Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Nga kujtimet e Kristo Frashërit 

238
Sigal

Kristo Frashëri na sjell bukur kujtimet e demostratave të rinisë për të rrëmbyer armët në ditët e para të prillit 1939. Gjimnazistët e Tiranës janë në krye. Dhe ai kujton se në një letër, Qemal Stafa i shkruante Ali Demit: “Unë jam me ju!”… Këta dhe mijra të tjerë ishin luftetarët e lirisë!

Ndërkohë, Qemal Stafa, i cili e vuante dënimin në burg në fshatin Mbrostar të Beratit dhe të cilin ato ditë e kishin sjellë në Tiranë për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait Veli Stafës, në një pusullë që i dërgonte Ali Demit i thoshte afërsisht se kishte marrë vesh se Italia do të pushtonte Shqipërinë. Një lajm i tillë po e tmerronte për faktin se ndodhej në burg. Ai porosiste që ne të mos e gënjenim veten duke thënë se ishallah nuk është e vërtetë. Gjithashtu na porosiste që të përpiqeshim sa më tepër dhe të organizonim një rezistencë, mbasi siç dukej sulltani (sulltan i thoshte Zogut) do të ruante lëkurën e tij. Në fund kërkonte që ta njoftonim për lëvizjet që do të bënim.  Të hënën në mëngjes, më 3 prill 1939, kur u takuam në shkollë, Ali Demi ma dha letrën e Qemal Stafës ta lexoja. Ajo më nxiti të pyesja shokët e celulës sime se çfarë duhej të bënim. Jusuf Keçi më njoftoi se vendimi ishte marrë. Të gjithë ne së bashku me simpatizantët e grupit tonë duhej të blinim biletë në kinema teatër “Gloria” për të asistuar po atë mbrëmje në rishfaqjen e melodramës së V. Prendushit. Ai shtoi se na u dha porosi që kur në skenë të shpalosej flamuri kombëtar, të mos kufizoheshim vetëm me duartrokitje, por duartrokitjet t’i shndërronim në manifestim për mbrojtjen e atdheut. Këtë porosi kishte marrë dhe Ali Demi nga qendra e grupit të tij.  Në mbrëmje rrugët gumëzhinin si një koshere me bletë, gjë e jashtëzakonshme për ditën e hënë në Tiranë. Njerëzit lëvrinin rrugëve, kërkonin të mësonin gjendjen nga pamjet e vrenjtura apo të qeta të qytetarëve. Gjendja ishte gjithnjë e pasigurt.

Duke hyrë në sallën e kinoteatrit “Gloria” nxënësit merrnin porosi njëri nga tjetri të ruanin gjakftohtësinë, të mos provokonin përleshje të papritura, të mos fyenin njeri, sepse këto mund të kapeshin nga agjentët e Romës si pretekste për të justifikuar okupacionin që kishin përgatitur.  Salla u mbush dhe shfaqja filloi. Në sallë, heshtjen e prishnin vetëm deklamacionet e aktorëve. Skenat ndërroheshin dhe shumica e spektatorëve prisnin fundin e shfaqjes kur do të fillonte shtrëngata.  Shfaqja po i afrohej fundit. Kur në skenë, sipas programit, u shpalos flamuri i kuq me shkabën dykrenore, që u duk atë natë më i bukur se tjetër herë, në sallë shpërtheu një buçitje e madhe sikur gjëmoi aty brenda një rrufe e papritur. Duartrokitjet e furishme u mbuluan nga një zhurmë e përzier me brohoritje e me këngë, një zhurmë e fuqishme sa s’u mor vesh se ç’ishte. Por më vonë, gumëzhitja u vu në rregull dhe u kuptua se po këndohej himni i flamurit. Të gjithë këndonin me sa fuqi kishin, salla dukej sikur do të përmbysej, spektatorët sikur do të pushtonin qiellin. Pa mbaruar mirë himni i flamurit, një zë djaloshar bërtiti nga mesi i sallës: – “Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!”  Përgjigjja qe e shpejtë dhe e fuqishme.  Duke kënduar e brohoritur njerëzit dolën nga salla. Ishte ora 11 e mbrëmjes. Jashtë në oborrin e kinoteatrit, këngët e brohoritjes u ndërprenë. Por kur spektatorët dolën në Rrugën e Kavajës, buçiti më me furi se brenda kënga e patriotëve tanë të Rilindjes, kënga që më vonë u pagëzua me gjak dëshmorësh, si himn i demonstratave kundër okupatorit fashist, kënga “Eja mblidhuni këtu!”.  Këngës iu përgjigjën qindra njerëz nga ata që sapo dilnin nga kinoteatri dhe nga të tjerë qytetarë që kalonin rrugës.  Me këngë në gojë turma u nis drejt sheshit “Skënderbej”.  – Ku vemi? – pyeti një qytetar që sapo u bashkua me turmën dhe nuk kuptonte se ç’ngjiste.  –

Vemi të shfaqim dashurinë tonë për atdhe dhe urrejtjen për armiqtë e Shqipërisë.  Turma kaloi përmes sheshit “Skënderbej” duke kënduar e brohoritur. Pastaj hyri në rrugën e “Sahatit të Madh”. Në atë orë, shumica e Tiranës flinte. Nga zhurma e madhe e këngëve dhe e brohoritjeve filluan të ndizeshin dritat e dhomave të pallatit “Kaceli” dhe të zgjatnin kokën nga dritaret burra e gra. Të tjerë, të përgjumur, u ngritën me vrap duke kujtuar se ndodhi e keqja e madhe. Disa prej tyre dolën nga shtëpitë dhe me vrap u bashkuan me turmën, dikush i paveshur mirë. Si arriti në krye të rrugës te “Varri i Kapllan Pashës”, turma u kthye djathtas, në drejtim të pallatit mbretëror. Atëherë policët, që ndiqnin nga pas turmën, vrapuan me nxitim drejt pallatit dhe qëndruan para portës së hekurt. Në të njëjtën kohë brenda nga oborri vrapuan me armë në duar disa ushtarë të gardës mbretërore dhe qëndruan disa brenda, disa jashtë portës me kangjella të hekurta.  Kur turma arriti te porta e pallatit, u ndal vetë. Gjithashtu kënga pushoi. Për një çast u duk se do të fillonte përleshja. Ushtarët dhe policët qëndronin të çuditur dhe me dorë në brez. Në këtë çast arriti komisari i policisë i shoqëruar me tre policë. Komisari, i cili deri një ditë më parë shfrynte me inat e me gjuhë të vrazhdët kundër viktimave që arrestonte, tani u afrua me urtësi dhe pyeti me zë të butë:

– Çfarë kërkoni tani në mesnatë?

Një zë nga turma bërtiti:

– Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!

– Rroooooftë! U përgjigjën qindra veta.

Një oficer i Gardës mbretërore që rrinte pranë portës së madhe me hekura, u afrua me kujdes dhe me zë të dridhur iu drejtua turmës:

– Mos thërritni, mos thërritni, se zgjohet nalt-madhënia!

– Zgjohet nalt-madhënia? Po, po, për atë kemi ardhur! Duam t’i themi nalt-madhënisë, se nuk mund të flemë, kur mendojmë se vendi është në rrezik!

Kënga buçiti përsëri. Ushtarët e Gardës me pushkët në duar nuk kuptonin se ç’bëhej. Oficeri i Gardës filloi të lutej të mos qëndronin shumë. Me këngë e brohoritje turma filloi të ecte përsëri.

(foto e gjimnazistëve – Kristo Frashëri, Aladin Stafa, Ali Demi në këmbë, etj)