Suplementi Pena Shqiptare/ Llambro Ruci: Kristaq Rama, artisti i lidhur me popullin

626
Sigal

Trokitëm në studion e skulptorit Kristaq Rama kandidat për deputet në Kuvendin Popullor në zonën e zgjedhjeve Nr. 21 në Durrës , me përshtypjen se do ta gjenim me baltë nëpër duar, duke dredhur portretin e një dëshmori komunist, për të cilin, siç na patën thënë po punonte. Por shokët e tij na u përgjigjën se ndodhej në stërvitje ushtarake. Skulptori kishte ndërruar daltën me pushkën. Dy armë që qëllojnë në shenjë në emër të revolucionit.

E takuam të nesërmen. Duhet t’i bënim portretin një artistit, që gjatë tërë krijimtarisë së vet është përpjekur të gdhendë figurën e kohës, historinë e popullit tonë. Kristaqi buzëqeshte dhe mua më duket sikur gazi i tij buron që nga fëmijëria, kur me baltën e currilave u dha formë ëndrrave të para, vështrimi i thellë e plot optimizëm u derdh nëpër portretet e një partizani, një ushtari e një marinari, të të rinjve punëtorë e sportistë, kaloi nëpër statujën e A. Moisiut dhe u ngjit në “Vërsnikët e Republikës”; u nguros papritur në ballin e Shote Galicës dhe me përmasa të gjera, ndriti në monumentin kushtuar ngritjes së kooperativës së parë bujqësore në Krutje… gjer tek portreti që përgatiti për Konkursin e 30-vjetorit të çlirimit.

Kristaqi flet me dashuri për skulpturën. Dhe kjo ndjejnë është konkrete e prekshme, se shprehet e merr vlera në punën e tij të vazhdueshme plot durim e këmbëngulje me baltën – materialin e parë të skulpturës, në njohjen dhe kontaktin me jetën e gjallë të popullit, përmes librit, shkencës dhe kulturës. Misionin e artistit, Kristaqi e kupton me pjesëmarrjen aktive në zhvillimin e realitetit revolucionar, ku njihet e sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë, tipat dhe psikologjia e shqiptarit, grumbullohen mbresa në ndërgjegje e në bllok, që më vonë rrezatohen në veprën e krijuar sipas idealeve të komunizmit.

Për çdo krijues vepra e parë mbetet gjithmonë e dashur. Ndofta, nga që aty ruhet më e pastër rinia e tyre apo nga fakti që është hapi i nisjes në fushën e krijimtarisë. Kristaqi na përmend një portret malësori, gdhendur në dru, që e paraqiti në ekspozitën e vitit 1959. Ishte kthyer nga Veriu, ku kishte njohur nga afër natyrën dhe njerëzit e atij vendit. Dhe për shumë kohë, deri sa i derdhi në dru, e “ngacmonin” figurat e pleqve të malësisë që kishte parë, ashtu fjalë-pakë e me mendim të thellë, në tiparet e të cilëve ruhej një jetë e tërë, heroika shqiptare.

Kristaqi kujton me emocion letrën që shoku Enver u dërgoi atij dhe skulptorëve Sh. Hadëri e M. Dhrami, kur punonin për Monumentin e Pavarësisë. Pas vërejtjeve të udhëheqësit, ndryshoi në themel konceptin i gjithë veprës. Ajo, nga përjetësim i një momenti të ndritur në historinë e popullit shqiptar, u kthye në një monument, në fantazinë që përfiton, edhe fitoren në Luftën Nacionalçlirimtare e marshimin fitimtar të revolucionit socialist. Dhe fjalët e shokut Enver: “Një skulptor i mirë, mendoj unë, duhet të jetë njëkohësisht jo vetëm artist, por edhe poet, edhe shkrimtar, edhe luftëtar revolucionar, edhe dijetar i lidhur ngushtë me popullin”, ishin një mësim i madh, që i ndriçon gjithmonë rrugën jo vetëm Kristaqit, por tërë krijuesve tanë. Sepse forca e artit qëndron në tingëllimat e shpirtit të popullit, në figurat e heronjve, që i prijnë kohës, dhe kjo arrihet kur artisti lidhet me punën dhe jetën e masave, kur ai është, para së gjithash, qytetar dhe pastaj artist. Skulptura jonë, duke u mbështetur edhe ne në traditën e pakët të paraçlirimit, ka ecur mjaft përpara. Nga sheshet e ndërtesat publike, duke folur me gjuhën e thjeshtë të heroizmit, ajo realizon, në një masë të madhe, kontaktin e përditshëm të masave punonjëse me disa nga momentet dhe figurat, që lanë gjurmë në historinë e popullit, veçanërisht me epopenë e Luftës Nacionalçlirimtare. “Megjithatë, ne i jemi jo më pak borxhli, thotë Kristaqi, heroikës së epokës së Partisë në marshimin e pandalshëm të revolucionit dhe mbrojtjen e fitoreve të atdheut socialist, që presin të gdhenden e të derdhen në gips, dru e bronz, se vetë gjuha e skulpturës ka diçka të përbashkët me natyrën e popullit tonë, ajo materializon pikërisht një nga tiparet kryesore të psikologjisë së shqiptarit: Heroizmin në përmasa të tilla madhështore, që të lejojnë të shprehesh sinteza të mëdha.”

Detyrën e përfaqësuesit të popullit Kristaqi nuk e ka ndarë kurrë nga detyra e artistit. Një takim e një bisedë me punonjësit për problemet politike e shoqërore, të artit e kulturës, shëndetësisë apo për ndonjë shqetësim të tyre, është kurdoherë një mësim i madh dhe një burim ku zgjedh tipat e veprave të ardhshme dhe njeh psikologjinë e popullit. Mund të mësohet nga çiltërsia dhe sinqeriteti i tyre, se si i thonë mendimet e i shtrojnë hallet. Biseda zhvillohet si me shokë të dashur, ashtu thjesht e thjesht, pa harruar kurrë të përgjithshmen, interesin shoqëror. Me entuziazëm shkuan në mbledhjen e organizatës së Fronit Demokratik banorët e blloqeve nr.1,2,3 dhe 4 të lagjes nr 12 të zonës së zgjedhjeve nr.37. Ata miratuan kandidat për deputet në Kuvendin Popullorë skulptorin Kristaq Rama. Dhe besimi i popullit të artisti i lidhur ngushtë me të, do të jetë një nxitje e frymëzim për skulptorin që, në veprat e reja, të derdh më me forcë e bukuri figurën e atyre njerëzve të punës, që ndërtojnë e mbarojnë socializmin.