Suplementi Pena Shqiptare/ Memisha Gjonzeneli: Refugjatët

90
Sigal

Ishte e shtunë. Aliu edhe pse ishte ditë pushimi, u ngrit herët si zakonisht, pas tij dhe e shoqja, Arta. -Ç’pate që u ngrite kaq shpejt, ti e di qe sot është ditë pushimi? Ajo qeshi… -Po unë nuk mund ta lë burrin vetëm…  -Mirë i tha Aliu, me që u ngrite na bëjë nga një kafe. -Më prit sa të laj fytyrën! Ajo u la shpejt dhe vuri xhezvenë në sobë.  -Më mbush dhe nje gotë raki, porositi Aliu.  -O, -i tha Arta duke qeshur, -e dashke kafenë me bisht. U ulën të dy dhe po pinin kafe, shoqëruar me raki.  -Ali, dale të pi edhe unë pak raki nga gota jote, se më pëlqen. Aliu prapë qeshi…  -Pi sa të duash Arta, po më duket se ke filluar nga huqet! Mbaruan së piri kafenë dhe filluan nga muhabetet e zakonshme… Pas pak Artës se çfarë ju kujtua:  -Ali i tha, po sikur të hedhim short për llotarinë Amerikane?  Po na doli mirë, ndryshe ne edhe këtu mirë jemi…Aliu  u mendua pak dhe i tha të shoqes:  -Mirë të ka vajtur mendja… Që nesër do shkoj ta provoj. Po na doli, me zotin para, atëhere shohim e bëjmë…Mbas një muaji u kishte dalë emri në gazetë, që kishin fituar. U gëzuan shumë, sidomos fëmijët. Aliu kishte dy fëmijë: një vajzë dhe një djalë. Vajzën e quanin Meri dhe ishte 14 vjeçe, dhe djalin e quanin Klajdi dhe ishte 18 vjeç. Mbas ca ditëve shkuan në Tiranë në Ambasadën Amerikane. Ata u thanë çfarë do bënin dhe u dhanë edhe një afat. Mbas një jave ata i mbaruan të gjitha kërkesat dhe u paraqitën me dokumentat në Ambasadë. Ata i kontrolluan dokumentat dhe u thanë: -Çdo gjë është në rregull, tani bëhuni gati për nisje… Aeroplani po i afrohej Çikagos. Nga kabina e pilotit dikush foli: “Aeroplani po nis që të ulet, të gjithë pasagjerët të vendosin rripin e sigurimit dhe të drejtojnë karriget…Aeroplani u ul dhe bëri një zbritje të rehatshme  dhe as u kuptua kur rrotat prekën tokën. Pas pak ai u fut në parkim. Aliu u tha fëmijëve dhe gruas: -Çohuni, se mbërritëm në Çikago. Të dy fëmijët ishin si të mahnitur dhe po vonoheshin për të zbritur. E, hej, fëmijë,  shpejtë, se nuk kemi kohë. Të katërt, njeri pas tjetrit, zbritën  nga aeroplani, dhe nëpër një kalim si tunel, u futën në aeroport.  -Ky aereport është një nga më të mëdhenjtë në botë dhe quhet ‘OHERE’, tha i jati. Kaluan kontrollin dhe çdo gjë shkoi mbarë. Pastaj shkuan tek vendi ku do merrnin valixhet. Mbasi i morën dhe valixhet u benë gati që të dilnin nga aeroporti.  -Tani, -u tha Aliu, -jemi në Çikago. Këtu na pret një miku im, që ka mirëseardhur edhe shumë miq të tjerë shqiptarë përpara nesh. Emrin e ka Fejzi. Duhet të bëjmë kujdes që ta respektojmë shumë. Sa dolëm te dera, dëgjuam një zë që na foli shqip: -Hajdeni këtu, se po ju presim. Sa u gëzuan ata kur dëgjuan të flitej shqip, edhe këtu në fund të botës. U prezantuam me Fejziun. Ai me plot dashamirësi e buzëqeshje, na uroi mirëseardhjen. Ai u tha:  -Keni ardhur këtu, në vendin e lirisë, dhe të demokracisë së mirfilltë, për këtë jeni me fat…Në fillim do mërziteni pak, po mos u bëni merak, unë do ju ndihmoj për çdo gjë. Tani do vemi në shtëpinë time, që dhe ju të njiheni nga afër me njerëzit e mi. Pastaj me të parë dhe me të bërë… Shkuan në shtëpi te Fejziu. Ata po i prisnin dhe u gëzuan shumë kur i panë. Aliu bëri prezantimin:  Unë jam Aliu, kjo këtu është gruaja ime, Arta.  Ky është djali im 18 vjeçar me emrin Klajdi, ndërsa kjo është vajza 14 vjeçe dhe emrin e ka Meri…Ata, të gjithë me një gojë, u thanë: Ju marrtë për mirë Amerika! Dhe përgjigja, po njëzëri ishte: “Ju faleminderit!”.  Hëngrën bukë, që mysafirëve u pëlqeu shumë, ndaj e falënderuan me shpirt të zonjën e shtëpisë. Fejziu ua kishte bërë gati apartamentin. Ai e dinte që mysafirët ishin shumë të lodhur. Ju tha: -Çdo gjë e keni gati, unë po iki dhe nesër që në mëngjes, jam këtu. Ata, mbasi bënë nga një dush, u rregulluan për të fjetur. Apartamenti kishte dy dhoma gjumi. Në njërën fjeti çifti dhe në tjetrën fëmijët. Të nesërmen që në mëngjes erdhi Fejziu. Rregjistruan fëmijët në shkollë dhe më vonë shkuan nga zyra e emigracionit, ku u pajisën me dokumentat përkatëse.  U lodhën, po sidoqoftë ishin të kënaqur, se mbaruan punë. Fejziu iku në punën e vet, Aliu mori dhe disa gjëra në një dyqan, kryesisht për të ngrënë. Erdhi dhe koha që vinin fëmijët nga shkolla. U mblodhën të gjithë në shtëpi. Koha kalonte shpejt. Familja e Aliut u ambientua pak me terrenin. Aliu në Shqipëri kishte punuar elektricist, kështuqë me ndihmën e paçmuar të Fejziut, u rregullua në një kompani ndërtimi, ndërsa Arta  u njoh me disa gra nga Kosova dhe ato e morën në punë në pastrim natën. Shumë shpejt u rregulluan me ekonomi po edhe pse nga Shqipëria kishin sjellë ca pare. Ata u përshtatën dhe u sistemuan shumë mirë: Djali arriti në vitin e fundit në universitet për shkencat politike. Klajdi e donte shumë shkollën dhe studionte i preokupuar. Edhe çupa shkonte shumë mirë me shkollë. Ajo ishte në të mesmen, në vitin e fundit. Kishin mbledhur edhe disa të holla dhe Fejziu u rekomandoi që të blenin një shtëpi. Mbas një muaji  ata blenë një shtëpi, që si gjithmonë, miku i ngushtë, Fejziu, ua kishte gjetur në një vend të mirë dhe që dhe i plotësonte kushtet e banimit.  Kur hynë në shtëpinë e re, Aliu shtroi një darkë, ku ftoi miq dhe dashamirës, po në qoshen e nderit ishte Fejziu me familjen. Darka kaloi shumë mirë dhe të gjithë mbetën të kënaqur, po më të kënaqurit ishin të zotët e shtëpisë. Aliu shkonte në punë me një makinë të vjetër japoneze “tojota”, po për fat, me të nuk kishin pasur probleme. Fëmijët venin në shkollë me autobus, ndërsa Arta  shkonte me makinën e një shqiptareje nga Maqedonia, që e paguante. Pra, ishin të gjithë të rregulluar. Klajdi mbaroi shkollën dhe e mori në punë një kompani që kishte nevojë për profilin e tij dhe e paguante shumë mirë. Në fund të vitit të parë të punës, Klajdi donte t’i blinte të jatit një makinë. Aliu u gëzua shumë, se dhe makina e parë nuk po i punonte mirë. Kur e çoi tek ustai  për remontin  e fundit, ai i kërkoi 700 dollarë. Aliu nuk e la makinën për remont, se ju dukën shumë. Kështuqë, një ditë, babë dhe bir, shkuan në një dyqan që shiste makina të reja, po dhe të përdorura. Panë një makinë, që Aliut i pëlqeu: Ishte njësoj si makina që kishte. -Sa kushton kjo makinë? -pyeti Aliu, -6500 dollarë -i tha shitësi. Klajdi u largua pak. Aliu i tha: -Ma jep për 6000?  Ai po përtypej, po në kohen që do thoshte mirë, Klajdi i tha do ta marrim. -Jo bir,-  i tha i ati nuk e marrim. Mirëpo i biri nguli këmbë që ta merrte. Aliu i tha në shqip: -Jo bir, mos e merr, se do na e uli dhe do ta blejmë më lirë. Po Klajdi ngulte këmbë te e tija. I tha kjo është makinë e përshtatshme për ty, se dhe atë që ke  eshtë tojota, prandaj do e marr. Atëhere i ati i tha: -Bir, unë nuk hipi në atë makinë, -dhe iku. Aliu mori makinën e vjetër dhe e çoj për remont tek ustai, që kishte bërë pazar. Hipi në autobus dhe mbërriti në shtëpi. Djali  kishte vajtur më përpara në shtëpi dhe e kishte parkuar makinë e re  para shtëpisë. Kur Aliu hyri në shtëpi, e priti gruaja. Shumë e gëzuar, -ta gëzojmë makinën, -i tha Aliut. -Cilën makinë?, -i tha ai . -Ja, atë makinën që është  jashtë! Ai qeshi me hidhërim. -Ajo nuk është makina ime. Dhe i tregoi historinë së shoqes. Ajo i tha: -unë jam me ty, burri im, po mendoj se gjithçka do rregullohet! Po në të vërtetë nuk ndodhi ashtu: Aliu mbas dy ditëve e mori makinën e tij të riparuar dhe vazhdoi të shkojë si gjithnjë në punë. Klajdi, sa herë që kishte pastrim në rrugë, e lëvizte makinën e blerë, mos merrte gjobë. Aliu me Klajdin flisnin, qejfprishur vetëm gjera pa rëndësi: mirëmëngjes ose mirëmbrëma. Me këtë situatë kaloj thuajse një vit. Klajdi u mërzit shumë, ai nuk e kuptonte  pse babait  i kishte ngelur kaq shumë qejfi. Po një darkë e jëma e sqaroi, dhe i tha: -Shiko bir, ti e di që unë të dua shumë, po në këtë rast unë jam me babain. Një ditë Klajdi i mërzitur tha me vete: Kjo punë nuk mund të vazhdojë kështu. Ai shkoi dhe u rregjistrua për ushtar dhe ata e pranuan menjëherë. Për një javë do mobilizohesh.  Para se të ikte Klajdi u tregoi në shtëpi. Ju tha: -Nesër unë nisem për të kryer shërbimin ushtarak. Të treve sikur u ra rrufeja. -Po pse bir nxitohesh, -sikur i shpëtoi të atit…-Nuk mund të kalohej më gjatë, ndofta kam bërë gabim që nuk u konsultova me ty, po tani jam në moshë që mund të marrë vendime vetë.   Të nesërmen Aliu e përcolli të birin deri te zyra ushtarake. Aty doli një oficer që e priste  Klajdin. I jati e puthi në të dy faqet dhe iku në shtëpi,  nuk vajti as në punë,  po, sa hyri brenda, i tha të shoqes: -Më  sill një gotë raki! Klajdin e çuan në një qendër stërvitore. ..Dy muajt e parë mezi rezistoi, po pastaj u mësua. Nga fundi, kur do mbaronin stërvitjen, natën, u dha një alarm. Të gjithë ushtarët kaluan në gadishmëri, u nisën për aksion, duhej të kalonin në një zonë ku duhej të futeshin në ujë, që nuk ishte shumë i  thellë  po uji vinte deri në gjoks. Afër mëgjesit, mbaroi gadishmëria  dhe ushtarët u kthyen në repart. Të nesërmen Klajdi u gdhi me dhimbje gjoksi dhe me temperaturë, kështuqë u shtrua në spital. Mbas dy ditëve lajmëruan edhe familjen. Aliu shkoi menjëherë, në spital. I dhanë dhe një dhomë, afër djalit. Klajdi shumë i malluar, u gëzua shumë që i vajti i jati. Tani gjithë ditën rrinin bashkë, po asnjëherë nuk e zunë në gojë  qejfmbetjen. Mbas 15 ditëve Klajdi doli nga spitali. I dhanë edhe 7 ditë leje, të vente në shtëpi. Gjithë familja u gëzua pa masë. Ky ishte një mësim për të ardhmen, se gabimet paguheshin. Klajdin e emëruan në prapavijë, në administratë, me rrogë më të mirë se përpara, kur ishte  civil. Koha kalonte…Klajdi kalonte shumë mirë me punë. Aliu kish filluar dhe po rëndohej. Ishte me tension dhe sëmundjen e sheqerit. Ai vazhdonte gjithnjë mjekimin… Meri mbaroi  shkollën për ekonomi  biznes  dhe mbas 4 muajsh u fejua me një djalë shumë të mirë, me origjinë nga Berati. Edhe Klajdi ishte martuar dhe kishte një djalë. Aliu ishte shumë i lidhur me djalin e Klajdit.. Në dasmën e Merit,  Aliu, nuk qëndroi dot deri në fund, megjithëse ishte shumë i lumtur. E çuan në shtëpi. Kishin kaluar 6 muaj. Një darke Aliu i thërret së shoqes. Ajo erdhi duke qeshur. -He, i dashur, çfarë të të sjell? -Jo nuk dua gjë, po hajde ulu këtu afër meje. Ajo erdhi  dhe u ul pranë Aliut…-Të lutem e dashur, mos më ndërpre, kur të mbaroj unë, atëhere fillo ti…Ai filloj: -Jam shumë i lumtur për gjithë kohën që kemi kaluar bashkë. Po ashtu edhe për të gjitha ato që kemi arritur së bashku. Kemi qenë të lidhur fort, ndaj kemi bërë kaq shumë. Tani ka ardhur koha për ta bërë bilancin, mbasi unë e ndjej se nuk e kam të gjatë. Fëmijët i kemi rregulluar më së miri, ata nuk kanë më nevojë për ne, përkundrazi ne kemi nevojë për ta dhe vetem për pak  dashuri. Tani ne ngopemi me pak.  Të kam dashur aq sa munda, edhe tani po aq të dua, edhe atje ku do vete, do të të dua.. Çelsin e kasafortës ti e di ku është. Të gjitha gjerat  i kam sistemuar, më fal nuk mendoja se do kisha, kaq fuqi të t’i thosha të gjitha këto. Mbylli sytë dhe i ra të fikët .. E shoqja nuk pushonte se qari. ..Pas pak Aliu i hapi sytë dhe i tha: -Të lutem po më ndodhi gjë, të jesh e fortë, dhe ta vazhdosh jetën, sikur jemi bashkë… Ne e kemi mësuar njeri tjetërin si të jemi të fortë…Arta u ngrit në këmbë, po nuk kishte fuqi të ecte, se e shikonte të shoqin me fytyrë  të zverdhur. Për një çast desh t’i hidhej të shoqit e ta qafonte fort e fort, po lotët e mbytën. Me shumë vështirësi shkoi në kuzhinë dhe u shtri në divan… Të nesërmen në mëngjes u zgjua. Kur u zgjua nuk mbante mend asgjë. Aliu që atë natë nuk kishte më fuqi të ngrihej. Merrte frymë me zor… Kaloi afro një javë. Ai ia bëri me shenjë së shoqes që të afrohej, ajo u afrua dhe ai ja bëri  me dorë që të shkruaj. Ajo  e kuptoi.  I pruri një rezervë stilolapsi dhe një letër. Ai i shkroi:- Më sill ato dy fotot e Vlorës, që janë në kornizë. Ajo i solli. -Mi ler këtu, sa më afër. Ai sa i pa, iu mbushën sytë me lot…ato qenë dy foto, ku fotografi  i talentuar MIMI  Vrioni, kishte shkrirë talentin e tij dhe dukej skur u kishte dhënë shpirtin e tij. Njera tregonte gjithë anën  e detit, nga moli në Skelë, deri te moli i peshkimit dhe tjetra nga moli i vajgurit deri tek tuneli. Foto të përsosura… Fotografi ynë i talntuar aty ka jetuar, kështu që ka shkrirë gjithëçka  shpirtërore të mundshme, që ka arritur atë mrekulli… Erdhi nata.. Aliu  nuk po flinte, po as në gjumë nuk ishte ishte, po në mesin e të dyjave. Hapi pak sytë, soditi fotot dhe i tha vetes:- O zot, sa herë kam kaluar anës detit. Te moli, në Ujin e Ftohtë, aty kam puthur për herë të parë të dashurën, po aty kam bërë edhe dashuri…Kur i hodhi sytë tunelit, ju duk se që atje iu bë sikur po i fliste e shoqja, po ajo ishte në dalje të tunelit, ai ishte te hyrja, e dëgjoj gruan  po nuk e kuptonte, kur ktheu sytë nga krahu i djathtë i tunelit pa poshtë, kur pa burimin e pashtershëm, ku, kush e di sa herë, kishte ngulur gjunjët dhe kishte pirë ujin e perëndisë. U ul poshtë me kujdes dhe mbërriti te burimi, u ul avash në gjunjë të pinte ujë po nuk mundej, atëhere zgjati dorën ta mbushte me ujë, po sa preku ujin ra përmbys…E shoqja u zgjua dhe shkoi te krevati, e gjeti ulur në bisht. I vuri dorën te balli, ai po ftohej…

E varrosën me nderime në parcelën e shqiptarëve. Mbas një muaj vunë një pllakë mermeri, ku shkruhej me germa ari  me të madhe “SHQIPTARI” Ali Çela. Lindur ne Vlorë, ndërroi jetë në ÇIKAGO. Dy tre muaj shkonin shpesh, sidomos e shoqja. E mbushën varrin me lloj -lloj lulesh nga më të bukurat,  pastaj u lodhën, vetëm e shoqja shkonte ndonjëherë. Në vitin e dytë nuk kish mbetur më lule, veç bar, po në çdo përvjetor shkonin të tre. Mbas katër vjetësh edhe Arta ndërroi jetë. E varrosën afër Aliut. Edhe pllaka e  mermerit u plotësua: ARTA ÇELA, lindur në Berat, SHQIPËRI, ndërroi jetë  në ÇIKAGO. Kështu dy pasardhësit kaluan gjatë në mërgimin e humbur, po në Shqipëri nuk bënë vaki të kthehen. Edhe te varret e prindërve shumë rrallë mund të vejë çupa, djali nuk e gjen dot varrin.