Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ti shkoje…

122
Sigal

 

Nën dritën e bardhë të neonit

shtrirë në agoni,

ti ngrije duart lart për të ikur si engjëlli

“Dhashë shpirt!” më the ti!

Ndërsa unë të shihja i plagosur

pa mundur ta ndal ikjen tënde!

Si vallë kështu?

Duar të nderur që dridheshin,

që dikur mbi pëllëmbë kishin mbajtur

veç jetë e dashuri,

pjellën dhe dhimbjen e kohës së mbrapshtë

vdekjen e mëmës dhe atit,

shkoje me duart ngritur

duke shkelur mbi një liqen lotësh…

Ti motër:

Hirësia ime,

dashuria ime e gjakut,

gjithnjë e purpurt

në zemrën time mavi.

Bëre nga plaga e hapur që ende klith

nën zë,

nën qiej vetmitarë pa zogj,

mërmërimë murgu,

pëshpërimë…

Ti shkoje…

Ti më rivjen dhe më ikën sërish:

shket në botën tjetër

e unë s’di ç’të bëj

me këtë flutur të bukur,

që më trazon çdo çast në natën time

kaq të gjatë;

në këtë humbëtirë të pafund…