Suplementi Pena Shqiptare/ Migjeni: “Kanga e trumcakut”

739
…(i) lodhun, dhe ma i pakënaqur trumcaku me fat, qëndron mbi degë. Me urrejtje shikonte natyrën që s’e krijoi ma artikisht. Me përbuzje vërente bylbylin. Tashma e kuptoi mirfilli se duhet të vuajë nga fataliteti i gjanave! – Kështu tue mendue ndjen një lehtësi trumcaku. Në thellsin e ndërgjegjes së tij filloi të ndjehet filozof. (Kish të drejtë! se kush arrin ndër trutë e vet të jetë i pakënaqun me fat, ai me të vërtetë fillon me bamë filozofie – dhe një filozofi ma të vërtetë se çdo tjetër filozofi). Çuditej trumcaku për madhështinë e ndjesive të tij dhe çuditej për fatalitetin e gjanavee. Pse asht trumcaku, vetëm pse asht trumcaku nuk mund ta thotë kangën e bylbylit. Çuditej për padrejtësin e natyrës dhe ish gati të bajë diçka: një kryengritje kundra natyrës!… Por, trumcaku filozof e mundi trumcakun harbut. Me një indiferencë apatike fishklloi dhe fluturoi nga dera nën strehë të pullazit. Dhe aty ai nisi: Çiu-çiu e çiu-çiu, çiu-çiu si filozof cinik e faqezi. Ky paradoks i trumcakut mund të ngjajë edhe një milion vjet, kur truni i trumcakut të zhvillohet aq sa ash sot i zhvilluem truni i njeriut. E na, njerzit e këtij skaji të Dheut, për një milion vjet mund t’arrijmë që mos t’ia kemi zili njerzve që na rrethojnë (si trumcaku që ia kish zili bylbylit). Një milion vjet – afat i bukur… Si ju duket? – Jo, jo nukasht shum. Ç’janë një milion vjet para eternitas…