbehtë.

Grueja me shtat-zane, e undshme, e mjerueshme, vall çka do të lindi? A mundet me qenë frytë i saj prodhim dashnuer i natyrës? – Fryti i saj i filluem dhe i lindun në mjerim edhe ka me u rritë në mjerim, se vuejtjen dhe mjerimin e merr në trashëgim, dhe si pasojë e këtyne: urrejtjen. Urrejtja me të cilën u lind do ta bajnë ndoshta cub. E cubi asht cub! Rropos dhe u ve zjarmin shtëpijavet të ndrtueme prej vllime ligjesh shoqnore. E ai çka ep për ata gja? ” Ma shumë se me ma marrë shpirtin çka munt të më bani!” – pergjigjet cubi i rrethuem me zjarm në mes të katër murevet.

Malsorja nën qershi u shtri me gjëmim, i cili rrfente një dhimbë të jashtzakonshme. Malsorja plakë u çue dhe po i avitej ngadalë. Mbas pak kohe u perzien britma vuejtje lehone dhe vaji i foshnjes; i cili n’at menyrë çpall se asht pjestar i shoqnis njerëzore ndër keto vise të humbuna të botës. E nenesre, e urojnë djalin me fjalë: ” I shkoftë lypa mbarë!” (A ju pëlqen zotni, ky urim për fmitë e juej?)

E natyra prendverore qesh dhe kënaqet që po prodhon qershija të kuqe dhe fëmi të mjeruem.
Sigal