Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Jo vetëm njerëzit, por dhe objektet mbartin histori

130
Sigal

Nganjëherë kemi në shtëpi objekte që nuk ua dimë historinë : nga vijnë dhe kush i ka krijuar ato. Në shtëpi kam si relike një tepsi të madhe bakri plot gdhendje, që ka qenë e gjyshes time në Filat dhe që është prodhuar para një 150 vitesh. Një tepsi e madhe byreku, që është një kujtim familjar. Po kështu, tek shtëpia e mikes time Solange, kam parë një vulë druri që e ëma, në mesin e viteve ’20 të shekullit të kaluar e kishte marrë me vete në Paris. Kur bënin bukë për festat fetare, brumi vulosej me shenjat e Krishtit. I ngjante një objekti të lashtë. Para 20 vitesh, një ditë u futa në një antikuar të periferisë parisiane ku papritur pikasa një dollap dhome mjaft të veçantë. E habitshme, thashë me vete, duke parë ato figura të bukura femërore në të katër fletët e tij. Pyeta për çmimin dhe u habita që ishte aq lirë dhe e bleva menjëherë. U gëzohesha atyre figurave pa e ditur se kush i kish pikturuar. Anonimët nganjëherë kanë duar të arta. Qëndronin plot hire në sfondin okër, që unë kujtoja se ishte thjeshtë bojë, por syri i një piktori me sqimë si Bujar Luca, kur e pa me vëmendje më tha: “E habitshme! Janë punuar me fletëza floriri. Më duket se imazhe të tilla i kam parë në një sallë muzeu në Piemonte të Italisë.” Kur u ndamë, ai më dërgoi një mesazh duke më thënë : « Po, janë imazhet e një piktori francez në sallën e kështjellës së Saluzzo-s, në Piemonte.” Ishte kërshëria që më vuri në lëvizje të kërkoja më shumë rreth këtyre imazheve. Në fakt, në Sallën e Baronëve, në një faqe ishin 9 Heroina dhe në një faqe tjetër 9 kalorës trima, fisnikë që ishin pikturuar nga piktori francez Jacques Yverne (Giacomo Jaquerio), me origjinë nga Avignon-i, i cili në atë periudhë të jetës së tij jetonte dhe pikturonte në Torino dhe në krahinën piemonteze. Kështjella ishte ngritur në vitin 1200 në kodrinat e gjelbërta të Saluzzo-s, e cila në vitin 1400 ishte blerë nga markezi Tomasso III, mik në oborrin e mbretit francez Charles VI, i cili do ia linte më pas trashëgim birit të tij Valerano . Më 1530, markezi Michele Antonio e zmadhoi kështjellën me Sallën e Baronëve ku u vendosën këto freska të mëdha në stilin europian gotik, mbështetur nga letërsia kalorësiake e dorëshkrimit « Libri i kalorësit bredharak » një kodik që kishte patur Tomasso III dhe që sot gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Francës. Pra këto gra qëndronin ballë 9 trimave, tre prej të cilëve ishin paganë, tre hebrej dhe tre të krishterë. Ndërsa heroinat quheshin Ypolite, Menalippe, Lampeto, Thamaris, etj, dhe në imazhet e tyre ato mbajnë dhe emblemat përkatëse.

Një nga figurat më interesante është ajo e Seramisit, mbretëreshës legjendare të Babilonisë, për të cilën shkruante dhe Herodoti, apo shekuj më vonë Diodore i Siçilisë. Sipas legjendës, Semiramisi ishte vajza e Derceto-s, një perëndie gjysmë femër-gjysmë peshk dhe e Caystro-s, birit të Akilit. Pas lindjes së Semiramisit, Derceto vrau Caystro-s dhe iku e u fsheh në një liqen duke e bratisur të bijën. Por një tufë pëllumbash e pikasën dhe nisën ta ushqenin fëmijën e braktisur. Kur barinjtë e gjetën, ia dhanë menjëherë Simios-it, prijësit të bagëtive të mbretit Ninos dhe ishte ai që i dha emrin Semiramis, që në gjuhën siriane do të thotë « që vjen nga pëllumbat ». Kur u rrit, ajo u bë një vajzë shumë e bukur dhe e zgjuar, thotë legjenda dhe u martua me Onnues, një gjeneral të ri të mbretit. Por mbreti ra në dashuri me Semiramisin dhe e detyroi gjeneralin e tij të vriste veten. Ata u martuan dhe mbreti më pas vdiq, dhe mbretërinë për 42 vjet me rradhë e udhëhoqi Semiramisi, e cila i ngriti burrit të saj një varr 1620 metra të lartë.

Shpesh, në qetësinë e natës së vonë, duke kaluar nëpër sallon, ato gra të bukura, që shndrisin në sfondet okër, të duken si zana që i kanë braktisur trimat e tyre kalorës dhe kanë ardhur në këtë sallon të thjeshtë parisian, me dorën e një piktori anonim, i cili padyshim do t‘i ketë adhuruar ato figura të kështjellës Manta në Saluzzo… Ato shndrisin nën dritën e hënës dhe të duket vetja si pjesë e legjendës. Ç’thonë vallë ?… Duhet të jesh i dehur që të biesh në dashuri me to !