Pjetër Arbnori është quajtur “Mandela i Ballkanit”,
për shkak të kohës së gjatë të kaluar në burgjet e diktaturës komuniste për 28 vjet.
U lind më 18 janar 1935 në Durrës,-vdiq në Napoli, 8 korrik 2006. Ka qenë i përndjekur politik në kohën e regjimit komunist, shkrimtar, deputet dhe Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.Dimrin e 1940 familja u kthye në vendlindje,Shkodër. Me të kryer maturën për violinë, duke qenë në orkestrën e filarmonisë së Shkodrës, mësuesi i tij Prenk Jakova bëri të mundur që të shkonte mësues, si fillim në shkollat e qytetit. Më 1962 u arrestua i akuzuar se kishte dashur të formonte një parti social-demokrate, gjë për të cilën u dënua me 25 vjet burgim. Pas tetëmbëdhjetë viteve burgim e ridënuan edhe me 10 vite të tjera, për romanin e shkruar në burg “Shtëpi e mbetur përgjysmë”. Në kushtet më të vështira në burg ai shkroi një pjesë të madhe të veprave të tij letrare. Në gusht të vitit 1989, Pjetër Arbnori u lirua nga burgu. Arbnori kaloi 28 vjet në burgun e Burrelit. Ai u arrestua në moshën 26- vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç. Në janar të 1990 ai mori pjesë në Shkodër në demostratën kundër pushtetit komunist, që rrëzoi bustin e Stalinit. Po në të njëjtin vit ai ishte bashkëthemelues i degës së Partisë Demokratike në Shkodër. Prej vitit 1991 deri më 2001 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, dhe prej vitit 1992 deri më vitin 1997 ishte Kryetar i Kuvendit.
Veprat letrare
“Kur dynden vikingët”, novelë.
“Mugujt e mesjetës”, roman.
“Bukuroshja me hijen”, novelë.
“E bardha dhe e zeza”, roman etj.
“Letër nga burgu”
“Nga jeta në burgjet komuniste” (studime historike 1992)
“Lufta për të mbetur njeri”, intervista, 1990-2000 etj.
Nderimet
Mësues i popullit
Pishtar i demokracisë
Urdhri “Nënë Tereza”
Urdhri “Nderi i Kombit” etj.
Novela “Vdekja e Gëbelsit” tregon me detaje një anë të jetës në burg; humanizmin e të burgosurve që edhe të mbyllur me hekura ruajnë botën shpirtërore të dashurisë, dhembshurisë dhe mirësisë edhe ndaj kafshëve; në anën tjetër egërsinë, urrejtjen e gardianëve dhe komandantit të burgut edhe ndaj një qeni të pafajshëm.
“Vdekja e Gëbelsit”- fragmente
Lajmi se erdhi një mysafir i jashtëzakonshëm u përhap menjëherë në gjithë kapanonin e madh si hangar vapori ku flinin mbi njëmijë veta. Qenushi i vogël, i porsa ardhur filloi të rritej pak nga pak në mes të përkujdesjeve të të gjithë atyre njerëzve të vuajtur…e quajtën Gëbels. Në fillim Kristoja e ruajti shumë prej rojeve, por kur kaluan dy-tre muaj i doli frika dhe e nxori në oborr. Mbas njëfarë kohe qenin e larguan. Një ditë nëntori kur dielli shkëlqente si në verë, ata që ishin me pushim të ulur,panë një skenë të habitshme. Që nga larg u dëgjua një kuitje e gjatë dhe ca të lehura të thekshme.Dikush prej të burgosurve dalloi në veshin e majtë një njollë të madhe, ngjyrë kafe dhe thirri me gëzim: -Oh, Gëbelsi! Gëbelsi ynë! Veç të ishe aty dhe të dëgjoje kafshën e shkretë se çfarë klithme të mallëngjyer lëshoi kur dëgjoi emrin e tij. Tashmë nuk vinte re asnjë pengesë. Sulej turravrap pa pyetur për tela e për gjemba. -Gëbels! Gëbels! -thirrën të gjithë. Qeni u hodh si akrobat dhe ra brenda rrethimit.
Një ditë të bukur janari, kur komandanti Kalo kishte mbledhur gjithë oficerët, nënoficerët, dhe ushtarët në sheshin e madh para kaparonit,ku ishin rreshtuar kuadratet e të burgosurve dhe po u fliste gjithë gëzim për disa lajme që kishte sjellë nga Tirana dëgjon: -Auuuuuu! Auuuuu! Auuuuu!
Komandanti u pre në fytyrë. Hazbi Kalo u përpoq të fliste diçka, po gryka i ishte tharë dhe i doli vetëm një gërvishtje nga gryka. Kapërdiu dy tri herë pështymën dhe thirri: -Kapeni! Ma hiqni sysh! Mbyteni! Nga më doli prapw ky lugat?
…Qenin e zunë pa shumë mundim dhe e mbanin tre-katër vetë që të mos ikte. Hasan Dida se ku gjeti një tel të gjatë. E lidhi mirë e mirë dhe doli jashtë gardhit të telave me gjemba. Hasani e lidhi Gëbelsin në një shtyllë, nja dhjetë metra përtej rrethimit. Gjeti prapë një copë tjetër teli dhe e lidhi më shtrëngueshëm qenin.
-Pse e zgjat ai dreq! T’i japë një plumb e mbaron puna.
-Apo ka frikë se mos ngjallet përsëri? -tha dikush.
Po Hasani iku prap diku dhe u kthye me një hu të gjatë me majë, që e mbante si hushtë në dorë. Ne ende s’po kuptonim se ç’kishte ndërmend të bënte. Ai hoqi xhaketën ngadalë. Dekoratat tingëllinin si zile mushkash. Pastaj përveshi mëngët dhe kapi hurin.
Nisi një betejë e shëmtuar, e tmerrshme, e përgjakshme, makabre ku njëri sulmonte dhe tjetri qëndronte. Te Hasani ishte grumbulluar mëria e sa e sa muajve ndaj qenit, që shëtiste nëpër kapanone të tw burgosurve. Te qeni ishte mbledhur gjithë shpirti i qëndrueshmërisë së të vuajturve. Ashtu i lidhur me tela ai qëndronte drejt mbi dy këmbët e para. Sa herë e shponte huri ai ulërinte me inat; gërmushej e përpiqej të kafshonte drurin e mprehtë. Njerëzit e kuptuan se qëllimi i Hasanit nuk ishte zhdukja e Gëbelsit, po torturimi i tij. Sa herë që ngulte hurin në mish, qeni gjëmonte si të shfrente dufin e mbledhur lëmsh në grykë. –Hë!…Hë!…Hë!…Nuk ka gjë më mizore se inati i atyre, që s’kanë qenë kurrë trima. Qeni u bënte ballë heroikisht sulmeve të tërbuara. Huri e shponte pa mëshirë, sidomos në gojë, në hundë, në sy. Gjaku i rridhte gjithandej.Tashmë Gwbelsi dukej si një copë mishi e gjallë pa formë e pa fytyrë.
Njerëzit u revoltuan nga sjellja mizore e Hasanit dhe nisën të bërtasin. Atyre që nuk i kanë njohur kampet e shfarrosjes në Shqipëri, mund t’u duket e thjeshtë folja “me bërtitë”. Po ata që kanë kaluar muaj e vjet në burg e dinë mirë se të lëshoje një britmë kushtrimi, duhej të pritje menjëherë një breshëri automatiku në trup ose një plumb në kokë. Madje plumbat lëshoheshin aq pa kujdes, saqë shpesh qëllonin mbi ata që s’e çelnin gojën kurrë, por gjendeshin rastësisht pranë të revoltuarit. Po atë ditë të gjithëve u iku frika, u harruan fytyrat e tmerrshme të rojeve dhe zhurma e njohur e kamionit gaz “Molotov”që merrte kufomat e mbështjella me batanije.
-Hë!-shfrente Hasani dhe ia ngulte qenit hurin në gojë.
-Au!-ulërinte qeni dhe mundohej të kafshonte hurin e përgjakur.
-Të poshtër!
-Kriminelë!
-Njerëz pa shpirt!
-Kështu keni vrarë edhe shokët tanë!
-Kështu i torturoni njerëzit në Sigurim! -thërrisnin të burgosurit nga të gjitha anët.
-Do ta paguani, do ta paguani! Të poshtër!
Oficerët dhe rojat e kampit nuk u ndienw atë ditë. Ishin mbledhur grumbull këtej dhe andej telave dhe shikonin skenën si palë mbështetëse. Ndoshta kujitja e atij qeni i dukej secilit ogurzezë e s’donin të përziheshin. Ndoshta u vinte inat që një qen i vogël po matej me ta e s’donte t’ia dinte për vdekjen.
…Herën e fundit kur i mëshoi hurit, qeni ia shtrëngoi aq fort me dhëmbë sa Hasanit i rrëshqiti këmba dhe qe duke rënë. Dikush qeshi. Ai u ngrit, tërhoqi hurin dhe mezi ia shkuli goje. Dhe kur u përgatit që t’i jepte goditjen tjetër, qeni vari kryet dhe dha frymën e mbrame. Hasan Dida e pa se nuk i shkonte poza e heroit u zhduk pa nishan. Edhe rojet e tjerë u larguan pa bërë zë. Asnjëri s’iu përgjigj të burgosurve, që shanin, bërtisnin dhe shtrëngonin grushtet. Askush nuk hapte gojë në gjithë kapanonet. Njerëzit rrinin përzishëm. Mendonin për sa e sa njerëz, që ishin shkëputur prej radhëve të tyre dhe kishin mbaruar të përgjakur bodrumeve. “Qenëria” ishte mbyllur në kapanonin e vet e nuk guxonte të dilte nga frika se mos ndodhte ndonjë e papritur. Kur erdhi dreka dhe dolën kazanët e mëdhenj të supës, kuzhinierët mbetën të çuditur. Rreshtin e gjatë të të uriturve, që mblidhej një orë para kohës te vendi i kazanëve, atë ditë sikur e kishte përpirë dheu. Frymë njeriu nuk dukej. Fërshëlleu bilbili i Shahinit të tmerrshëm, që s’ia bënte kush fjalën dysh, po askush s’iu afrua kazaneve. Kazanët plot mbetën një copë herë në mes të oborrit, deri sa Kristo Beqari dhe Çelo Barkiçi iu afruan me një hap të matur dhe kur s’e priste askush përmbysën kazanin e parë, të dytin, të tretin e me radhë…supa e ngrohtë u derdh rrëke në tokën e ngrirë…